Gjuha Esperanto, kujtim i këndshëm nga shkollimi i mesëm / Nga: Sanie Gashi

Gjuha Esperanto, kujtim i këndshëm nga shkollimi i mesëm

Për këtë gjuhë kisha dëgjuar në vitin shkollor 1963 të Normales së dikurshme Shqipe të Prishtinës. Në ato vite në shkollën tonë mësohej gjuha angleze, mirëpo kishin ardhur disa nxënës nga qytetet e tjera, ku nuk po mësohej anglishtja. Profesori ynë i shquar, pedagog shumëvjeçar me përvojë, Beqir Kastrati, i cili po e njihte mirë këtë gjuhë, një ditë vendos të themelojë një klasë me nxënësit e interesuar, ku do të zhvillohej gjuha esperanto! Në fakt, ne nxënësit nuk kishim dëgjuar as mësuar për këtë gjuhë (në fillore kishim mësuar gjuhën frenge, ndërsa në të mesmen – anglishten), mirëpo me shpjegimin e profesorit Kastrati, na u bë e njohur, kështu që me një numër nxënësish të ardhur, sajoi klasën për mësim të esperantos.

Ishte gjuhë interesante për të gjithë ne, për të cilën më fliste edhe shoqja ime e bangës – Fëllënza (tashti e ndjerë). Fëllënza po i ndjekte rregullisht këto ligjërata të esperantos, të cilat po i mbante vetë profesori Kastrati, i cili punonte me shumë përkushtim. Mirëpo, ky ligjërim e kjo klasë zgjati vetëm një vit shkollor, nuk e di pse, u ndërpre. Nga ajo kohë e ato vite shkollore na mbeti në kujtesë kjo gjuhë – Esperanto, ndërsa kujtimi për të m’u përtërit vite më parë (2013), kur në një tryezë të organizuar nga prof. Bardhyl Selimi i Tiranës, që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës, në prani të një numri qytetarësh si dhe të vetë gjuhtarit të esperantos, profesorit Bardhyl, ku isha e pranishme edhe unë. Me kënaqësi po i dëgjoja tek flisnin pjesëmarrësit. Thash, më është dukur gjuhë interesante, tërheqëse atëherë e sot, kujtim i këndshëm nga shkollimi i mesëm. Pse të mos zhvillohet edhe më tutje?

Asnjëherë më nuk kemi dëgjuar as mësuar për esperantishten, ndonëse nuk është harruar, sidomos nga ish-nxënësit e Normales pesëvjeçare të Prishtinës, e cila vlerësohet të ketë luajtur rolin e një kështjelle arsimore, që e trajtonin me plot të drejtë – universitet.

Legj: 1. Foto e viteve të Normales (1963): nga e majta – Fëllënza që ndiqte orën e esperantos, Eminja dhe unë në të djathtë të fotos

  1. Unë, në vitet e tashme të gazetarisë-publicistikës

 

Nga: Sanie Gashi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s