Poezi nga Iliriana Sulkuqi
S’I DUHET BOTËS NJË LOT QË QAN…
(Sikur të isha Loti im ,/nuk do të qaja kurrë,/
se loti kthehet në kripë/dhe kripa në gurë..)
-Një ditë pa dritë, një natë pa hënë,
Lotin intim ma shanë e vranë…-
I pata thënë Lotit tim: –
përballë botës mos i dil…!
Është kohë e keqe, një Zot e di,
do të të thajnë, pa dalë mirë…
Nuk më dëgjoi, nuk më dëgjoi…
Si djal’ plangprishës
pa mua shkoi…
Një ditë , ah, ditë, pa mbushur ditën,
kthehet sërish lodhur e tretur…
Lutet e lutet mardhur e ngrirë
përmbi qerpik nga pritja djegur…
I kisha thënë, i pata thanë:-
S’i duhet botës një lot që qan…
SONTE TË JAP LEJE…
…Fli mbi besën time
me ëndrrat e shkuara…
Nesër…,
Nesër…
Ose Nesër…-
ZGJOHU ME MUA!
SYTË…
Njeri mbeti vëngër
nga kthimi.
Tjetri –
plasi , për të dy.