Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

MES KAFSHËVE ME BRIRË…

Kaluam vite kthese dhe nuk dinim mirë,
se jetojmë ende, mes kafshësh me brirë,
mes bishave shtazarake, të peshës së rëndë,
që godasin me brirë, shqyejnë me dhëmbë;

Që marrin nga goja, kotheren të mjerëve
shkelin me thundra djersën e etërve,
thërrimet e pleqve, me lëngun e hirrës,
ua shkelmojnë, nëpër ndeshje brirësh.

Më pas hingëllijnë, sa mahnitet bota
dhe krekosen, se janë egërsira të forta,
se mund të kenë nën sundim njerëzit,
t’u zhvatin pasurinë, nderin dhe erzin…

Ka disa kohë, Zoti po ndëshkon njeriun,
me bukë dhe qumësht, ushqen shiun,
Tund e shkund banesat, me tërmete,
por ata përbindësha, nuk vijnë në vete;

Të kuptojnë se janë këtu përkohësisht,
dhe duhet të ushqehen shoqërisht,
si të gjitha gjallesat, të hanë barabar,
siç bëjnë delet e urta, kur kullosin bar.

S’mund të ketë krijesa superiore në tokë,
ku i plotfuqishëm, është veç i madhi zot,
që krijoi të mirat, për të gjithë njësoj,
jo që dikush të vdesë, e dikush të rrojë.

Mish, peshk, e perime, jep për të gjithë,
në këtë planet me të gjitha mirësitë.
lakminë për më shumë kapital në jetë,
Ai e dënon me përmbytje dhe tërmet.

Por këto kafshë, me instinkt primitiv,
në vend të trurin, kanë brirë agresiv
dhe nuk prapësohen nga vrulli lakmitar,
pa ditur se po shkojnë para kohe në varr.

Mjerë kjo tokë dhe mjerë këta njerëz,
s’gjejnë qetësi nga kjo shtazëri e egër,
dhe detyrohen të kapërcejnë horizonte,
të shpëtojnë nga egërsirat e kësaj kohe.

Ku janë kordhëtarët, që vranë kuçedra,
të ngordhin këtë specie shtazësh të egra?!…
Të kthehet qetësia e dikurshme në breza,
mos qajnë nënat, mos vishen me të zeza!…

 

SONTE S’KAM GJUMË…

Sonte s’kam gjumë. Më shfaqet ajo,
herë si mështekna që vallëzon me erën,
herë si shelgjishte flokëlëshuar mbi lumë.
Çohem ta kërkoj… Por jashtë është errët…

Sonte s’kam gjumë. Më përfytyrohet ajo,
herë si hëna me dritën e plotë,
herë si Afërdita me shallin e Kumtrit.
Çohem ta kap… Por nuk e arrij dot…

Sonte s’kam gjumë. Më perceptohet ajo,
herë si portokallishte degërënduar,
herë si pjergull me vile shumë.
Nisem ta vjel… Por ende s’ka aguar…

Sonte s’kam gjumë. Më fanitet ajo,
herë si bukë taze që avullon mes djersës,
herë si qumësht i ngrohtë me shkumë.
Shtroj tryezën… Por ajo darkon me një tjetër…

Eh, gjumi i burrit prishet nga femrat si ajo,
se fati i njeriut në dashuri, qenka magji e vjetër,
ndodh ne burrat duan një grua, që nuk na do,
sikurse, ato duan më shumë, një burrë tjetër….

Pra, sonte s’kam gjumë, por ndoshta fle nesër,
se tashmë njoha në intimitet më mirë femrën,
asaj me forcë, më lehtë mund t’i marrësh jetën,
por është tepër e vështirë t’i marësh zemrën!…

 

RROKULLISJA NË HUMNERË

Mblidhuni o Sizifë të arratisur
të ngremë gurin shpopullimit,
pasi ka marrë të rrokullisur,
për në humnerën e rrënimit!

Gurin e rëndë të shqiptarizmit,
ta vendosim në vend të vet
ta ngjitim në majën e lartësimit,
ku ka nderimin e tij përjetë!

Se tatëpjeta e kësaj gremine,
po na lë atdheun shkretuar,
të vajtojnë qyqet, çdo krahine,
me plaka e pleq të vetmuar.

Ky gur i rëndë, shqiponjash,
do shkërmoqet nga përrenjtë,
do bëhet baltë zgërbonjash,
për varrin e Atdheut të shtrenjtë.

Si mund të lihet ky vend, vallë,
me disa mijëra shekuj histori?…
Kjo tokë dhe nëntokë e rrallë,
si të lihet e gjithë kjo pasuri?…

Të vidhet, shitet nga hajdutë,
me terror plumba kriminelësh,
të mbretërojnë të patrutë,
banda parazitësh e dembelësh…

Sepse kur një truall, braktiset,
bari dhe ferrat, lëshojnë mjekër,
bëhet strofka, gjithë mjediset,
për ujqër dhe derra të egër.

Këtë gjëmë, të shpopullimit,
s’e bëri dot pushtimi grabitqar,
e bëri arratisja drejt perëndimit,
punësimi emigrant, hyzmeqar.

Të ngrenë mure, shtrojnë rrugë,
zotërinjtë bosë, për të pasuruar,
të lënë nënë e baba në muzg,
të presin vdekjen të përmalluar.

Kjo është krenaria e shqiptarit,
të hajë kokulur, kotheren në jetë,
nën diktate urdhrash të pronarit,
kur zot prone, duhet të jetë vetë?…

Si të lihet vendi për muhaxhirë,
sllavë e arabë vendesh të shkreta,
të lindin breza, me tjetër fytyrë,
të lulëzojë për shkretëtirat jeta?

Të rënët, nën dheun e rëndë,
do shpërthenin klithma me ulërima,
se për ta bërë të lirë, këtë vend,
dhanë jetën nën breshër krismash.

Me ikjen vjetore, disa mijëra,
këtë fundshekull, të emigrimit,
mbetet sa një qytet, Shqipëria,
aq sa kishte qenë para çlirimit…

Zotër këtij vendi, kurdoherë,
kanë dalë të vetët, bij e bija,
që kanë dhënë jetën si me lerë,
vetëm të mbijetojë Shqipëria.

Mblidhuni Sizifë të arratisur,
të ngremë gurin shpopullimit,
pasi ka marrë të rrokullisur,
për në humnerën e rrënimit!…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s