Loja e rruazave prej qelqi ( Roman) – HERMAN HESE – *Laureat i Çmimit Nobel – Fragment nga kapitulli “Magjistari i shiut” ( Vëllimi II) / Përktheu nga orgjinali: Aristidh Ristani

Loja e rruazave prej qelqi ( Roman) – HERMAN HESE – *Laureat i Çmimit Nobel

Fragment nga kapitulli “Magjistari i shiut”

Vëllimi II

Në qiell nisi një katastrofë që fshati do ta kujtonte për shumë vjet me radhë. Në rrjetën e heshtur e të ndritur të yjeve, Knehti vuri re aty-këtu xixëllima e flakërima, thua se fijet zakonisht të padukshme të asaj rrjete po regëtinin si të përflakura, dhe, si gurë të vërvitur, duke u ndezur e duke u shuar prapë me shpejtësi, nisën të binin kërthazi nëpër hapësirë yje të veçuara, një këtu e dy atje, pastaj disa këtu e disa atje, dhe, ndërsa syri nuk qe shkëputur akoma nga ylli i parë i rënë e i zhdukur, e zemra e ngrirë prej asaj pamjeje s’kishte rifilluar ende të rrihte, kur ato drita që po binin ose që rrëshqisnin majtas e djathtas, në një vijë të pjerrët ose paksa të lakuar përmes qiellit, tashmë nisën të ndiqnin njëra-tjetrën me luzma, me dhjetëra e me qindra njëherazi, me trumba të panumërta, thua se po mbarteshin prej një stuhie vigane e memece përmes natës së heshtur, thua se një vjeshtë kozmike i kishte këputur të gjithë yjet, si gjethe të vyshkura, nga pema qiellore dhe po i flakte heshturazi në zbrazëtirë. Si gjethe të thara, si flokë bore në erë, ata merrnin arratinë me mijëra e me mijëra, mes një heshtjeje të tmerrshme, duke u zhdukur prapa maleve juglindore të mbuluara me pyje, ku, me sa mbahej mend, s’kishte rënë kurrë ndonjë yll, dhe degdiseshin diku në ndonjë humnerë shumë të thellë.

Me zemër të ngrirë, me sytë që i lëshonin xixa, me kokën ngjeshur pas zverkut, Knehti po vështronte i llahtarisur, por edhe i panginjur, qiellin e shndërruar e të magjepsur, duke mos u besuar syve, e megjithatë tepër i sigurt për atë tmerr. Si të gjithë ata që ishin të pranishëm në atë spektakël natësor, edhe atij iu bë sikur pa të lëkundeshin, të përshkënditeshin e të rrokulliseshin tatëpjetë yjet që i njihte shumë mirë, dhe po priste ta shikonte pas pak kupën qiellore të nxirë e të boshatisur, nëse toka s’do ta gllabëronte qysh më përpara. Por pas një çasti vuri re diçka që të tjerët s’ishin në gjendje ta dallonin, vuri re se yjet shumë të njohura ndodheshin akoma aty-këtu e kudo në vendin e tyre, se ajo përshkënditje e tmerrshme yjesh s’po ndodhte ndër yjet e vjetër e të njohur, por në hapësirën e ndërmjetme midis qiellit e tokës, dhe se ato drita të reja, që binin ose që vërviteshin, që shfaqeshin aq shpejt e që davariteshin po aq shpejt, digjeshin duke lëshuar një flakë me ngjyrë paksa të ndryshme nga ngjyra e yjeve të lashtë e të mirëfilltë.

(Hermann Hesse, Laureat i Çmimit Nobel:
“Loja e rruazave prej qelqi”, Titulli i origjinalit:
“Das Glasperlenspiel”, Roman në dy vëllime, 720 faqe.)

 

Përktheu nga orgjinali:  Aristidh Ristani

Poezi nga Mimoza Leskaj

Poezi nga Mimoza Leskaj   Çudia e stinëve Jashtë filloi të bjerë dëborë Dhe pse padashur dielli digjte Mëngjesi veshur me bluzë të hollë Pasditja ngrysur dhëmbët kërciste. Çudi e madhe, ç’po ndodh kështu Të katër stinët në një ditë … Continue reading

Poezi nga Suzana Malaj

Poezi nga Suzana Malaj

 

Furi

Stuhia matet në lis
e lisi është burrë!
si grua me flokë të gjatë mas aq sa duhet të mas
për të mos tharë rrënjët e lisit!
Të mbirët mbi të dheut
lulojnë gjarpërinjtë e gjakut
që bëjnë fole në mua e më kafshojnë hovin!
Në gruan e fisit
furia me vrulle të vetpërmbajtura
peshohet në degët e lisit!
Je ti që jeton furishëm në mua…

 

Pengu i gurit që qan në mua

Vij nga një racë e fuqishme, e lashtë
stolitë e mia,
thesaret e mia,
janë varrosur nën këtë gur!
Muret ciklopike që ndërtova,
paraheronjtë ,
janë varrosur nën këtë gur!
Zanat e reve,
gojëdhënat e mia,
janë varrosur nën këtë gur!
A e njihni dhimbjen e gurit?!
Lotët e gurit?!
Pengun e gurit që piu shekujt?!
Qan me lot gjaku
prushet e tij të rrëfimeve
janë doket e mia,
profili im,
portreti im ballor!
Bir i tokës e i qiellit isha
bota lindtte e unë këndoja
bard malsor i verbër si vetë Homeri
të miat ishin rrufetë,
e imja ishte udha!
Nën këtë gur është varrosur dija
është mbuluar me kafkën time
të ashprat punime,
poezia e mirë,
vera e mirë,
shijonin në gjuhën time!
Jam thyer e tulatur nga humbjet
betejat e mia,
luftërat e mia,
m’u vodhën mbi varrin tim!
Asgjë nuk është si më parë
lezioni i palcës sime
rënkon në këtë gur!
Cfarë ligjërate tragjike mbart në vete kjo tokë,
cfarë pengu!
pse tragjedia e vërtetë nuk është shkruar akoma
nuk ka skenar të mbledhë thesaret e mia,
stolitë e mia,
nuk ka shekspir të gërmojë gjuhën time si dheun
e të qajë për këtë gur?!
Asnjë Hamlet s’po mund ta shohë kafkën time
e të më clirojë nga ky peng!
Është pengu i gurit që qan në mua…

 

Obsesioni për dritën

Dritat shuhen në muzg
xixëllonja nuk janë por dhe po të ishin
barku i ndezur,
i oksiduar,
mishngrënës
– nuk është akullthyes!
Të ftohtat drita
llamburisin fragmente pa lidhje
te thata,
sterile
-përzgjaten në gjendje të dobët, të mjerë
kaq herët…
kaq vonë…
Cfarë shumatoreje jemi?!
E dëshiruara dritë,
e ndezura dritë
llamburit nga koha mishngrënëse
që kurrë nuk u nginj me ekzistencë!
E ushqyer nga ne
na qurravit e na pi me kupë drite!
Dhimbja do të ishte ringjallje-por ajo
na paralizon si shkëndijëza – kërrmillin
duke na bërë të pandjeshëm…
– na lëngëzon imagjinatën e na pi
– duket flakur mbetjet!
Në korridoret e errëta të psikikës
ka një dritë të zbehtë, të ftohtë
që quhet – obsesioni për dritën!

Autori Gjergj Nikolla publikon vëllimin poetik “PENTAGRAM NDJENJASH” me parathënie nga autori Ndue Shabaku

Autori Gjergj Nikolla publikon vëllimin poetik “PENTAGRAM NDJENJASH” me parathënie nga autori Ndue Shabaku Parathënie E dendur dhe me intensitet të fortë, si aroma e buqetës së luleve të freskëta vjen edhe prurja poetike e radhës e poetit Gjergj Nikolla. … Continue reading

FJALËT E GJYSHES (Për të ndjerën Hjh Haëa Bee) – GRANDMA’S WORDS (for the late Hjh Hawa Bee) – Poezi nga Siti Ruqaiyah Hashim/ Përktheu në shqip: Ariola Jarazi Mani

Poezi nga Siti Ruqaiyah Hashim   FJALËT E GJYSHES (Për të ndjerën Hjh Haëa Bee) Kur isha e vogël E ndiqja gjithmonë gjyshen Kur shkonte në Pulau Pinang. Gjithë kohës më buzëqeshte Ndërsa më ledhatonte flokët E shpupuritura nga era … Continue reading

رائد الجشي / لا تسل شاعرا – اكرون شيلي نموذجا

لا تسل شاعرا – اكرون شيلي نموذجا   ترجمة: رائد الجشي – السعودية   إذا كنت تفتش عن الإجابات الصريحة عن الآراء الواضحة المباشرة التي يمكنك أن تتفق أو تختلف معها أوعن فلسفة وجودية أو تعريف منهجي أو سطور من … Continue reading