Autori Gjergj Nikolla publikon vëllimin poetik “PENTAGRAM NDJENJASH” me parathënie nga autori Ndue Shabaku

Autori Gjergj Nikolla publikon vëllimin poetik “PENTAGRAM NDJENJASH” me parathënie nga autori Ndue Shabaku

Parathënie

E dendur dhe me intensitet të fortë, si aroma e buqetës së luleve të freskëta vjen edhe prurja poetike e radhës e poetit Gjergj Nikolla. Vëllimi poetik “Pentagram ndjenjash”, me poezi tërësisht e thellësisht lirike, por si veçanti për lexuesin këtë herë autori vjen në stilin triolet. Vëllimi përmban 350 krijime të tilla, shumica të shkruara gjatë muajit maj 2019.
Në metrikë, triolet quhet poezia me formë fikse e përbërë prej tetë vargjesh të ndara në dy strofa. Zakonisht, ndërtohet me varg tetërrokësh, me skemë rimash ABaA/abAB. Vargu i parë përsëritet në vargun e katërt dhe të shtatë, ndërsa vargu i dytë përsëritet në vargun e tetë. Zakonisht, vargu është jambik, ku theksi tonik bie në fillim dhe vazhdon me intesitet në rënie. Autori ruan stilin në thelb, megjithëse në stilin e tij është antikonformist dhe i jep poezisë timbrin e tij personal dhe gjithë poetika e vëllimit ka konstante në rritje.
“Je mrekullie e tetë!” – proklamon poeti, duke iu referuar asaj që fal jetë. Por edhe vetë dashuria merr kuptim e jetës përmes njeriut. Është pikërisht ky njeri i dashuruar që vuan e përpëlitet, që përndritet e ekzaltohet nga ndjenja që vjen si një magji, në qendër të poezisë. Përmes pasazhesh të bukura poetike ndërtohen me zotësi portreti i heroit lirik dhe portreti i heroinës lirike, si përsonifikimi i ndjenjës së dashurisë shkrirë tek të dy.
Lexuesi do të ndeshë një hero që e adhuron për mënyrën se si e përjeton dashurinë, një hero që nuk ka asnjë pushtet mbi zemrën e pushtuar nga dashuria. I dorëzuar i gjithi, i duket se e dashura në sytë e tij është dielli vetë dhe i vetmi e prej saj vijnë fishkëllima ere si violina që magjepsin, kurse botës sikur i ndryshojnë ngjyrë e trajtë. Rrugëtimi i heroit ka vetëm një kahje; andej nga vjen sirena, nga vjen afshi, nga vjen drita. Ndonëse i kushtëzuar nga forca e përjetimit, përsëri heroi është aq dinamik, sa është i trazuar brenda tij. Kërkon me forcë t’ia shpuzisë shpirtin, të rrugëtojë mbi supe ere, të davarisë retë gri e të hapet qielli i vagëlluar.
Po aq i bukur e po aq joshës është edhe portreti i heroinës së poezisë së këtij vëllimi. Autori e përshkruan siç e përcepton heroi lirik që i referohet; “e teta mrekulli ti më je”. Për ta sjellë sa më të gjallë e natyrale, përdor me elasticittet fjalët, tingujt muzikor dhe ngjyrat dhe këtë e bën për të transmetuar imazhin e saj. Dy sytë e saj të kaltër si dy liqene, fytyrë shkëlqimtare të ndezur prush, buzët me të kuqtë e qershisë, me flokët si ari. Nga poetika merr gjallje një heroinë engjëllore, e sinqertë, që është jo vetëm robinë e ndjenjës, por edhe beson në dashurinë e vërtetë që vjen tek njeriu si vetëtimë në qiell të kthjellët.

Gjergj Nikolla

Në fermentin që provokon hoveve e ndjenjave dhe në sfondin e natyrës që njeh vetëm një stinë, portretizohet dashuria që shpesh e me vullnet ka fytyrën e heroinës si lulja që merret në greminë. Kjo ndjenjë sa AdamEva e lashtë ka trashëguar forcën edhe energjinë me efektin e nimfës. Ja si e shpreh autori me vargje; /më shpon tejpërtej me sytë/, /më gozhdon së gjalli/, /veç një ditë me ty, më fal tre jetë/, /me pasthirrma dehëse mbështjellë/. Poeti i jep ngjyrat më domethënëse portretit të saj. E kuqja (e ylberit), simbol i ndjenjës dashurore dhe kaltina, simbol i pastërtisë kristaline që purifikon shpirtrat që bashkëlidhen e hermetizohen të strukur në strofkën e saj si dy zogj kanorë. Kur dashuron, zemra bëhet gjysmë dhe e ka të pamundur mbijetesën pa gjysmën tjetër. Di ta shprehë bukur lidhjen mes dy partnerëve kur janë dy skajet e të njëjtit magnet; /tek ti shkrep, tek unë vetëtin/, /dielli e hija/, /unë flakërima e ti shpuzë/ … Me shumë përkujdesje autori luan bukur me personazhet kur janë në distancë. Përmes imagjinatës, figuracionit artistik dhe një epizmi të lehtë në tejsfondin e lirikës aktualizon këndshëm praninë tek njëri-tjetri /mbështjellë me një ëndërr/, apo përmes vuajtjeve na bën të nënkuptojmë valencën magnetike që ka ndjenja gjeneruese.
Autori ka individualitet të spikatur artistik dhe është mjeshtër me plot kuptimin e fjalës edhe në gjininë lirike. Përdor me shumë efekt gjithë gamën e figurave letrare e sintaksore, pa harruar neologjizmat që ky autor i sjell në të gjitha vëllimet e tij. Duke qenë se finesa gjuhësore është element me rëndësi parësore në lëvrimin e poezisë, poeti Gjergj Nikolla, i përkushtohet me vetëdije, profesionalizëm e përgjegjësi, por edhe me efekt stilistik. Me talentin dhe dhuntitë e tij krijuese, me vullnetin e mirë, me ambicien pozitive që na sjell në këtë vëllim poetik, lirika me vargje të stiluara këndshëm dhe me mendime të distiluara fiton një dimension të ri. Gjatë e pas leximit do të bjerë në sy fantazia krijuese, mënyra se si gjen detajet mbi të cilat ndërton poezinë, dhe me sa mjeshtri e elegancë ndërton trioletin në të gjithë komponentët. Janë plot 350 trioleta, të shtrira në një pentagram ku secila prej tyre është një këngë shpirti
Tematika e vëllimit është e përqendruar, siç u tha, tek ndenja e dashurisë, tek dy të dashuruarit. Eshtë fat që poeti preferon të pozicionohet larg së ligës, imorales, pabesisë, komercializimit, me një fjalë, kundër missfatit që persekuton ndejnjën dhe, në një farë mënyre, është akt-akuzë ndaj tendencës për ta vrarë këtë ndjenjë. Autori niset dhe realizon një peotikë të pastër, duke paraqitur para publikut artdashës pozitiven, të mirën, të arsyeshmen në sensin dialektik, prej së cilës burojnë e përligjen vlerat morale, emacipuese, shoqërore, kuptohet, edhe estetike, duke pasur si përbërës kyesor elementin dashuri njerëzore.

Ndue Shabaku

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s