Parathënie e vëllimit poetik “Sytë e mallit” të autores Hana Xhihani / Nga: Ramazan Hushi

Parathënie e vëllimit poetik “Sytë e mallit” të autores Hana Xhihani
 
Përmbledhja e re me poezi “Sytë e mallit” e poeteshës kavajase Hana Xhihani vjen tek lexuesi dhe nëpër bibliotekat tona mbas tre librave poetikë të saj, botuar kohë më parë : “Stinë jete”, “Ëndrrat nuk më pyesin”, si dhe “Kur malli më merr”. Është e kuptueshme që cilido shkrimtar, kur vendos të botojë një libër, synon që ky të shënojë rritje në krahasim me librat e tjerë që ka botuar më parë. Por, nga ana tjetër, edhe vetë lexuesi nga ky këndvështrim e gjykon botimin e ri. Kam mendimin që ky vëllim poetik i ri i Hanës, i krahasuar me vëllimet e mëparshëm të saj, shënon rritje, madje një rritje të dukshme në disa drejtime, për arësyet që do të mundohem të rreshtoj më poshtë.
Në këtë libër gjykoj që poezitë janë shkruar me një nivel më të lartë artistik e këtë e dëshmojnë figurat e shumta e të bukura artistike, të zgjedhura me kujdes, të larmishme dhe krejtësisht origjinale. Edhe struktara e poezive, ndërtimi i vargut, i strofës e i krejt poezisë përbën një risi me vlera në poezinë kavajase e kombëtare. Kur i lexon këto poezi, me forma të reja shprehjeje, në shumicën e tyre ndihesh i përfshirë në emocionet që ato përcjellin, i përjeton dukshëm ndjenjat që përçon autorja dhe ndihesh personazh, pjesë e padukshme e tyre.
Besoj se nuk është ndonjë çudi që kjo autore na jep radhazi katër libra me poezi lirike, mund të bëhen edhe pesë e më shumë. Poetesha e lashtësisë greke Safo, e quajtur nga Platoni “Muza e dhjetë”, krahas nëntë muzave të antikitetit, gati 2700 vjet më parë, botoi nëntë libra vetëm me poezi lirike, jo vetëm sepse aty gjeti vetveten, por gjeti dhe zanafillën e lindjes së njerëzimit. Kurse Hana Xhihani ka gjetur në këtë lirizëm botën e trazuar të ndjenjave, aq njerëzore e aq të pranueshme nga të gjithë. Është kjo arësyeja, që kjo poete, si rrallë poete të tjera femra tek ne, nuk ka ndrojtje të fshehë ndjenjat e saj më të holla, rrahjet e saj të zemrës, hovet shpërtërore, por i shpreh ato me kurajon safike, hapur, me naivitet e me çiltërsi për t’u pasur zili. Nisur nga kjo, mendoj që është krejtësisht në natyrën e saj guximi dhe çiltërsia në poezi ; çdo shtirje a sforcim, siç ndodh të lexojmë shpesh në poezinë tonë, do të ishte një hipokrizi. Nëpër vargjet e poezive më të mira të këtij libri ndeshemi me delikatesën e vërtetë, jo të shtirur të femrës, që është në fakt, veshja e saj e brendshme, intime, është pjesë e portretit të saj. Nëpër vargjet e këtij libri ka shumë dashuri, por edhe shumë melankoli, brenga, pikëllim e mall. Të gjitha këto janë pjesë e jetës tonë. Parë në këtë aspekt, poezia e Hana Xhihanit ka karakter thellësisht meditativ, por uni i saj poetik nuk mbetet i mbyllur në të ashtuquajturën “kullë e fildishtë”, ky “un” është me kahje nga lexuesi, kësisoj kjo poezi del nga kornizat e zakonshme të poetit me veten dhe merr formën e një bashkëbisedimi të ngrohtë, intim me lexuesin.
 
 
Hana Xhihani
 
Dy janë motivet themelore në këtë libër: dashuria dhe malli. Të dyja këto ndjenja, të vjetra sa dhe jeta, nuk na jepen si qëllim në vetvete, në penën e poetes ato ridimensionohen, duke marrë kështu përmasa jo të zakonshme: nga malli e dashuria e vogël, intime për të dashurin apo të adhuruarin, në dashuri e mall për njerëzit në përgjithësi, për njerëzit e familjes, për qytetin e lindjes, po ashtu, për atdheun, për jetën njerëzore etj. Ky lloj ridimensionimi e bën poezinë e saj më të afrueshme, më koherente. Prandaj gjykojmë që libri nuk mbetet thjeshtë një bisedë e poetes me veten, por bisedë me njerëzit, pikërisht me njerëzit e vendet që ajo i vlerëson dhe i do më shumë se gjithçka tjetër në jetë, me të cilët ka lidhur të gjitha fijet e shpirtit. Pikërisht gama e gjerë e figurave artistike, përpjekjet e saj për të gjetur forma të reja artistike shprehjeje, strukturimi i veçantë i vargut, strofës e i krejt poezisë, përpjekjet për të krijuar një stil të vetin, krejtësisht origjinal, konstatimi që në këtë libë të kësaj poeteshe kemi të bëjmë me një dorë e penë më të sigurtë, të gjitha këto dhe të tjera e bëjnë këtë libër tërheqës, të afërt e të pëlqyeshëm për lexuesin. Vlera e një libri nuk qëndron në atë, se sa ke hyrë ti në brendësi të librit e të thuash “më pëlqen”, por në atë, se sa libri ka hyrë në zemrën tënde, sa ka arritur ai të prekë telat e zemrës tënde. Vetëm duke e vendosur veten në këto raporte me librin, atëherë mund ta gjykosh më mirë atë dhe autorin e tij. Libri poetik i Hana Xhihanit “Sytë e mallit” meriton vëmendje e vlerësim të lartë.
 
 
 
Nga: Ramazan Hushi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s