Poezi nga Agron Tufa / Shkëputur nga vëllimi poetik “Aty te portat Skee”, Onufri, Elbasan, 1996

Poezi nga Agron Tufa

 

KËNGË DIMËRORE

Tek – tuk merr fund me ujëra e drunj
Fytyra jote thërmuar ndër valë.

Nga grykat e maleve si me sëpatë
Rrëzohen zanoret e një brenge të gjatë.

I shpleksa damarët të pijnë buzë lumit
Dhe fundin “s’më deshe” e ngushëlloftë gjumi.

Harrimi punon pa ngjyra në linjë
Me një dhimbje bjonde të mpiksur në brinjë.

Me qumësht e dritë përvëlon si rrëshirë
Fytyra që buzë s’më dha për të pirë.

Avitet dëbora si shpirt. S’pipëtin.
Nuk derdhem nga gota e mpirë që rrëzëllin.

Rrotullomë në ëndjen e ngrirë të gotës
O paqe e fytyrës së prapme të tokës

 

FLUTUROJNË E BIEN 

O kurbë vetmitare e natës –
kafkë e errët pikëllimi!
Shegët e plasura të yjeve
prehen si trú të lodhura ndër ethe.
Zbret nga malet thëllimi alpin
me aromë të athët dëbore
të heshtura rrymat shtyhen, rrasen e humbin –
popullata anonime në abanozin tënd të zi.
Dergjet madhështore platitja jote
e denjë të dëgjojë vajin e krijesave.
Fluturimet mbaruan. Drerë të përgjakur lëngojnë
në votërzën e brishtë të zemrës,
por është amvisë e mirë humbja:
mbjell e pabujë gjithkund
paqen e përbashkët të vajit.
Fryj, fryj sa më ëmbël
o ti polifoni mëshirëmadhe e dhimbjes,
jepmë shilarësin e mundësisë të përshëndetem
e pash më pash t’u bie
gjërave që s’i arrita.
Cikli mbaroi. Këmbanat le të bien
si të ishte nata e mbrame,
njeriu s’e bëri dot të mirë njerinë,
cikli varroset këtu – më tej është mania.
Si sfinksit i druhem mëngjesit –
gjethit të zi të ditës.

 

(Shkëputur nga vëllimi poetik “Aty te portat Skee”, Onufri, Elbasan, 1996)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s