Poezi nga Iliriana Sulkuqi

Poezi nga Iliriana Sulkuqi

 

NGRICAT…

{ Ca nga dimri, ca nga malli, ca nga dhimbjet fizike që i rregjistron shiriti i moshës…, ca më shumë nga largësia – po më ngrin edhe zemra.
Më ka mbetur besnike vetëm FJALA prej SHPIRTI ( që mund të deshifrohet NESËR)}.

 

ZINXHIRI” I UNAZAVE…

Unazë,
kordoni rreth fytit, në lindje…
Unazë nëpër rritje, unazë…
Unazë,
në gishtin e katërt të unazës
si pranga pa fjalë…
Unazë dhe irisi i syve, unazë.
Një varëse rreth gushës – unazë,
Unazë the rripi në mes…
Si “vath në vesh”, unazat e vëthëve…
Gjithë cikli i jetës – Unazë.

Unazë sumbullat e lotëve
nga dashuritë që udhëtojnë
në ikje pa rrethimin e unazave…
Unazë –
rretheqarkja e lugës
në Trahananë e Zyko Kamberit
që ende na mbeti si ngopje
në ciklin e tretjes
dhe mall në mërgime rreth botës-unazë…

Unazë – Perimetri i një tryeze
ku politika riciklohet
që kur lindi Fjala
në folëtoret e rrumbullakta,
nga kolltuqet e rënda,
ku ëndrrat u futën në pranga unazash…


Si ta shpëtojmë Shpirtin nga unazat…?

 

ASGJË – ja

( Fati,
nga vijëzat e prera të dorës,
kërceu mbi dallgë oqeanesh…
Fashot e dhimbjes,
zgjaten, zgjaten…)​


Asgjë në ardhje.
Asgjë në kthim.
Fillesë nga asgjë – ja
Asgjë në vazhdim…
Shumëçka trupëzohet,
çuditërisht, nga asgjë-të
si bosht rrotullimi
shpresë për gjithëçka-të…
Një dridhje mes buzëve,
një krah gjysmë hark
që zgjatet e zgjatet
e nuk prek asgjë…
Një fjalë e pathënë
si kod i gjithëçka – je
rri kyçur pa frymë
mes thesit të fjalëve…

 

STACIONI I FUNDIT …

– sipas Horoskopit tim –

Çdo molekulë e trupit tim
më është stacion dashurie,
ku fërfëlitet një thëllim,
ku djeg një diell xhelozie.

Çdo molekulë ka një shpirt,
të gjitha bashkë më bëjnë mua.
Më thënka Horoskopi flirt:
“Të rrotulloj, sa herë dua”.

Ç’më thënka Horoskopi im:
“Po kush je ti, që s’vjen ku dua?”.
I them: “ jam përvëlim
nga rrotull – boshëzat e tua.

“Ëndrrat pa fre me ty përzieva,
unë pikë shiu mbi një re.
Nëse gjithë botën e gënjeva,
tek ty përulem pa bërë bè.

Se të vjen dimër në behar
dhe në korrik breshon një breshër,
po ç’faj të kam që si i marrë,
të sillem rrotull si i verbër.”

I them sërish me gjuhë shkence:
“Ndalu këtu, ku po mbyll sytë,
m’i hiq nga shpirti pranga e leqe,
bëma një fjalë satelit…”

Dhe prap i them me gjuhë fëmije:
“Po Aladinin, a ma ke parë?
Shetit si ty, n’qiell me yje…
Si ty premtoi të më marrë…”


Çdo molekulë e shpirtit tim
më është stacion i dashurive…
Por veç të fundit përdëllim
ma sill, t’ia shkul gardhet kufijve…

 

Tepër vonë … Tepër shpejt

( Nata ime/mbeti atë natë
në shtrat pa shtrat…/në dy silueta/
shpinë më shpinë,/Lindje – Perëndim…)

Tepër vonë
m’u lind Dielli.
Tepër vonë
më erdhi Mbrëmja.
Tëpër vonë
të shkrijë çka ngriu.
Tepër shpejt
të mbes ku mbeta.
Tepër vonë
për të fituar.
Tepër herët
të them: Humba.

Iliriana: – 4 poezi për katër stinët- dimra, në Kohën – Sot.
Brooklyn, NY , Shkurt, 2020

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s