Poezi nga Sevëme Fetiqi

Poezi nga Sevëme Fetiqi

 

KAPITUJT E JETËS

kapitulli i parë

(kur u linda, linda me një shenjë në ballë)
plagët i lidha dhe i shërova vetë,
e shenja e ballit nuk mu zhduk kurrë
vetëm sa m’u rrit më shumë (1961)

kapitulli i dytë

më mbetën dy duart e zbrazta
e një fëmijëri pa prehër (1973)

kapitulli i tretë

mësova se njeriut
fryma i zihet
kafshata i mbetet në fyt
fjala i mbetet pa thënë
pa liri
e ai vdes i buzëqeshur
për të (1981)

kapitulli i katërt

ndarjet janë më tragjike
se vdekjet
rrugëve të përhimta
më nuk u ngjalla
jetova vetëm në ëndrrat
e kthimit (1992)

kapitulli i pestë

më burrëri është
ta falësh gjakun
se ta luash lakun
edhe kur në zemër
dhembja nuk pushon (2000)

kapitulli i gjashtë

e mbajta
në palcë të netëve të vetmuara
peshën e viteve te harxhuara kot
ia fala prap zhgënjimit ( 2007)

kapitulli i shtatë

e ktheva
fytyrën kah Dielli
që të ngrohen fëmijtë e mi
me Rrezet e Tij ( 1984, 1996, 2000)

kapitulli i tetë

vdekja do t´më shpëtojë nga vdekjet
në të vërtetë e di se s´do të vijë me errësirën
më mësoi se ka vlerë të jetohet
(jeta është e ëmbël edhe me vdekjet e njëpasnjëshme) (jeta…)

( e gjetur rastësisht në ditarin tim të vjetër, e shkruar në një letër zbehur në vite)

 

VAZOJA ELEGANTE

(fjalët e rinisë që ikin nga atdheu)

Iu thafshin duart atyre
Që na këpusin pa mëshirë
Na ndajnë nga kopshti i shpresave
Mendojnë se është hijeshi
Në vazo elegante
Të bëjsh jetë triditëshe

Pastaj kur thahemi
Na hedhin në erë
Herë- herë fshehtas
Ruhemi me vite
Në mes faqeve të një ditari të vjetër
E zbehemi si limoni
Së bashku me fletët e tij
Aty ku është harruar
Një dashuri e dështuar

Mos na këputni
Mos na largoni fytyrën prej diellit
Mos lejoni etja të na kaplojë

Vazoja është mashtrim i bukur
Ku vdiset me mall
Për një kopsht pranvere
Dhe ngjyrat e tij.

 

vargje çasti dhe malli

Te mjeku i syve isha
Me tha sytë t’u kanë tharë
Ke lotuar shumë
Mos loto më
Mjaftë kanë rrjedhur
Kristalet faqeve

Çuditërisht
Ma shkroi ilaçin
Lot artificial
Së paku të mund të ringjallen
Dëshmitarët besnik të shpirtit
Për t’i dëshmuar betejat e dashurisë
Që ndodhin fshehtas në brendësi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s