Poezi nga Sokrat Habilaj

Poezi nga Sokrat Habilaj

 

TRISHTIM HËNOR

Të mirat gra, që kur doni një burrë,
Fisnikërisht, e ktheni atë në baba.
Ndodhë që dhe u godasin me gurë,
Ju godasin, burrat që keni në krah.

Të mirat gra që zbrisni yjet poshtë,
T’i ndizni në shtrat kur jepni veten.
Ndodhë t’ju tundin në dorë si gotë,
E pastaj ju flakin, sa shuajnë etjen.

Të mirat gra, që vraponi me ngutë,
Kur pritja ju drithërohet në mjekër.
Ndodhë që u përdhosin:-Prostitutë,
Prisje mua në portë, apo një tjetër!?

Të mirat gra që lini pas dhe mëritë,
E prapë jepeni duke mbytur inatin.
Ndodhë që dhe në shtrat zënë pritë,
Pasi zgërlaqen, me plumb u vrasin.

Të mira nëna, mos harroni, së pari,
Kur të shihni djalin që u burrërua.
T’i thoni se do ngriheni nga varri,
Që ta pështyni, nëse vret një grua.

 

SHKRUAR NË MESNATË

Sonte mungesa ime, e kthyer në terr,
E mallin tënd e mbështjellë në frikë.
Ngrihesh, çelësin rrotullon dy herë,
Ja mbyllë shtegun dhe syrit magjik.

Ndoshta sonte ndihesh shumë grua,
E perdet i ulë, mos të të shoh njeri.
Mbushë dy gota, për vete dhe mua,
Krahun harkon në kolltukun përbri.

Mbase trishtohesh,mbase dhe qanë,
Kur krahu i shtrirë, këputet në mes.
Mbase më qorton:-Kur ishe pranë,
Pse nuk më mësove që të di të pres?

Ndoshta mendon një ëndërr të keqe,
Përgjumur, pranë një kolltuku bosh.
Se mos vijnë net, që do jesh e vetme,
Në një tjetër kohë, a në tjetër moshë?

Ndërsa e ke ditur, se të them çdo gjë,
Të mbajta të fshehur ca gjëra të tjera.
Ktheje kokën pas, do dëgjosh një zë,
Ç’të flisja për ndarjet!? Ja ku erdha!

Fluturat mbi fustan, harlisen me ojna,
Dhe ti mbi supe më mbështetë kokën.
Në shtrat të përtypë fjalë, a shkronja,
-I çmendur im, ke lënë hapur portën!

 

REKUJEM PËR TË TRE

Ne ishim tre miq, sot s’është asnjë,
Dy të parët!?Ikën në dhè, si të tjerët.
I treti!? E pse më pyesni kot për të!?
Mes të gjallëve u varros, më herët.

Ne ishim tre miq, sot s’ka më njeri,
Dy të parët!?E lanë diçka nga vetja.
I treti!? Duke i bërë vdekjes dredhi,
Mbeti skelet që se do më, as vdekja.

Ne ishim njëlloj, po nuk ikëm ashtu,
Dy të parët!? Kube e kthyen mallin.
I treti!?Endet pllajave, endet kuturu,
T’u tregoj të gjallëve ku e ka varrin.

Ne ishim tre miq, dhe ikëm si cinikë,
Dy të parët!?Ikën pa ndjerë asnjë faj.
I treti!?Nga që ikjen e mori me frikë,
U dënua për ta, dhe i vdekur t’i qajë.

Ne ishim tre miq, veç s’patëm një fat,
Dy të parët!? Janë më mirë, nën dhè.
I treti!? Të gjallët e baltosin me baltë,
Ne ishim tre miq, dhe ikëm të tre…!

 

SHKRUAR NË KOHË TË NDRYSHME

Paska qenë burrë i trishtë im atë,
Shtatë herë, shtëpinë e ka ngritur.
Shtatë herë, ka shtuar nga një kat,
Shtatë herë, prapë e ka prishur!

Shtatë herë iu gremisën tërë vitet,
Shtatë herë e ka gjakosur buzën.
Shtatë herë, gulç iu kthyen ikjet,
Shtatë herë s’deshi ta shoh udhën.

Shtatë herë u deh veç me një teke,
Shtatë herë ka thënë-Në djall truri!
Shtatë herë, u ngashërye për vete,
Shtatë herë i është turpëruar burri.

Shtatë herë si gur, ngriu në portë,
Shtatë herë lutje:-Do ju pres gjatë?!
Shtatë herë nuk foli, si flas unë sot,
Biri im,paska qenë i trishtë im atë!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s