Poezi nga Mimoza Çekiçi Rista
NË DITËN TËNDE
Se bëra zërin të kumbojë,
se gjuhën goja kish gëlltitur,
se s’ folka dot një e pagojë
ndaj s’ erdhi dot urimi i pritur.
Po si m’i vodhe ata sy,
që zbardhnin terrin skaj me skaj
Unë natën ndizja me zjarre yjsh
s’ kam sy të qesh, as dhe të qaj.
BAJAMES
Mjaftoi një rreze përmbi të
ajo të çelë si pa u ndjerë,
të veshë një fustan të purpurt
dhe të shpërndajë ngado pranverë.
Kur e përgjoj që prej së largu
me bukuri që m’i merr sytë,
më meken fjalët edhe vargu
një mrekulli që s’ka të dytë.
Ti vajzërinë shpesh më kujton
të moshës lule, trill e gaz,
ndërsa shëtisja qytetit vonë
dhe djemtë me sy më ndiqnin pas.
Të mbaj në dorë të ledhatoj
ku shkuan vallë stinët e mija?
Këtë askush s’do ma tregojë
ndaj psherëtij nga nostalgjia.