AMANETI I POETIT / Poezi nga Bardhyl Londo

Posted on February 18, 2020

0


Poezi nga Bardhyl Londo

 

AMANETI I POETIT

Nëse sytë e tu do qëndrojnë të menduar mbi këto vargje,
unë do të shoh një ëndërr të bukur.

Nëse sytë e tu do të dridhen sadopak nga këto vargje,
unë i gjithi do të kumboj si një kitarë
deri në agim.

Po nëse sytë e tu do të kalojnë indiferente mbi këto vargje,
atëherë unë do të kem vdekur…

Mos harro të vish në varrim.

Posted in: POEZI