QARKULLIMI I MIRËSISË / Nga: Zija Çela

QARKULLIMI I MIRËSISË

 

Nga: Zija Çela

Një pasdite më erdhi në messengerin tim ky tekst: “Dua të them se në romanin “Lavjerrësi i Qytetit” është pikturuar Shqipëria në një pëlhurë me të gjitha ngjyrat nga një pendë që di të krijojë personazhe origjinale, të cilët me lojën e tyre na zbërthejnë një realitet që mjerisht është i hidhur. Orwelli shqiptar Zija Çela me “Lavjerrësin e Qytetit” i jep vulën kohës, duke e ngritur letërsinë shqiptare në nivelin e letërsive evropiane dhe botërore.”
“Heu”, murmuroj nën zë, “kush është ky lexues entuziast që, pa e merituar, më paska ngritur vrullshëm deri në qiellin e shtatë?!” Por, më parë, cili është miku që ma dërgon në messenger dhe pse ma dërgon, përderisa teksti nuk mban firmën e tij?
Njoftimi më vjen nga Agron Shele. Se pse ma dërgon, përgjigjja është e qartë, i nxitur nga mirësia, pasi ne as që e njohim nga afër njëri-tjetrin. Agron Shele nuk ka dashur ta mbajë kënaqësinë vetëm për vete, por ka dashur ta ndajë me shkrimtarin. Prandaj, pak minuta më pas, më dërgon edhe tekstin e plotë të këtij linku.
Shoh se autor i recensionit është Safet Hyseni, gjithashtu mik në Fb, por u takuar gjithashtu asnjëherë. Me gjasë, Safet Hyseni ka përjetuar atë gjendjen e veçantë, që e përjeton çdo njeri herë-herë. I ka pëlqyer libri, ka dashur t’i shprehë një mirënjohje shkrimtarit dhe pastaj ka menduar: E përse të mos ua bëj me dije mirënjohjen time edhe të tjerëve?! Dhe s’e ka lënë t’i ikë çasti, as t’i ftohet gjendja. Është ulur menjëherë për t’i shprehur mbresat me shkrim.
Po si fillon reçensioni i tij? Kështu fillon:
“Buzë Misisipit lexoj faqet e fundit të romanit “Lavjerrësi i Qytetit” me autor Zija Çelën. Janë ndodhitë e fundit dhe unë nuk arrita të mbaj shënime, kjo nuk është në natyrën time, por ndodhi. Pyes veten si ndodhi. Thjesht më rrëmbeu dhe më mbarti shumë shpejt nga faqja në faqe dhe ja fundi. Nuk di çka kërkoja, por qetësi nuk gjeta, personazhet dhe ngjarja më futën ethet. Jeta ne shqiptarëve na barti gjithkah dhe mjerisht është libri i parë që lexoj nga mjeshtri i madh Zija Çela. Dhe kjo është meritë e zonjushës Liza Brozi, që me postë më dërgoi dy romanet e fundit të shkrimtarit. Unë nuk jam kritik, por dua të them përshtypjet e mia…”
Stop këtu, sepse i doli emri një mikeje tjetër. E pra, vetvetiu më duhet të bëj një theksim. A do ta lexonte “Lavjerrësin” Safet Hyseni, nëse Liza Brozi do ta mbante kënaqësinë si lexuese vetëm për vete, pa e ndarë me një mik që jeton në një kontinent aq të largët?!
E di se përgjigjen tashmë e japin vete lexuesit e këtij statusi. Ndërsa unë po shtoj dy fjalë. E tillë është mirësia, i tillë reaksioni zinxhir që shton qarkullimin e saj. Mirësia kalon nga zemra në zemër pa lypur donacione dhe, natyrisht, pa ngarkuar askënd me kredi.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s