Poezi nga Sabit IDRIZI
POLITIKANËT
Ata i bëjnë të zezat e dynjasë
Mua shkon e m’krijohet njëfarë ndjenje e fajësisë
Për turpet e tyre të përditshme
Shkoj e skuqem si spec
Po më dhimbsesh ti atdhe
Se le të shkojnë në dreq…
TË MERR LUMI
Kur të merr me të mirë djalli
duhet të dish t’i marrësh,
të dish t’i lexosh drejt mesazhet,
përndryshe,
s’mund ta zgjedhësh as lumin.
RRUGËT
Gjithmonë ka patur,
ka
dhe përherë do të ketë rrugë.
Çështja është se cilën ta marrësh,
ku do të arrish
dhe përse
Nëse ec e ec e ec
dhe nuk arrin gjëkundi
të mos i fajësosh ato.
TA VRAS PIKUN E NATËS
Kur ma qëndise mëngjesin me cicërima zogjsh
e m’i fale do horizonte të ëndërrta
thashë kurrë s’do të më sosen rrugët.
Por s’ vonoi shumë e ma përplase mesditën
me krejt flakët e rrufeve
e ma dogje flladin.
Po i dhé udhë këtej edhe mbrëmjes
dije se kurrë nuk të lëshoj
pa ta vrarë pikun e natës.