Poezi nga Syrja Kurti

Poezi nga Syrja Kurti

 

Mos e bëj

Nëse do të më dëgjosh mua
mos e lexo më horoskopin
( në fakt e di që nuk e lexon përditë por mos e bëj fare)
se më duket që njerëzit si në një rit pagan të pakuptimtë
nëpër detin e kohës
ndjekin një shpresë të vagëllimtë
e spirancën e shpëtimit aty kërkojnë më kot,
mos dëgjo as broçkullat e astrologes me ritmin e saj monoton
që për yjet flet si të jenë zjarre
ku endacakët duart ngrohin sikur në një dimër të thëllimtë
dhe frikërat për ditët e ardhshme nuk i heqin dot .

Nëse do të më dëgjosh mua
as filxhanin mos e kthe për të parë fatin
se nuk është që do të marrësh vesh ndonjë gjë
por as mos kërko ta shohë ndonjë tjetër
se do ia fusë më kot se ty duke të thënë
“një siklet ke”, “një udhëtim do të bësh”,
“i dashuri një tjetër të ka zënë
dhe më duket se nuk të do më”,
mos shko as tek ndonjë zonjë që shtie fall me letra
me bathë, me fije floku,a me vijat në duar
se të gjitha rrugët e fjalëve në fund do të bashkohen në një
si disqet e një grafamoni që koha aty e ka harruar
dhe që përsërit papushim refrene këngësh të vjetra.

Nëse do të më dëgjosh mua
mos u lodh të gjesh se çfarë do të ngjasë
as mos ndiq më kot vagonat e trenave të kohës që rrëshqasin
duke shkuar në kahe të kundërt
për të udhëtuar bashkë të gjallë e të vdekur,
se nuk do të mundesh të dish si do të shkojë rrrugëtimi i gjatë
as me ndihmën e fallxhoreve që vetëm flasin e flasin
duke mos thënë asgjë të saktë
nëpër shekuj
por shko në krevatin ku fle dita nga gjumi për ta shkundur
dhe me duart e bardha të shpirtit përqafoje agimin e ri duke qeshur.

 

Më kot

Si Diogjeni eci nëpër ditë me fener në dorë
duke kërkuar labirinteve gjurmët e humbura të shpirtrave,
por ndoshta përpiqem kot ,
se më duket sikur ky vend ka mbetur pa shenjtorë
që s’ dihet ku janë fshehur,
trembur nga nisja e sezonit të gjuetisë së shtrigave.

 

Ikje

Une do të vdes para teje
mos më shih e habitur për këto që them
as mos më pyet si e qysh por e di që do të vdes,
ashtu si nje peshk i lodhur në zallin pa ujë të lumit
dhe duke pasur brenda vetes portretin tënd besoj se do të jetë një vdekje e bardhë
por megjithatë do te lutesha edhe për diçka të fundit.

Ajo që po të kërkoj është që të mos më varrosësh pranë një fajdexhiu
mos më varros as pranë një kleriku
as pranë dikujt që nuk ka belbëzuar asnjëherë për dashurinë,
që nuk ka kënduar kurrë një këngë sikur edhe si vajtim
që nuk është dehur të paktën njëherë
që nuk e ka sharë Zotin dhe botën për mbrapështitë e liga të saj
sikur vetëm njëherë me një mallkim.

Prandaj më gjej dikë
që të përhumbë me mua shpirtin në perëndimin e diellit
kur era mundohet të ngrejë lart kokat e barit të shtypur
nga këmbët e ndonjë vizitori të vetmuar.

Nëqoftëse nuk do të mundesh të më gjesh një të tillë
e do të kërkosh të më më ngushëllosh me ndonjë asnjanës
më mirë mos e bëj,
sepse të them të drejtën asnjëherë nuk më ka pëlqyer si sillen
ndërsa morali i tyre më është dukur gjithnjë i dyshimtë
dhe nëse ferri ekziston të garantoj që atje e kanë vendin
bashkë me neutralitetin e tyre të pakuptimtë.

Nëse deri në fund askënd nuk do të mundesh të më gjesh
lëre më mirë gropën bosh,
(megjithëse mos harro t’i paguash diçka nën dorë varrmihësve për lodhjen)
por aty mos më fut sepse është e kotë t’a bësh
as mos ma shkruaj emrin mbi gur,
sepse po të tregoj që në atë vend nuk do të jem
dhe ti mos hajde fare të më vizitosh
se do të kem ikur e do të jem tjetërkund
duke kalëruar tufa ëndrrash të kaltërta.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s