Poezi nga Kostandin Vogli

Poezi nga Kostandin Vogli

 

SHOKUT TË FËMIJËRISË

Trazoj dallgët e ajrit,
Gërmoj hapsirën,
Nga kurrizi i Shëndëlliut do të rrokullis kujtimet
Të të dëgjoj edhe një herë zërin.
Aromë prronjesh më vjen nga qielli,
Aromë lulesh, shkurresh, pemësh, rrugicash.
Aromë e rrapit të madhërishëm ku luanim.
Aromë e maleve,
E fshatit që e doje aq shumë,
Aromë e shoqeve, shokëve.
Aroma ime
E shokut tend me pirje gjaku nga gishtat në kishë.
Ato ke marrë me vete.
Por kufiri është larg
Orët punojnë vetëm në tokë.
Hapsira lundron së bashku me ju.
Jehonat janë shteruar,
Shtërpuar si burimet në verë.
Fërfërimat e pemëve na ftonin
Kerkonim muzgun,
Përkëdheljen e hënës.
Dhe fërkonim dhimbjet e ditës që lodhëm,
Nëpër muret e fshatit të djegur.
Ah shoku im,
Shpata e hijeve jetëmarrës
Na këputi shiritin e lumturisë.
Ngre kokën lart
Të dalloj sytë e tu të xhamtë,
Flokët e verdhë,
Fytyrën tënde të bardhë,
Si qumështi i deleve të tua.
Rreze drite m’i thyen qepallat.
Malli më ktheu vite mbrapa
Ku luanim rrëpirave me këpucë të shqyera.
Ditët kalonin të thjeshta
Me kujtimet e ëndërrimet.
Pemët janë mbarsur. Dardhat, kumbullat.
Qëngjat vrapojnë të kërkojnë hijet,
Rreth vathës i shtiu reflektimi i diellit.
Xixëllonjat i bënin trupat tanë fluoreshente.
Apo kërkon shiun e marrë
Që kërciste strehëve të llamarinave.
Fshehurazi të rrëmbenim nga një fetë bukë
Dhe të vraponim me ullinj në duar.
Ato kërkon shoku im i fëmijërisë?
Jo !
Ti je në amshim.
Shpirti yt më sheh mua.

 

ZËVËNDËSOHEN NGJYRAT

Në ditët që nuk kisha prehje,
Këputesha si gjethja.
Por dikush do zgjaste dorën në rënie
Dhe kredhje në ëndërrime.
Si pylli pa ujë frymoja
I ngeiur dhe pa zogjë që shkuan,
Cicërimat nëpër udhë.
E verdha zëvëndësoi të kaltërtën,
Më vonë ngjyra gri të verdhën.
Kur zvogëlohet dita
Dhe jelet e kalit të bardhë
Të valviten anës së detit të tërbuar.
Dimri kërrusur lëkundet nga era,
Që ka vënë kujën.
Pres që të rikthehen cicërimat,
Kur jeshilja të zëvëndësoj grinë
Dhe të gjallërohet pylli.
Zjarri i muzgut ngrohu horizontin xanxar,
Me shpresë vrojtojmë shkumën e bardhë,
Që anija në rikthim lë pas.

 

ISHIN NDEZUR YJET

Ku lind dielli e hidhja shikimin
Që rrezet të mos vinin të fikur.
Isha si gjethe e ndrydhur,
Sepse muajt e artë ishin mbytur.
Mua të uriturit të bukës së thatë
Më mungonin edhe thërrimet.
Ishin kohë të strukura në të verdhë,
Të mbarsura nga epshet e pa ndrojtura të hijeve.
Gri e copëzuar shëtit shtigjeve,
Të përshkruaj nuk jam në gjëndje.
Trupat tanë të shkundur,
Lotët e krypur ta shtojnë etjen
Dhe barku i uritur nuk ndjen ngrohje.
Aromën e pranverave me ankth i prisja,
Të më thërmonin kujtimet.
Do të mbaronte me mua një ditë historia,
Kotësia e orëve të ankthit
Do të zbërthehej.
Unë shkallët e zbritjes përsëri do t’i ngjit
Dhe do me hapet porta.
Në korniza muresh të rrëzuar lash stamposur filmimet.
Mure të rinjë tani drejt ngritjes
Dhe mua,
Askush nuk do të më prekë.
Nata është e qetë pa rënkimet,
Se ishin ndezur yjet!

 

DITA RËNKOI SA ISHIN SHUAR YJET

Ti, o Durrës, që të thërrasin plak,
Sa tragjedi ke parë që nga mjegullnaja,
Sa termite të kanë rrënuar,
Sa kocka njerëzish ke mbuluar,
Se vlon brënda teje
Energjia e pa shteruar.
Dihet se cili prej tyre ta prishi bukurinë,
Që ta mbuloi freskinë
E atij arti të shekujve të thellë.
Asaj kulture të trashëguar
Dhe nën gërmadha të fshehur
Me gjak mbrujtur si këtë Nëntor.
Të tërmetit të pa paramenduar
Që erdhi i zverdhur,
Me pemë të zhveshura.
Njerëz plot, rrugëve të alarmuar,
Shikonin si formoheshin pirgjet me rrënime,
Nën erën e ftohtë të natës krehur,
Që kuis çative të shkrehura.
Shikonin prapsinë e papritur që solli fundvjeshta,
Nuk e prisnin që agimi i asaj dite,
Që filloi e mbrapshtë,
T’i gjente jashtë shtëpive të ngrohta,
Duke përshkuar shpirtrat në sfilitje.
Dita rënkoi sa ishin shuar yjet
Të shëmbur pallatet shikonin të tmerruar
Kur pasmesnata sekontat numëruar
Dhe tmerri rregjistroi ulërimat.
Dikush i pa që Hëna e trembur u largua
Dhe yjet u fikën të tmerruar,
Planetet po fshihnin njeri- tjetrin
Dhe ëngjëjt që numuronin trupat,
Por dot të pa fajshmit nuk i shpëtuan.
Zëri mëngjesit nuk u prit të zgjohej nga gjumi.
Pasmesnata e kishte zgjuar
Dhe numuronte të ikurit që skuqën rrënojat
Në misterin e natës pa aguar,
Ku u prekën në thellësi indet e tyre.
Ata që panë, e prishur fytyra,
që s’ mundë të përshkruajnë.
Dhe ata që rrëmonin gërmadhat me thonjë,
Dhe ata që nxirrnin me jetë nga rrënojat,
Se çfarë panë e dëgjuan
Nën ato betone keq të gatuar,
Që si prej hiri u shkërmoqën.
Dhe njerëzit ju drejtuan zotit.
Ç`na bëre!
Por unë e dëgjova vet kur u përgjigj:
Mos më ngarkoni me faje.
Unë kam dhënë natyrën dhe tokën të jetoni.
Shpesh herë
Nga papastërtitë i pastroj dhe jashtë i hedh.
Ndërsa ju shqiptarët ndërtoni me to betone.

 

KOHË E SHKUAR

Shtëpia e fëmijërisë
Aty notonte malli i dridhëruar.
Kërkoja kthimin e kohës,
Tek portat e shpirtit.
Gërmoj ndjesinë time
Të gjej fjalët enigmatike.
Në netët e ftohta dimërore
Vetëm në krahët e gjyshes e gjeja paqen.
Ajo ishte rrahja e zemrës sime.
Shpirti i saj,
Si mbështjellëse e kokrrizave të shegës.
Pak dridhërues,
Si zog delikat kur më perkëdhelte.
Por ajo
Kishte një shpirt shumë të guximshëm.
Më zgjonte nga ëndërrat e frikshme
Dhe unë në atë fytyrë të rrudhur mbështesja buzët.
Ajo frymonte e lumturuar.
E ndiente veten në krahët e trandafilit,
Se mua më quante trandafil.
U ndodha pranë oxhakut të nxirë
Dhe zhbirova në thellësinë e viteve.
Mu fantazua flaka e vatrës
Në çengel varur
Një kusi e nxirë nga rrahjet e tymrave.
Gurgullonin fasulet brënda saj.
Me një lugë druri,
Disa kokrra m’i hidhte në vatër.
Unë i merrja me gishta.
Më digjnin. Edhe gojën.
Dhe gjyshja përsëri më hidhte,
Pa çka se në kusi më shumë ujë kishte.
Në prehrin e saj të butë,
Me të ashprat duar më ledhatonte trupin
Dhe më këndonte një këngë
Ku nga Vrgjet e saj buronte malli
Mbi zemrën time pesë vjeçare
Dhe ngjethej lëkura ime e bardhë.
Ishte pak ezmere gjyshja ime
Me një fytyrë të hollë, të dobësuar,
Ku i rëndonin më shumë kokallat dhe lëkura,
Por kullonte ëmbëlsi dhe dashuri.
Zakonisht e heshtur, por me mua këngë,
me këngë yetësonte dhimbjen e rrobave të zeza,
Por bënte durim,
Për dy djemtë në internim dhe tjetrin partizan.
A ishin të gjallë?
Edhe vetë kishte luftuar në malin e bardhë.
Nuk i trembej vdekjes gjyshja ime.
Në këmbë qëndronte,
Të ngulura në tokë si Pani.
Si ai dukej me putrat e mëdha,
Se ashtu i kanë gratë e fushës e të malit.
Atë këngë vaji më këndonte.
Me mua harronte dhimbjet e urinë.
Ndiente fluturimin e aromës së ullinjve,
Ishin nxirë, por kush t’i shkundë?
Vetëm kakarisja e pulave copëzohej në plasaritjet e dritareve.
Gjyshes ato zhurma ja ngrohnin ajrin e ftohtë,
Që përplasej
Në kollonat ku vareshin vergjet e misrave.
Dhe shikimi tretej midis hapsirave bosh.
Dhe i ngrinte lotët brënda qepallave
Të njomte të zezën e syve.
Pritja dhe mungesa e lodhnin.
Pas pak do hanim të gjithë fasule,
Me bukë misri të thekur
Dhe një kokërr qepë të shqepur.
E ku kish më mirë
Gjyshja ishte rrahja e zemrës time.
Kur nisesha në rrugën pa kthim,
Nuk më linte të bëhesha pre e ferrit.
Kaq solemne e mbushte këtë ajër.
A ma shihte ajo shpirtin tim!
Me rrahje të forta e falnderonte zemra ime.
Ajo këndonte me melodinë e saj,
Unë mendimet nga qielli do t’i kthej.
Do t’i zbres nga Shëndëlliu dhe Mali i Bardhë.
Ato janë malet tona.
Tek dhoma e zjarrit,
E vatrës së dëshiruar.
Qëndroja në këmbë përball saj.
Kërkoja gjyshen.

 

VIBRIMET POETIKE TË PROZATORIT KOSTANDIN VOGLI

Në të 12-të poezitë e këtij cikli keni një krijues që në këtë përmasë nuk e keni parë. 79 vjeçarin Kostandin Vogli e keni njohur deri tani si fabulist, tregimtar dhe romancier. Ka shkruar edhe poezi, është përfshirë në librat e botuar për Muzgun nga poeti dhe botuesi Mark Simoni, në portale dhe gazeta të ndryshme, por si poet në këtë cikël të plotë unë që e kam ndjekur me vite dhe kam redaktuar shumicën e librave të tij, nuk e kisha njohur më parë.

 

Dr.sc. Bardhyl Maliqi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s