Poezi nga Ekrem Ajruli
GJUHA IME
Gjuha ime
gjuha shqipe ron sa malet…
gjuha ime shekullore është lumë
që në shekuj as shteret as nuk ndalet.
Gjuha ime
gjuha shqipe është perlë,
ndaj me ari kurrë nuk matet.
S’është gjuhë ogurzezë, gjuhë gjarpri
E ardhur natën tinëzisht…
pas Rodopeve nga Karpatet.
SHTEGTAR
Shtegtar ndër mote, në jetë shtegtar
S’fashitet durimi në këtë mot skëterrë
Në dekada mbaj peng një amanetfjalë
Ndër vite uji s’ma tretë as dielli s’e terë
S’më duhet e kaluara me lot e pikëllim
Burrërisht i këndoj sot ditës së re
Ja, dallëndyshet vijnë e sjellin gëzim
Dhe mbi vargun tim le të ngrenë fole
Ndaj lotin tënd s’ka pse ta pijë sorra
Është lot i bekuar, është melhemvragë
Aty, mu aty ku pikon, sot çeli lulebora
Në buzëqeshjen tënde s’ka vend për plagë.
ALARM
Kollitet, dridhet GLOBI
ka ethe zjarrmi…
Sylugatët alarmojnë
Kujdes! është pandemi
Nga erdhi vallë
kush e di!?
Vërtet fajtorë janë shtazët…
apo e polli si çdoherë
përbindëshi-NJERI
Kahdo e kudo:
seanca, kongrese, debate
vampirë në frak të zi…
Lëvizin institute, klinika, qeveri
Gripi (H1N1)
shpikje e derrave…
SURRATNJERI!!!
Ferri i Dantes, sot mbi tokë.
DO T’I THEM DY FJALË…
Do t’i them dy fjalë moj mike
Thjesht për hatër miqësie
Mos lakmo kurrë dy karrige
Mos prano lojëra djallëzie
Butaforia dhe do lëvdata
Përkohësisht të verbojnë sytë
Dhe në t’dhënshin dekorata
Jo! s’do ngjitesh te perënditë
Sado lavdata të të joshi
Mos mendo se t’shton nderën
Buzëpërveshja e një sysarhoshi
Shpirtit çiltër ia mbyt vlerën
Kur lëvdata nis venitet
Për pendimin bëhet vonë
N’vend të lules që ti vadite
Nis e çelë një madërgonë
Ikën dimri e vjen pranvera
Bari i ri prapë nxjerr kryen
Po miqësia i ka do vlera
S’ngjiten prapë po u thyen
Porsi teli është miqësia
Dhe në e këput e lidh sërisht
Po s’i kthehet dot ngrohtësia
Se një nyjë të zë në gisht.