DALJA PËRTEJ DHIMBJES (Timo Mërkuri: “ANATOMIA E LOTIT”, poezi të zgjedhura- 2008) / Nga: Xheladin Mjeku

DALJA PËRTEJ DHIMBJES

Timo Mërkuri: “ANATOMIA E LOTIT”, poezi të zgjedhura- 2008

Çdoherë kur lexojmë diçka nga krijimtaria letrare e Timo Mërkurit (1955), nuk mund të ndalojmë pa e “shterrur” gjithë lëndën tekstore që kemi para vetes, pavarësisht në cilin zhanër të krijimtarisë letrare është ai shkrim. Por, e veçanta e kësaj që na preokupon në masë është “Anatomia e lotit”, një paraqitje prezentative e krijimtarisë së tij poetike, që e kemi në shqyrtim, meqë këtu e gjejmë të veçantë, si një meteor që rrezaton në kohëra e situata të ndryshme me vargun dhe peshën e fjalës, deri në plotninë e kuptimit dhe mesazhit, me frymën e dashurisë për të bukurën, për vlerën e mirëpeshuar në gjetjen e rrugës së drejtë dhe plot vrull jete. E them këtë mendim nga fakti se, pothuajse gjithë opusin e tij poetik e përshkon fryma origjinale e shprehjes dhe trajtimit tematiko-motivor të shkëputur nga perlat e atdheut, Saranda e tij plot diell, kaltërsi dhe virgjëri natyrore, që portretizojnë jetën e njeriut autokton, duke u përballur me të bukurën dhe të shëmtuarën, me krenarinë dhe urrejtjen, me vlerat dhe antivlerat e sprovuara nëpër kohë, por gjithnjë në përftimin e suksesshëm drejt dritës dhe shpresave të pandalshme.

Vëllimet poetike: “Bulevardi i dhimbjes” (2001), “Loti i detit” (2003), “Klithma e pulëbardhës” (2004), dhe “Hëna e fëmirisë sime” (2008), nga të cilat sajohet kjo përzgjedhje antologjike personale me titull unifikues të materjes poetike të plasuar aty, dhe me simbolikën e dëshmuar, “Anatomia e lotit”, në plotni pasqyron rrugëtimin poetik, ku bashkëveprojnë dhimbja, shqetësimi, pastaj shpresa e krenaria, duke mos i anashkaluar edhe mitet, legjendat, që në këto treva kanë gjetur trajtim të vazhdueshëm në sfera të ndryshme të jetës, kulturës, riteve e zakoneve, në fuqizimin e tyre në realizimin e krijimtarisë poetike sa më origjinale dhe me figuracion metaforik, gjithnjë në funksion të trajtimit të ngjarjeve dhe fakte pellazgo-ilirike në këto vise, që transformohen në plotni me aktualitetet e njeriut të sotëm.

Loti si lajtmotiv

Shpërfaqja e mendimeve dhe ngjyrimi poetik me detaje të konsoliduara në akcilën prej përmbledhjeve të mëparshme, këtu në Antologjinë poetike: “Anatomia e lotit”, vijnë më të përzgjedhura, që mund të konsiderohen ndër perlat e krijimtarisë shumëvjeçare të Timo Mërkurit. Pothuajse në shumicën e poezive që sjellin frymën e kohës së këtyre ngjarjeve, takojmë peisazhin e pikës së prekur emotivisht, që në përgjithësi karakterizohen me ndjeshmërinë e thellë për karaktere subjektive, që i përkasin zhvillimit të ngjarjeve, pavarësisht në cilësinë e pozitivitetit, apo si elemente negative, të portretizuar me mjeshtri. Sidoqoftë, materja poetike e këtij libri antologjik insiston në mënyrën e përafrimit të një bashkëjetese mes të bukurës dhe dashurisë, mes dhimbjeve dhe shqetësimeve që e kishin pllakosur njeriun në një kohë të veçantë. Kështu, ndryshimet politike, që tashmë po bëheshin gjithnjë e më fuqishëm katalizator i shpërthimit të situatave të tilla, që siç e thotë edhe studiuesja e letërsisë Zejnepe Alili-Rexhepi: “Timo Mërkuri, vepra e të cilit përshkruan zbarkimin e dhembjes në tempullin e lotit”, sa vjen e merr konotacione të reja në trajtimin e vazhdueshëm tematik të këtyre situatave tranzitore, që do ta çojnë vendin në një shkallë të lartë të rrezikueshmërisë së zhbërjes së shtetit, përkundër lëvizjeve të mëdha pozitive dhe synimeve të vendosjes së një sistemi të ri politiko-shoqëror, me shpresa për të ardhmen e një prosperiteti demokratik. Poaq indikative është përballja e shumë elementeve që e karakterizojnë këtë lëndë poetike, ku takohen shqetësimet e autorit, dhimbja dhe loti, që herë vijnë si çlirim nga dhimbjet shpirtërore, herë si shenjë identifikuese në përmasën e hidhërimit, të materializuar përmes pikave që rrjedhin nga zemra. Loti, si lajtmotiv tek këto poezi shpërfaq më mirë se çdo formë tjetër identifikimin e dashurisë me synimin që situata të tilla të mos ndodhin asnjëherë, duke aluduar në vet çiltërinë si loti të një populli që e do jetën të pacënuar nga askush, meqë jeton me forcat e veta dhe në truallin stërgjyshor, ku gjithçka ia begaton ardhmërinë.

Loti, si klithmë paralajmëruese e një dhimbjeje të përmasave shqetësuese, në realitet në këto poezi vjen si shenjë unifikuese e dhimbjes dhe dashurisë. Pasqyrime të shumta të këtyre pamjeve që e përshkruajnë një ngjarje a një motiv, poaq të dhimbshëm, që veç lotit, asgjë nuk e shpërfaq më bindshëm kthjelltësinë e vrojtimit, me mesazhin e plotë të rikthimit të jetës, që e gjejmë në shumë nga poezitë, si: “Shelgjet lotues”, pastaj “Bulevardi i dhimbjes”, ku, veç tjerash: “dhe neonet ndrijnë mbi qepallat e mbrëmjes/ si lotët në sytë e nënës së Hysen Açakos”.

Këtu, edhe kurbeti gjen ngushëllim te një pikë loti, përkundër pritjes së gjatë të kthimit të bijve që kahmot i ka tretur rruga larg vendlindjes së tyre, larg qytetit të bukur buzë Jonit:

“As sot s’erdhën djemtë nga kurbeti.As nesër s’vijnë.

Nga lotët e derdhur është hidhëruar deti.”

(“Lypësat në Sarandë”)

Mjeshtër i përshkrimit të situatave të tilla, Timo Mërkuri, lotin e kthen në shpresë, në dashuri dhe dhimbje, varësisht trajtesës që i bën, por gjithmonë mbetet po ai loti i çiltër që shëron shpirtin e të përvuajturit, edhe atëherë kur takon edhe “Lotin e detit”, ku, në përmbyllje të poezisë sikur mbetet peng i kësaj dhimbjeje, shpreh shqetësimin e tij me pyetjen, se: “Një dert e kam./ E një dhimbje që s’e mbaj dot./ Dhimbjen time e vajton dhe deti./ Me lot stërkalash e suferinat ligje,/ moj botë e vogël, pse ke kaq shumë dhimbje?” (po aty). Poeti nuk mjaftohet me kaq. Ai ngarend në gjetjen identifikuese të “Emrit të lotit të tij” që nuk rresht së ngacmuari unin krijues, ngado që takon dhimbjen. Gjithësesi, ia del ta gjej emërtimin, meqë si duket duhet ta ketë kërkuar në një kohë specifike: “Kosovë është emri i lotit tim.” E përkufizon emërtimin e tij për lotin, si bashkëudhëtar nëpër vargjet e tij, për ta dëshmuar fuqinë krijuese me të gjitha atributet e një mjeshtri të pamposhtur përball ngjarjeve e situatave që e preokupojnë.

Dhimbja, apo “Pranvera e plagosur” në vargun e Mërkurit

Dhimbja dhe krenaria, si dybashkudhëtarë të mirëharmonizuar në vargun e Timo Mërkurit shpërthejnë në çdo kohë, stinë, orë, përballen me ngjarje e personazhe që krijojnë një dyzinë temash me tematikë që e preokupojnë autorin. E rëndësisë së veçantë është të thuhet, se këtu takojmë tema të ndryshme, nga jeta, kurbeti, pastaj dashuria, që si një kollazh i mirëfiksuar nga syri i poetit, pasqyrojnë përditshmërinë e një kohe, tashmë të mbijetuar. Intelekti krijues i një shpirti të trazuar i derdhur prej vitesh në disa vëllime poetike, këtu vjen i përzgjedhur në formë antologjike, për ta plasuar mesazhin e tij tek recepienti përmes vargut që reflekton vlerat e një poezie përfaqësuese të opusit krijues të Timo Mërkurit, që shquhet për thellësinë e mendimit, për koloritin dhe reflektimin e vlerave bashkëkohore, duke i shkrirë në një harmonizim edhe mitin, legjendën dhe gjithë thesarin e trashëgimisë kulturore, për t’ia dhënë vlerat këtyre realizimeve letrare dhe shpirtërore.

Timo Mërkuri

Ndërtimi i kësaj poezie mbi kontekstin e një kohe të nderë sjell edhe frymën aktuale të saj. Kështu, edhe autori vihet në një sprovë të rëndë për t’i fiksuar ato ngjarje në mënyrën sa më bindëse dhe reale të mundshme. Atëbotë, po ndodhte Golgota e “Vitit ’97” në Shqipëri, që nuk po e shkaktonte lufta e armatosur, as ekspeditat ndëshkuese masive të popullatës nga ndonjë agresor i jashtëm që kishte pretendime okupimi. Atë po e sillte në sprovë shkaktari i brendshëm, duke i shkaktuar pasiguri jete, sa nga vrasjet, sa nga varfëria e skajshme që e kishte katandisur vendin, ende pa i bërë mirë hapat e parë të daljes nga kthetrat e një diktature shumëvjecare, ku apotheoza e bukës ishte fillimi dhe mbarimi i gjithçkaje në atë kohë. Ishte “Pranvera e plagosur” që po përpëlitej ta zbërthente rrethin e hekurt të një kohe të trishtë gjysmëshekullore për të vazhduar pastaj me shërimin e atyre plagëve aq të pakuptimta, po shumë të thella, që ia kishte shkaktuar një sistem totalitar që po ikte.

E qëlluan me një plumb e po zvarritet nëpër luginë

duke pikuar lulëkuqet nga plaga e ngrohtë.

O, po, e qëlluan, more, mu në prag të prillit

e luleshqerrat kanë ulur kokën, në pritje, si vajtore.

(“Pranverë e kryqëzuar”)

Poashtu, edhe poezia “Dhimbja” ndonëse e realizuar në pak vargje, shpërfaq fuqishëm pikëvështrimin e poetit, i cili me ngulfatjen e ndjenjës shpirtërore nuk përmbahet dot, duke shpërthyer përmes vargut: “Dhimbja është banore e qytetit tim/ në lagjen time e ka shtëpinë” që në nismë shpalos gjithë realitetin e një kohe, për të vazhduar pastaj me pyetjet e dëshiruara: “Po kur do të ikë prapë në punë të saj/ e trëndafili të bjerë era dashuri.” Poaq e dhimbshme është jeta që përjetohet edhe në qytetin e poetit, që personifikon pothuajse edhe të gjitha qytetet tjera të Shqipërisë, ku kishte rënë mortja e kësaj pranvere, me gjithë tmerrin dhe vdekjet që kishin mbuluar çdo skaj të vendit. Një përmbyllje e dhimbshme, por realitet që djeg në shpirt më tmerrueshëm se askund tjetër paraqitet në poezinë “Zgjerimi i varrezave të qytetit”, siç do të shprehej autori: “Pse mos t’i bëjmë varrezat/ në mes të qytetit,/ ç’ndryshim kanë të vdekurit prej nesh?/ Të vrarë ata, të vdekur ne.” (po aty).

Të këtyre çasteve janë edhe poezitë: “Viti ‘97”, “Zanafilla”, “Skafi”, “Njoftim i zakonshëm”, “Pranvera që nuk erdhi”, “Fshati që vdes”, “Ode për këtë liri”, “Ndoshta vjen të hënën”, “Në fshatin e refugjatëve”, “Pragmbrëmje në bregdet”, “Mëmë Kania dhe trëndafilat”, “Kur vjen prilli”,“Bulevardi i dhimbjes”, “Përkujtimore”, etj. që të gjitha s’bashku pasqyrojnë tmerrin e asaj kohe.

Vërtetë, këtu në vazhdimësi vajton vetë koha; vajton gjithçka përreth kur sheh se po shkatërrohet edhe ëndrra e jetës në atdheun e të parëve, duke bërë përpjekjet e fundit të daljes nga ferri gjysmëshekullor, i quajtur – mbijetesë. Vrasja dhe plumbi vijnë përmes vargut si dy veprime që përshkojnë nëpër gjithë atë situatë të trishtë, për të personifikuar jetën me rrezikun, si dy kahe që nuk duhet të takohen asnjëherë. Madje as në poezi, do të dëshiroja!

Edhe motivi i mërgimit është trajtuar i pandashëm me pjesën tjetër të dhimbjes që e kishte prekur çdo cep të atdheut. Këtë fenomen të shoqërisë e hasim në poezinë “Vajzat kanë mërguar”, ku me pak vargje sjell realitetin e hidhur të mërgimtarit, që e kishte katandisur jeta: “… e te pragu i shtëpisë sime/ një trëndafil i bardhë nusëron./ Mëngjeseve kur nisem për rrugë/ më përcjell me dënesa e lot./ E diç më thotë mes psherëtimave./ Por unë s’mund ta këpus/ se  s’kam kujt t’ia dhuroj.” (po aty). E solla këtu të plotë poezinë, për t’ua mundësuar ta vlerësojnë më lehtë lexuesit se cila ishte plaga që i dhemb në shpirt poetit, i cili shpeshherë bëhet një me dhimbjen, si pretekst trajtimi. Ky motiv vjen i trajtuar edhe në poezitë: “Shtëpia e refugjatit të humbur”, “Kostandini”, “Plakat e Vurgut”, “Deti i hidhëruar”, etj.

Po me “Sofrën” si do t’ia bëj poeti, meqë ajo është “E varfër sofra jonë, një fetë bukë/ lyer me dritë hëne/ dhe rreth saj/ një trumbë fëmijësh që çukisin përralla”, që sjell në kujtesë kohën kur vendi po zbrazej nga rinia, pikërisht për këto arsye. “Eh, Shqipëria ime/ atdheu i refugjatëve.”, do të shpjegonte përmes klithmash këtë fakt të përjetuar deri në palcë.

Mbi të gjitha këto, Timo Mërkuri do të gjej forcë për ta ndërtuar jetën e re, pavarësisht përjetimit të kësaj “Pranvere të hidhur…”, i pathyeshëm, ngushëllohet për të rinisur nga “Zanafilla“ me plot kurajo “të shkruaj ungjillin e dashurisë”.

Dashuria – kjo ëndërr që nuk mbaron kurrë

Timo Mërkuri i këndon dashurisë në stilin e tij, herë mbushur me ëndrra, herë stolisur me lule; një herë tjetër e gjen ngushëllimin me një përftim të bukur nëpër një ëndërr, pa mos arritur asnjëherë ta prek, as edhe si frymë. Poeti nuk do të ndalon edhe në kohë të nderë t’i këndoj dashurisë. E fillon me poezinë “Trëndafili i ëndrrës”, duke bredhur ëndrrave të jetës, pa një pikëtakim të caktuar, për të kaluar nëpër mote e stinë, në fluturim si flutur, lule më lule, por asnjëherë ta gjej lumturinë e kërkuar. Megjithatë “Janë të bukur trëndafilat/ dhe kur çelin në ëndërr”, do të pajtohet poeti, pavarësisht se e ka të njohur se trëndafilat shpejt do t’i ikën bashkë me ëndrrën.

Poeti edhe kështu i “këndon” dashurisë: “Sa shumë vajza,/ o, sa shumë vajza të bukura/ ka në qytetin tim,/ që në heshtje kuvendojnë me vetminë!/ Kush vallë ua ka vrarë dashurinë?” (“Vajzat e qytetit tim”) për ta ndërtur të plotë këtë motiv, që bashkërenditet me të gjitha motivet tjera, duke iu përshtatur kohës dhe rrethanave në të cilat ndodhet.

Kjo paraqitje e dashurisë vjen në vazhdimësi me poezitë: “Triptik”, “Ëndërr e pafat”, “Hëna e gushtit”, “Çast”, “Fjalë dashurie” “Vajzat e shtëpive tona”, Prill”, “Hëna e fëminisë sime”, “Një tutor prostitutash fërshëllen melodi…”, “Në Butrint”, e ndonjë tjetër, që mund të ketë lënë më pak gjurmë në kujtesën tonë, por gjithësesi duke u vlerësuar si pjesë e kësaj tërësie poetike.

Por jo vetëm dhimbja, shqetësimet, kurbeti, e preokupojnë penën e Timo Mërkurit. Ai e ka ndërtuar edhe pjesën tjetër të ngrehinës së tij artistike që i bën ballë kohërave, atë të krenarisë për të parët e tij, për heroizmat e tyre nëpër shekuj, për nënën, motrën, për të afërmit dhe farefisin, me të cilët çmallet, pret kthimin e tyre, apo bashkudhëton shtigjeve të kujtesës me ta. Përmes një numri të konsidereshëm të poezive autori na takon me njerëzit e tij, me kujtesën dhe dashurinë që ushqen ndaj tyre, pa mos i anashkaluar asnjëherë. Ai në raste të caktuara e portretizon edhe poetin, që në të vërtetë, ushqen konsideratë ndaj krijuesit, përballjes së tij me situata e personazhe nga më të ndryshmet, jo gjithmonë më të njëjtin ritëm të pozitivitetit prej krijuesi. Kjo paraqitje e sjell më të kompletuar pasqyrën krijuese që reflekton vullnet, dashuri dhe gatishmëri për t’u përballur çdoherë me njeriun e kohës. Disa nga poezitë e tilla i veçuam si tituj më provokues për shijen e lexuesit, për të lënë mundësinë e përballjes edhe me tituj të tjerë në brendinë e kësaj vepre letrare: “Pilur”, “Im at”, “, “Kthimi”, “Vija e gjelbër”, “Diptik për një emër”, “Skicë-portret i hallë Sofisë”, “Poetët”, “Ylli që po fle”, “Tim biri”, etj.

Dy fjalë në mbyllje

Në mbyllje të këtij vështrimi kujtoj se ka mbetur edhe shumë për tu zbërthyer në këtë vëllim poetik, që si tërësi përbën botën poetike të Timo Mërkurit. Asnjëherë nuk mund të zbërthehet e tëra që është sistemuar në një vepër, aq më pak kur kjo materje poetike është e nivelit antologjik. Por, si gjithmonë, edhe këtu krijimtaria letrare e Timo Mërkurit vjen e feskët, që përveç vargut, si qëllim parësor, ai për asnjë çast nuk anashkalon edhe përdorimin e elementeve stilistike, të metaforave, me një leksik të pasur e komunikues, që e pasurojnë gjithnjë e më shumë fondin e vlerave të kësaj krijimtarie letrare-poetike.

Mbase, këto janë vlerat që e kurorëzojnë gjithë krijimtarinë e Timo Mërkurit, për ta bërë pastaj edhe lexuesin që ta ndiej nevojën e shijimit të kënaqësinë e saj.

 

Nga: Xheladin Mjeku

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s