PRINCI DHE MAGU (Sipas stilit të Kutelit) – John Fowles / Përktheu në shqip: Agron TUFA

John Fowles

 

PRINCI DHE MAGU
(Sipas stilit të Kutelit)

Na rronte dikurëzaj një princ, more shokëni, i cili besonte çdo gjë tjatër, përveç disa gjërave, të cilave nuku u besonte. Besonte ay more shokë një princeshë; ay nuku u zinte besë ishujve e as nuk besonte në Zotynë. Babai i princit, mbreti, i thesh atij se këso gjërash nuku bëjnë vaki mi dhe. Njëmend, në zotërimet e të atit nuku keshte as princeshë, as ishuj e as shënja e Zotynа; dhe princi more shokëni, i zuri besë babait të vet. Por sesi njëditëzaj princi mori arratinë pe pallati dhe hop, u gjend në një tjatër vend. Nga ky vend i huaj bregdetar ay mund të shikonte ku të donte ishujt, e nër këto ishuj, dallonte ay ca krijesa të çuditshme që të kallnin drithma në gjak dhe që të bënje të ndalnje frymën. Nësa princi po merrej me kërkimin e lundrave, iu qas pranë një njeri i veshur me rroba mbrëmësore.

– Janë pe të vërteti këto ishuj? – pyeti princi.
– Ta pret mendja, pe të vërteti janë, – i tha njeriu me petka mbrëmjeje.
– Po këto krijesa të çuditshme që të ngrijnë gjaknë, kush janë?
– Ato janë bash princeshat pe të vërteti, o burazer.
– Atëherë edhe Zoti duhet të ekzistonjë pe vërteti! – briti princi.
– Po unë Zoti jam, bre djalkë, dora vetë, – i gjegj njeriu më rrobë mbrëmësore dhe iu përkul me temená.

Princi i ri ia theri me të katra, sa i hanin këmbët, drejt në shtëpi të vet.

– Kështu de, na u ktheve, – e përshëndeti i ati-mbret.
– Po, por kam parë ishujt, kam parë dhe princeshat dhe parë kam edhe Zotynë vetë, – iu gjegj me ton qortonjës princi.

Mbreti ia ktheu pa u turbulluar:

– Në fakt, nuk ekzistojnë ishujt, as princeshat dhe as Zoti.
– Po unë ata i pashë!
– Pa më thuaj, si ishte veshur Zoti?
– Ai qe veshur me rroba mbrëmjeje.
– A i kishte të përveshura vallë mëngët e setrës?

Princi ndërmendi që mëngët të përveshura i kishte. Mbreti buzëqeshi.

– Kjo është një rrobë e rëndomtë magu; të kanë gënjyer.

At’herë princi u kthye sërish në vendin e huaj, shkoi në po atë breg dhe takoi sërish njeriun me veshje mbrëmësore.

– Mbreti, im atë, më tregoi se kush je ti, – shpalli princi tërë siklet. – Ju më kishit gënjyer herën e parë, por kësaj here nuku do t’ju ecë. Tani e di që që këta janë ishuj pe vërteti dhe princesha pe vërteti është, ngase ju vetë jeni veçse një mag.

Njeriu në breg buzëqeshi si përgjigje:

– Ti vetë je gënjyer, more vogëlushi im. Në mbretërinë e zotit tët atë ka ishuj e princesha pa hesap. Por yt atë të ka robëruar me magjepsjet e tij dhe ti nuku mund t’i shquash më ata.

I menduar e gjithë dyshime, princi u kthye në shtëpi. Me të parë babanë, ia nguli vështrimin drejt në sy.

– Baba, njëmend ti s’je pe vërteti? Vërtet s’je tjatërkush, përveçse një mag?
– Po biri im, jam veçse një mag.
– Domethënë, njeriu në bregdet del se paska qenë vetë Zoti?
– Njeriu në bregdet, o bir, është një tjetër mag.
– Unë duhet ta mësonj të vërtetën, të vërtetën që fshihet pas magut!
– Pas magut nuku ka asnjë të Vërtetë, – shpalli mbreti.

Princi u trishtua pangushëllueshëm. Ay tha “Unë do të vras veten!”. Me anë të magjisë, magu grishi vdekjen. Vdekja hyri në derë dhe me shenja, i tha princit t’i afrohej. Princi u drodh. Ndërmendi princeshat e bukura, por jo pe vërteti dhe ishujt jo pe vërteti, por të bukur.

– Si t’ia bëj hallit? – rënkoi ay. – Do ta duroj, do ta duroj edhe këtë!
– Ja pra, biri im, – i tha mbreti, – ja që dhe ti po fillon të bëhesh mag.

 

Përktheu në shqip: Agron TUFA

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s