Poezi nga Alma Jaku

Poezi nga Alma Jaku
 
 
Gjyshja
 
Këtë vit lari nuk u bekua,
ti s’re më gjunjë, s’shkove në meshë,
prapëseprapë nuk të mallkuan,
sepse unë të kam të shenjtë.
 
S’më mungoi lari, as shenjtëria,
por ëmbëlsia jote, gjyshe,
nga larg, kur vija, krejt shtëpia
më ngjante fole për dallëndyshe.
 
Unë veç për ty isha e vogël,
plot me gabime fëminore,
përherë më falje, më bekoje,
çdo brengë timen lehtësoje.
 
Më mungon shumë paqja jote.
Të gjitha gjërat m’i bëje të lehta,
ti ishe kisha e vetme në botë
ku mora bekimin që kërkon jeta.
 
 
 
Ëndrra ime, humbur, tretur
 
I premtoj vetes çdo natë
se nesër s’do të ndiej për ty,
por mungesa jote bëhet lak,
ma fryn Drinin, ma derdh në sy.
 
Vetiu natën bredh në udhë
të të gjej e të të puth,
padashur bëhem “kurvë”,
brenda teje hyj pa kusht.
 
Puthem ëmbël, përkëdhelem
nga dora jote, pa më prekur…
Ujëvarë trupi, shkumë më derdhet,
ku ti zhytesh, mbytesh, vdekur…
 
Ëndrra ime, humbur, tretur…
 
 
 
Tani që ti ke ikur
 
Tani që ti ke ikur
do adoptoj një mace.
Ka më pak gërvëre,
përkëdhel pa shkaqe.
 
Tani që ti ke ikur
do adoptoj një qen.
Të më mbrojë fort,
të zërë vendin tënd.
 
Tani që ti ke ikur
do adoptoj një pulë.
S’kam pse të gatuaj,
ushqehet me gurë.
 
 
 
Teatër dashurie
 
Drama mbaroi, ranë perdet,
përtueshëm unë duartrokita,
në paqe shpirtin larg e treta.
Lamtumirë, dashuri!
U lodha, ika.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s