Poezi nga Marjeta Shatro – Rrapaj

Poezi nga Marjeta Shatro – Rrapaj

 

Larg botëve, pranë shpirtrave…

Jashtë shikimeve,
brenda mendimeve,
larg botëve, pranë shpirtrave.
Pasazh në të tjera peizazhe,
ku ulërin heshtja
e vajton jeta e brishtë,
për drurët që rrëzohen
e farat që mbillen në tokë të re
pranverës së stihishme 2020
Ku mizori kob ushqehet me trupa
e frymët e tyre shndrrohen në ëngjëj drite.

 

Nëse vdes…

Nëse vdes,
trupin ma digjni,
mbi turrën e librave që shkrova,
si në kohën e inkuizicionit,
se nuk i deshi as koha
e hirin mbi det ma hidhni.
Mos kini frikë,
deti i përtyp të gjitha,
i gllabëron brenda vetes
e i përhap pastaj në mijëra valëzime.
E kur të rilindë sërish jeta,
do të jehojë zëri im me dallgët
në gjuhën e jehonave,
që mërmëritin fjalët e dala nga shpirti
në çdo grimcë hiri të tretur thellësive!

 

***

Ngrirë mendimi,
shikimi zverdhur
mbi dritare kristali,
shikojnë si lëviz Covidi 19.
Qytetet mbyllur mureve të izolimit,
atmosferë mbytëse, ndjenja të zymta,
një film i frikshëm tërheq njerëzimin.
Bota e sëmurë endet pa shpresa.
Përplasje e fortë, fjalë të trishta
e kur konsumohet dashuria e zë vendin urrejtja
që njeriut modern deri në palcë i është futur.

 

Ndryshe kjo pranverë…

Pranvera ka kohë që është shfaqur në horizont
e virusi nënshtresave të saj fshihet,
fle ngrohtësisë së një dore që shtrëngon
ose degëzës së një mimoze që gjithmonë tundon.
Njerëzit nuk dinë se çfarë duhet,
të nxitojnë apo të vetëizolohen,
të shikojnë Diellin e Marsit nga xhamat,
të duan ajrin e gjallë pranveror,
që mendimet t’ i zhytin ëndërrimeve,
për rilindje pasioni,
e thuren
si foletë e zogjve ngritur në degët e pemës.

 

Zbrazëti

E trishtë kjo buzëmbrëmje,
edhe pse fryn një fllad i lehtë pranvere.
Muzgu merr me vete dhe të fundit hije.
Rrugët janë braktisur,
kudo zbrazëti.
Një këngë vetmie që kumbon si përshpirtje.
Njerëzit me sytë nga ekranet
presin një dritë shprese.

 

***

Shpirti digjet
nga fjalët e pathëna,
Mendja përmbys,
kërkon të rivendos rendin
e pret një muzë t’i tregoj rrugën…

 

***

Ëndrrat e dikurshme
i ka mbuluar harresa,
të rejat më marrin me vete fluturim.
Rend pas tyre që t’ i arrij
e psherëtij prej mallit
për cijatjet e zogjve,
për blerimin e korijeve në kodrinë,
për harkun e ndritshëm të hënës
që pret diellin në takim,
për vizionet e panumërta
që gërvishin qiellin e mendimit tim.

 

Pa trokitur

Hyn pa trokitur në shpirtin tim,
më fshin trishtimin dhe mallin e brishtë,
më kthen buzëqeshjen, emocionet e forta
e lulëzon ndjenja, pa ndrojtje e brenga.

Dimrin papritur nga sytë e largon
e pranverën më sjell kaq pranë,
Ti di të ndezësh diellin brenda meje
që të ndriçojë përherë shpirtin tim në heshtje.

 

Monotoni

Përsëriten ditët,
kalojnë harkun e dritës
në horizont netët gjithashtu,
harkut të yjeve
të ngjashme me ato
që kalojnë në akrepat e kohës.
Përsëritet e njëjta gjë
në të gjitha gjuhët e botës
në stinë të ndryshme,
për rendje të zhurmshme,
veç çastit ndodhin një herë
e prekin me frymë
për të humbur sërisht jetës rutinë.

 

Fjalët!

Si dielli heq perden e errësirës,
duart e holla e të buta të dashurisë
i largojnë mendimet gjithë ligështi,
e fshijnë retë e zeza nga qielli i ardhmërisë,
për të qenë e plotë, tërë ndriçim
e fjalë të ajërta frymës së shenjtë
që treten e humbasin tutje zbrazëtisë.
Shpesh bëhen bredharake, pa adresë
digjen natën, heshtur në kujtesë
e derdhen qepallave të mbyllura
për të sjellë qartësinë e agimit të kristaltë
rrjedhur botës tonë, përherë si ujëvarë.

One thought on “Poezi nga Marjeta Shatro – Rrapaj

  1. Faleminderit Agron Shele!
    Je i mrekullueshëm dhe i palodhur në këto ditë të zymta për gjithë njerëzimin!
    Zoti të të bekojë miku im!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s