Fabula nga Miltiadh Davidhi
PARUKJA
– Mami, Babit, sa çudi,
i ka mbirë floku i ri!
Tullë e babit pak më parë
dukej si pasqyrë e bardhë… –
I mbush gishtat me baluke,
doçkës mbeti një…paruke.
NOFKA
Pa e pagëzuar në kishë hiç,
pjellën e Gomarit e thirrën “Kërriç”.
Po dhe pa dhëmbë në pleqëri
nofka i mbeti përsëri.
– Po kur ngordhi? – pyet një Viç.
Në heshtje thanë: – Shkoi një… Kërriç!
BIÇIKLETA MENDJELEHTË
– Tani mësova të eci vetë, –
thosh Biçikleta aq mendjelehtë.
Seç u rrëzua, ra në kanal,
theu pasqyrën dhe një pedal.
Nga pema lart flet zoti Ketër:
– Pa timonier s’bën dot një…metër!
ARUSHI PITER PAN
Ariu me Arushën bien të flenë,
kur ndjenë të kërcasë një pemë.
Vrapojnë të shohin zemërsterrosur:
Arush çamarroku qenka plagosur!
E pyet Ariu: – Ç’të ndodhi, more xhan?
– U hodha nga lart porsi…Piter Pan!
QENGJI DHE BARI
Shkoi Qengji, ku i Zoti
barin kishte lënë;
na përtypi aq sa deshi,
shkeli dhe me këmbë.
Ah, ç’e mori keq uria,
vrapoi si i marrë,
të përlajë atë pjesë,
që shkeli…më parë!
Miltiadh Davidhi.
Datë 02.04.2020.
Bukur e me ndjesi…
Urime e mbaresi…!!