Poezi nga Alma Jaku

Poezi nga Alma Jaku
 
 
Mbretëreshë prapë
 
Sonte u pamë në qytet
dhe çuditërisht të ndjeva larg,
shëtitorja në anë të Drinit
me shi të hershëm seç u lag.
 
Zonjë e rëndë, kokëlart ecën,
“Mirëdita, zotëri!” – më thua ti,
sikur nuk isha unë çapkëni
që shkriheshe në gishtat e mi.
 
Të përfytyrova zhveshur si dikur,
si dihasje, si rënkoje
dhe me gjuhën fjalëpakë
si nepërkë më torturoje.
 
Djalli të marrtë, zonjë e rëndë!
Ti që e çmendur qe në shtrat,
shëtitoren shkel me këmbë,
fisnikërisht, mbretëreshë prapë.
 
 
 
Kërcu i djegur
 
Pse u ktheve prapë sonte?
Dyert i kam mbyllur me kohë,
në vatrën time s’ka më prush,
thëngjilli i fundit është fikur.
 
Vjen e me gishta rrëmon në hi,
do të rindezësh zjarr me zor,
por s’ka ashkla, a e di?
S’ka as shkrepëse, o i marrë.
 
Prej kohës që ti ke ikur,
rrekem të jetoj, por më kot,
tani jam kërcu i djegur,
nuk marr flakë, nuk më ndez dot.
 
 
 
E mundur
 
Kryqëzoj gishtat dy mbi dy
si shpresë, besë e përjetshme,
me sytë si qiell plot me yje,
si galaktikë jotja e vetme…
 
Më mbulon me puthje me dëshirë,
më mbush me frymë, më përpin.
Jam drita jote, veç në errësirë,
sa vjen agimi, të fik, të shkrin.
 
Dhe më harron, i ikur, humbur,
si stinë që çel dhe i shkund gjethet.
Unë rri e pres, si qiell i mundur,
prej reve të zeza, pa pikë pa shprese.
 
 
 
Kostumi mortor
 
Shend e verë sytë e mi ndrinë
kur përballë u pamë rastësisht.
Shumë vjet larg ndanë dashurinë,
por nuk e vdiqën, çuditërisht.
 
Doja të të puthja si dikur motit,
kur në det ishim një dallgë bashkë,
kur kripën e tij në pikë të lotit
njëri-tjetrit i puthnim me afsh.
 
Por ti më ndale, më fole ftohtë,
me sytë ulur, dhembjetretur.
Me kostum morti, mbledhur në botë,
dashurinë e vjetër kishe veshur.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s