Poezi nga Petraq Risto

Poezi nga Petraq Risto

 

FRAGMENT

Një karrige mes barit të shkurtër dhe luleshqerrave
Që dinë të përdorin veç habitoren
Një anije e vogël që s’ kupton pse ndodhet në tokë
Mes luleshqerrave të ngjashme me krela valësh.
Hapa që ikin, hapa që vijnë
Paqja – lëneshë reciton bekimin e zjarreve
Shikimin e ndezur të burrave të vrarë…
Një karrige mes barit dhe luleshqerrave
Dhe anija e vogël që s’ kupton nga ka ardhur.

Andej po vdesin. Oaze mushkërish thahen
Çdo oborr ka karrige bosh, kolovajzat lëkunden në trishtim.
Bota virtuale nuk ndez më fishekzjarre
Brenda mureve gatuhet bukë me miell mërzie
Dhe luleshqerrat nën hënë përdorin habitoren…

 

E ÇMENDURA

Mjekët bluzabardhë me shenjat e elektroshokut në vend të rrudhave
mbledhin supet kur flasin për ty.
Ku je gërshetderdhur mbi supe magjie,
me një det të kthjellët mbledhur hajmali.
Ma jep gërshetin ta pres, hajmalinë e detit ma fal
Ku je e çmendura e parrezikshme, e vdekura pa funeral.
Ku je. Mbaj mend një tren që rend dhe ti që rend para trenit
(i ngjashëm ky imazh me flakën e gërshetit).
Pastaj fizarmonika në një mbrëmje buzëdetit
dhe guaskat që i bëre vëth
dhe laureshat që vdekjen presin përmbi kurmin tënd.
Ku je e çmendura e mençur,
jetimja me një ëndërr fejuar,
lot i vonuar që bie heshtur
nga syri i dikujt
që ka tre orë pushkatuar.
Thoshe se të ndiqnin hijet, policët.
Një revolver i artë rrinte fshehur në gonxhe jargavani.
Pasqyrat të bënin shenja me çdo të plasaritur,
gjyshi të dërgonte degëz ulliri me sqepin e një pelikani…
Ku je tragjedi e lodhur, Kasandër e vrarë, Andromakë e marrosur,
Lot i vonuar që bie heshtur
nga fytyra e ëngjëllit prej vitesh vrarë.

Tetor, 1991(Botuar te “Zgjohu princesha ime”, 1995)

 

NË SKAJIN E HARRESËS

Kur isha i vogël i shihja pëllumbat në sy e ata më shihnin përtej paqes
duke bërë marrëveshje të kadifejta me tymin e luftës.
Sytë e pëllumbave janë të vegjël: dy pika ekuilibri ku Noeja gjeti shpëtimin.
Pastaj erdhe ti me sy prej mëndafshit të pëllumbave:
shikimi joshte qiellin t’ i bëhej flatër

Shandani i artë i mollës në kopsht merrte dritë nga prizat e rrënjëve.

Ti përgjon gjithnjë në skajin e harresës: zjarr i sapogëlltitur në ezofagun
afër zemrës
dy sy me kode pëllumbi: dy shpella ku flaka flirton me errësirën
për pakëz dritë
dhe ku jeta pëpiqet të harrojë profilin joshës të vdekjes.

Shandani i artë i mollës në kopsht merrte dritë nga prizat e rrënjëve.

Pastaj gjetëm një pëllumbengjëll të përbaltur
Jam gati të vdesë – na tha – me pendët e mia mund të bëni avionë
për të prekur qiellin e sekondave ku Parajsa blatohet për Ferrin.
Ti qeshe duke shkundur lehtë detet e gjinjve:
gjithnjë përgjuese në skajin e harresës
kurse unë dhe pse i vogël vendosa të qaj
duke bërë marrëveshje të kadifejta me tymin e luftës.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s