Poezi nga Sokrat Habilaj

Poezi nga Sokrat Habilaj

 

MEDITIM

Ka kohë që dukemi si kraterë të trishtë,
Ku llava ka zënë e ftohet pak nga pak.
Supeve pareshtur na bie pluhur i hirtë,
E askush s’kujtohet më, të ndezë flakë.

Ka kohë që dashurinë e shohim ndryshe,
Dikur se lija të merrte udhën për tek ti.
Pa i prerë biletën e kthimit që në nisje,
Ku të endej në s’ia hapte portën njeri!?

Ka kohë që çfarë të nis ty, e nis ti mua,
S’pyesim për të:-A erdhi nga udhëtimi?
Unë kthyer mall, e ti mall, deri në thua,
Përse i duhet mallit një biletë kthimi!?

 

TANI QË SHPIRTIN MA GRABITËT

Ju po rrëmbeni çfarë gjeni nga unë,
Fjalët e pathëna e ëndrrat e trishta.
Edhe pse po më ktheni në një cung,
S’lutem:-Mos m’i merrni të gjitha!

Vargjet e bërë për shpirtra të tjerë,
Rimat ku kam fshehur tërë mallet.
M’i shkulët egër, e më latë djerrë,
Sërish s’lutem:-Të paktën vargjet!

Unë s’pyeta:- Pse m’i pretë degët?
E as për dhimbjet e mia s’bëra zë.
Se përgjigjen tuaj e dija më herët,
-Gjithçka është jona, ti s’ke asgjë!

Po kur të më vijë çasti për të ikur,
Dhe pjesë të mia do t’i shoh tek ju.
Ashtu gjysmak do çohem papritur:
-I vdekuri nuk mund të iki kështu!

E do pyes ju që më bëtë shumëfish,
Ndërsa pas, më ndiqni në heshtje.
-Vërtet ndoshta jeta ime, juaja ish’
Më thoni:-E kujt është kjo vdekje?

E nga supet ku më mbani do zbres,
Me dënesat tuaja, pa fund do luaj.
Ju ma vodhët shpirtin, pjesë-pjesë,
Ndërsa tani jam unë në mortin tuaj!

 

DITËT ME TY

I provuam kaq ditë të bukura në dashuri,
Ditën e parë, të dytë, të dhjetëmijtën e ca.
Po mbase erdhi koha të pyesim:-Po tani,
Mos duhet të përtypim grimcat që na la?

Mbase do duhej të uleshim, në një brinjë,
Të uleshim që dje, ndoshta dhe më herët.
Ne që u deshëm, një ditë, dy, dhjetëmijë,
Tani të shohim, si bëjnë dashuri të tjerët.

Po për ditët që shkuan, pse të flas më kot,
Kur s’dua t’i kthej pas, dhe po të mundja?
Në cilën ditë të desha ty, si do të dua sot,
E si do të puth nesër, në ç’ditë të putha!?

 

Dhe koha ikën

U deshën, por tani ai nuk është më,
Pranë saj, një tjetër shuan zjarrin.
Kur ajo në heshtje, puthet me të,
Ai pyet:-Thuaj, më do si të parin?

Po ajo s’flet, e mërmëritë me vete,
Ndërsa në dy sytë një pikë loti rri.
”Ç’shijon në buzët e mia me etje,
Janë veç thërrimet që ka lënë ai…!”

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s