Poezi nga Rudina Muharremi Beja
IMAZH PA KORNIZË
U kthye një me dritën
vështrimit të syve,
imazhit fërgëllues prej ëndrre…
E dora e prushtë
mbi fletën e bardhë
u ngut ta rrëzonte…
Ia ndjeu ankthin frymës,
stuhisë së mendimeve,
e s’guxoi emrin t’ia thoshte…
Përmbytej shkumës së bardhë
oqeanit të thellë,
të imazhit pa korrnizë,
që brenda zhurmonte…
Mbi konture,
përvijuar hije qerpikësh,
Zotin luti, akrepat t’i ndalonte…
Shushurima e ëmbël e imazhit pa korrnizë
boshin e kohës kafshonte…
PASQYRIM
Një ritual i vjetër?
Rimëshirim i përtëritjes?
Vdekje e ngadaltë?
Short a sprovë?
Luftë a lojë?
Shpirt a sfidë?
Dhurohet, fitohet?
Ç’të jetë vërtetë ëndërr apo jetë?!
Trafikut të ndjesive,
luhatur, mëdyshjeve,
ajrin përtyp mëkot…
E jeta më ngjan
me një këngë hynish,
që istrumenti njeri,
e luan çdo ditë,
Rravgimesh pa kuptuar,
tingujve magjepsës,
shndërron në jehonë,
pasqyrimin vetes!
DETI BRENDA
Agonia e fshehtë
kohën vret me zare të fildishta
e me fije shpresash të brishta…
Symbyllur ul grilën e mbrëmjes…
Botën lë jashtë…
Radhojnë ndjesitë nën dritën e hënës…
Udhëtojnë sinopseve me sekuenca të trishta,
statujave
me buzëqeshje mermeri…
dhe pak oshëtimë deti brenda!
HABITORE
Nderojmë me fjalë,
me fjalë vrasim,
me një vështrim ngjallim
mbysim me një vështrim,
me heshtje falim
heshtjen kemi dënim,
meditimi na lind
na plak një meditim,
me mendim prekim
na shtang një mendim,
na zgjon një e vërtetë
një e vërtetë na ngrin,
plagos një gënjeshtër
gënjeshtërta, shpëtim….
Një kujtim mbjell dhimbje
jetë mban një kujtim…
Largësi që tkurren
e zgjaten pa mbarim…
Habi, njeriu …!
Kjo qenie mrekulli,
e vetes kundërshtare,
burgosur në një llambë balte
me një flakëz të brendshme,
të vetëdijshme, shumëvjeçare
që pret të ndizet,
e të ngrohë si dielli
të jashtëzakonshmen brenda nesh,
në këtë botë surreale.