Poezi nga Agim Desku

Poezi nga Agim Desku
 
 
MOS E LUAJ MBRETËRESHËN
 
Nëse nuk e di lojën e djallit
Mos luaj me mbretëreshë
Se e merr shah mat
S’ë duhet ferrit sërish për ta kërkue
 
Edhe pse është larg Itaka
I di si janë lujtë tragjeditë shekspiriane
 
Për të ma marr Trojën nga shpirti
E vërbuan Homerin në lojën e shahut
 
Edhe sa kohë përfundon loja e djallit
Vallë mos e kanë prangos mbretëreshën e tokës
 
Pse kaq lojna t’dreqit luhen mbi fatin tonë
Gjuha ime dhe e engjëjve ngjajnë me perënditë
 
S’kanë vdekur zotnat sot
Për t’u sharë luftëtarët e lirisë
Që kanë sjell ura bashkimi
Për të ecur të lirë
Udhës se Kombit
 
Nuk luhet shah me dreqin
kur nuk e di lojën e tij
 
Nuk ecët duke shkelur
mbi gjakun e bijëve të mi
Veç nëse do të jesh mallkim i lirisë
 
Kjo tokë çdo ditë çel trëndafila
pranë varreve të luftëtarëve
Dhe roje i bëhemi në stuhi e acar
Për veprat e tyre të shkruara me ar
 
Sot jetojmë edhe për nesër
Me aromën ma të bukur
të trëndafilave të lirisë
 
Natë e ditë janë nëpër beteja
Bijtë e mi ma të mirë të Shqipnisë.
 
 
 
K O S O V Ë
 
E di Kosovë
Në mua je e hidhëruar
Pse s’kam fuqi
Edhe ëndërr
Më të ba Shqipni
 
Nëse do ishte gjallë
Ali Podrimja
Kishte thënë të njëjtën fjalë
Sërish Kosovë
Je gjaku im që nuk falët
 
Unë s’di çfarë të them si ti poet
 
Më mirë të kisha lindur
në një kohë tjetër
Ndoshta plagët e shpirtit
Nuk më kishin rënduar
Kaq shumë si sot
 
Edhe sytë e atdheut
Nuk do të ishin vërbuar
 
E di Kosovë
Në mua je e hidhëruar
Pse s’kam fuqi
Edhe ëndërr
Më të ba Shqipni
 
Më kupto atdhe
Sa herë në mendje
më je
 
Ka kohë kur harruam
Lashtësinë
Edhe ëndrrën për lirinë
E harruam edhe Fishtën
Bashkë me Shqipninë
 
Sot
disa më kërkojnë
të iku
Pa lamtumirën tënde
Atdhe
 
Të gjitha rrugët
Më janë udhëkryqe
Të perandorëve
 
Se nuk i shihni
Pasi keni sy
Të demonëve
 
Kosovë
Ke ecur ferrit
Të pesë shekujve
Dhe asnjëherë nuk ke rënë
Për vdekje
 
Edhe sot
Si çdo mot
Njeri-tjetrit
I dalim zot.
 
 
 
E GËRDITSHME
 
E gërditshme
Kjo kohë bërrylash
Krenarisë
Ia shkërdhyen burrëninë
 
Çfarë ka mbetë
mes nesh
Veç hijenave të natës
Që na e vjedhin lirinë
 
M’u thye pritja e Doruntinës
Pse u vonova për ta çel
Kutinë e Pandorës
 
Sa kam pas mallë
T’ia vëj nënës në fytyrë
Flamurin e krejt Shqipnisë
 
Nënën ma vranë
në Masakren e Raçakut
Vetë Wilima Woker
më ngushëlloj
 
Sot a u harrua vdekja e njëmijë nënave
 
Në çka po ngjajmë
o ju të dashurit e mi
Nëse nuk ngjajmë ma
në njerëz
 
Unë i njoh shekujt e mi
Kur s’lanë gur as dru
Pa i ba grimca atomësh
 
Sot nuk e njoh fytyrën time
As kohën e paftyrësisë
që po më mbytë çdo ditë nga pak
 
Ju nuk i shihni hijenat
Rreth meje sillën si lule
Dimrash të thyer.
 
 
 
LOJA E VDEKJES
 
Dëshmitar i lojës së vdekjes
Isha edhe unë koha e Apokalipsit
Kur më zunë udhëkryqeve të rrugës
Via Egnatia
 
Më duhej të bëhesha palaço
Ose bashkëudhëtar me vdekjen
Për t’i kapërcye kufijtë e ndarjes
 
S’kisha zot që më njihte
fytyrën time prej dielli
 
Fatin tim nuk e nënshkruja vetë
As jeta më s’më besonte
Sërish m’i rikthyem ëndrrat
që kurrë s’bëheshin të vërtetat
të shejta
 
Nga fundi i ferrit të Dantes
Ç’më zgjuan për t’u bërë simfoni
e gjallë e Betovenit
 
Ah në ç’mendje më rrininë ëndrrat
e shekujve të pa besë
Derisa mbytej Serembe
Dashnia e hyjnive bëhej valë deti
 
Evropa bënte sehirë si më pahirë
Vargu i dashnive serëmbiane
Ekspozohej muzeve të Venedikut.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s