Poezi nga Mihal Gjergji
P E I Z A ZH
Shkoj të çmallem me muzgjet e arta
Në peizazhin që josh edhe deh
S’di nga zbresin ca fjango të kaltra
Si kusare del hëna dhe sheh
Ja lëndinat, si prehri i nënës
Mbushur lule, aromë e nektar
Dhe më tej një bilbil ia thotë këngës
I mban iso nga larg një longar
Mbi tërfil e lastar ulet zogu
Vesën pi edhe brof e këndon
Dhe dafina dhe bliri dhe shtogu
Edhe lisi tund krahët, më fton
Shtrungë e gurtë, si tempull i artë
Ku sjell tufën përçori, si mbret
Pi kulloshtër a qumësht me ajkë
Kukurecin mbi prushin që tret
Ndjej furtunën nga floku në thua
Dita tjetër nuk di çfarë do bjerë
Kam një lumë që rënkon dhe për mua
Ndërsa digjem bëj dritë për të tjerë!
L I T A R I
Po ndjek një fantazmë,
që pi me godën e djallit
Në pemën e mëshirës tundet një litar
Kam kohë që pres
Asnjë sulltan të varur s’kam parë!
KUR VDES FJALA
Kur fitojmë-vdesim
Jeta, si njerka;
bën të ngrihesh dhe t’a fut me pëllëmbë
Kur humbasim-jetojmë
Dhe heshtim,
me dhimbjen ndër dhëmbë!
Ecim mes gjarprinjve,
dhe pyesim veten;
vallë, a do bëhemi mirë?
Në kudhrën e durimit,
padronët ndezin zjarrin,
farkëtojnë pranga dhe zinxhirë!
ASKUSH S’E DI
Kërkon me sy, te cili mal të ndalë
Gjetiu s’mund të mbahej kuturu
Dhe qiellin ja bënë savan të bardhë
Ai në këmbë, s’u shëmb e s’ra në gju
Të vetmin mik – një libër fjalëpak
E mban në gji, orakull i pagojë
Dhe befas shkronjat brofin rreth e qark
Zhurmojnë e bëhen bletë, edhe mburojë
E lodhur turma, ndjente përdëllim:
Zotat s’na mbrojnë dot nga ky njeri
Jemi fajtorë, ia njihnim çdo mendim
Çdo bëhet vallë? Këtë askush s’e di!