Cikël poezish për fëmijë nga Nehat Jahiu
LIQENI
Të duket fytyra si lot i kulluar,
e n’ty fëmijët i sheh të gëzuar;
Natën kur dremit i qetë,
valët të përkunden si në djep.
Bukur dukesh, vërtet mrekulli,
hëna me rrezet mbi të rri;
Këndshëm ndriçon, bënë dritë
njomas të josh me bukuritë.
Peshqit, me ëndje notojnë,
barkat qetë valëve lundrojnë;
Bukuria jote magjeps prore
zbukuron përreth ato bregore.
EJANI. . .
Ejani, ejani. . .
Këtu folenë keni;
Këtu mbi çdo degë,
keni ndërtuar folenë.
Ejani, ejani. . .
Këtu këngën do e gjeni;
Ku për herë të parë keni vrapuar,
me shokë duke u argëtuar.
Ejani, ejani. . .
Gjithkund do të gjeni;
Kodra, fusha e brigje,
të vendlindjes, shtigje. .
NË LIVADHE
Fluturat e bukura laramane,
fluturojnë tek lulet në livadhe;
Edhe qengjat kërcejnë e lodrojnë –
turren pas nënave, i përqafojnë.
Bletët enden në t’bukurin livadh,
lule më lule thithin nektar;
Fëmijët hareshëm vrapojnë –
bashkë me fluturat aty vallëzojnë.
Vërtet është bukuri, për ne gëzim,
livadhet shtruar me të bukurin qilim;
Mbushur me lule plot aromë,
zukatjet, kënga, çdo herë në jehonë
LULET QESHIN
Për çdo pranverë qeshin lulet,
Kur i lëshojnë ato balluket;
Qeshin lulet, i hapin petalet,
N’prehër të tyre, bleta ndalet.
Qeshin, lulet për çdo ditë
kur ua lanë vesa ato sytë;
Qeshin ëmbël e nuk ndalen,
Fluturat në krah, lojë marrin.
Lulet qeshin me gëzim çdoherë,
kur i përqafon dielli n’pranverë;
Qeshin, qeshin e nuk pushojnë,
Aromë të këndshme seç lëshojnë.
EJANI SHOQE E SHOKË
Ejani, ejani shoqe e shokë,
atje n’lëndinë të shkojmë;
Të ngjitemi atje lart në mal,
atje ku dielli perëndon ngadalë.
Ejani, në valle të vallëzojmë,
të shohim qengjat si lodrojnë;
T’i shohim lugje e bregore
dhe ujin e ftohtë në kroje.
Ejani, ejani shoqe e shokë,
atje në bjeshkë të gjithë tok;
Të shohim, thana e lajthi,
nga Zoti të gjitha ato mrekulli.
NË PREHRIN TËND
Në prehrin tënd unë u rrita,
qumështin prej teje e thitha;
Përkëdheljet tua kurrë s’i harroj,
natë e ditë, për ty nënë mendoj.
Nga ti nënë, gjithçka mësova,
pranë teje zemrën e ngroha;
Nëna ime, e dashura nënëloke,
gjumin e bëmë kokë për koke.
Në prehrin tënd me ninulla u rrita,
si ujë lumi më shkoi nata e dita;
Dashurinë tënde kurrë se harroj,
Në zemër të mbaj, prore të kujtoj.
NATA
Çdo gjë natën bëhet e qetë,
çdokush kur bie në gjumë për të fjet;
Nata të gjithë i fut në gjumë,
dëgjohet vetëm kënga në lumë.
Nata përkundet në djepin magjik,
hëna mbi male na bën dritë;
Fëmijët rrotullohen në shtrat,
lojëra ëndërrojnë për çdo natë.
Nata është e bukur, e qetë,
ëndrrat i ka të ëmbla sherbet;
Gjithkënd e merr dhe e fut në gji,
Me të kënaqet secili fëmijë!
HERËT ZGJOHEM NGA GJUMI
Prej një mali e në një livadh,
lule m’lule mbledhi nektar;
Vrapoj e s’ndalem asnjë ditë,
në hoje mjaltin unë përgatis.
Më thonë bletë – bletë punëtore,
që nuk ndiej asnjëherë lodhje;
Veç me punë arrij çdo gjë,
punët pa kryer kurrë si lë.
Herët zgjohem unë nga gjumi,
s’më ndalin brigjet, e as lumi;
Çdo punë e kryej me lehtësi,
sepse pa punë, do kem uri!