Esmeralda Husaj (Shqipëri)

Esmeralda Husaj (Shqipëri)

 
Esmeralda Husaj (lindur në Tiranë, Shqipëri, më 1986), ka studjuar në Universitetin e Tiranës në degën e filozofisë. Ndjesia artistike ishte e menjëhershme pasi kristalizoi tek kjo poete një stil origjinal poetik duke përcjellë një frymë filozofie në të cilën estetika dhe mendimi janë të pandashme. Duke qenë se autorja ende nuk i ka botuar veprat e saj, vlen të përmenden titujt e publikimeve, që mund t’ ju njohin me përmbajtjen dhe botëkuptimin e saj si, “Tingujt e Askundit”, vëllim Poetik, “Abis” poemë, si dhe “Epoka Zero”, libër filozofik.
Gjithashtu, ky rrafsh poetik mund të përmblidhet për lexuesin në një aforizëm të mbi poezinë: Poezia ime është një univers pa modesti, një qenie pa dyer.
 
 
 
Fragmente dhe poezi nga Esmeralda Husaj
 
 
***
 
Po ta shkruaj që në fillim, letra ime për ty ra në duart e gabuara dhe do vazhdojë mos ta dalloj dot kufirin. Përshembull, sot jam në mendjen tënde S., gjë për të cilën ti mendon se ka dyer apo dritare që lejojnë dritën apo ndonjë të panjohur imagjinar të hyjë brenda. Po të them se nuk jam shkëndijë si dhe me çiltërsinë e një fëmije më shkrove dje, pasi unë eci symbyllur dhe veç mund të më ndihen hapat, madje edhe ajo bota e jashtme s’ më bën aspak të ndihem e veçantë pasi me gjithë ngjyrat që ka na ndjek këmba-këmbës për të na arrestuar sepse janë zombie dhe vampirë që kanë mësuar të duartrokasin meqë është në natyrën e tyre të jenë spektatorë të përjetshëm.
 
E di ç’ do të ndodhë nëse rastësisht takoj atë shokun që rri ngjitur me dhomën tënde dhe ty të shqetëson me ato zhurmat e pakuptimta natën? Do më ngrejë atë pyetjen histerike që ngrenë tokësorët kur nuk janë në gjendje të pyesin veten: Pse je këtu? Ai i ngrati ka dëgjuar vazhdimisht kasetat e regjistruara në Tokë dhe ripërsërit rolin e tij, ndryshe mund të bënte krim dhe do arrestohej edhe ai.
 
Ndërkohë që çmenduria jote nuk është aspak në kontrast me botën, pyetjen histerike, lëre më me rolet. Tani ti thellë brenda vetes do mendosh se më njeh, se diku më ke parë pa ditur ti japësh një shpjegim aty për aty si dhe vepron kur rrëzon pastruesen nga shkallët e çmendinës, apo kur shishet e qelqit në fabrikë, të vendosura me një rregull të përpiktë, rrijnë në raft pa kuptuar se thyerja është aty tek ato vetë. Edhe sendet flasin dhe njerëzimi histerik le të këmbëngulë: pse je këtu? Në lashtësi ata kishin shpellat, ndërsa sot belbëzojnë me qiellgërvishtës duke gënjyer veten se sfidojnë gravitetin, pse stërzgjasin hekur e qelq nëpër qiell. Po nga kush dreqin ruhen?! S. është e kotë, baltën e kanë zëvendësuar tashmë pasi kanë frikë se bëhen pis dhe as që duan ta çojnë nëpër mend këtë gjë. Në fakt, është zgjidhje më e mirë, hekuri ngjall frikë dhe frika u shkon për shtat, po ashtu dhe zhurma është rregulli i tyre i përpiktë dhe duhet të kesh parasysh që para se të hysh aty, duhet të trokasësh. Ç’ paradoks!
 
Mesa duket, nuk nevojiten këllqe të thithësh oksigjen! Shiko sa qesharakë janë, vazhdojnë të na shohin me teleskop, ja ky është njerëzimi! Por ti mos mendo se do të të lë mes gërmadhash arkitekturore pasi nuk është as në shijet e mija. Shiko, kemi humbur në askund, shkruhemi. Mos trokit! Ti je unë dhe ne jemi qenie pa dyer, më kupton tani?
 
 
 
Me sy të lirë
 
Koka preku retë e universit…
Kisha braktisur aurën shumëngjyrëshe,
për të kërkuar rrugë të tjera qiellore,
ku parajsat rrijnë pranë njëra-tjetrës,
dhe mrekullitë shihen me sy të lirë!
 
 
 
***
 
Asgja veç mashtrimit s’ kish shkelë,
n’ shpirt t’ huej kish hapat m’i fluturue.
Ja mbrritëm viganve mos me u hutue!
E tash, ç’ ka duhet me shtue e me hjekë?!
 
 
 
***
 
Çfarë nuk mban portreti i saj!
E para, zjarr në sy.
E dyta, s’ka të dytë e as të parë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s