Poezi nga Agron Shele

Poezi nga Agron Shele

 

Shëmbëlltyrë

Nga të gjitha vizionet
e përshfaqura përherë beftas
çlirimit të një një zëri fsheur prizmeve përthyerje
prerë nga segmentet kohë
është një përpjekje
e shpëtimit nga vetja
fshehur vetëdijes me duar të shtrira qiellit
si krahët e një peme
që harlis pranverave të ardhura
por dhe përplaset furtunave,
ku rrathët e harkuar shndërrohen në provë qëndrese
e rrënjët
në vazhdimësi e asaj që rrëfen të nesërmen.

Nga të gjitha shkallët
që zbresin kateve të errëta
atu ku një qiri ndrit rrugën e nëdheshme
të shpirtrave që flenë,
ose brakrisjes së madhe të asaj që dikur egzistonte në koncepte të zotave dhe shpatës
mburojë e parzmores së gjenezës
nga *Atlantët e fundosur ujrave të thella
e shpellave të “Herkulit tek ndiqnin një rrugë
ujdhesave të fatit shpëtim
në harta të pashkruara
e breza ngritur me krenarinë e dikurshme
deshifrimeve të padeshifruara
gërmave të pashkruara
belbëzimit të vetëm
takimit me njeriun.

Nga të gjitha përpjekjet
përkryerjes së shëmbëlltyrës në tokë
mbyllur në një kuti të drunjtë
besimit të “Noes, se ajo që u pëmbyt ndër këmbë humbi
bashkë me mëkatet e gjarprit të sjellur në një kopësht,
ku vetëm një kafshim humbi përjetësinë
e një trup u pushtua nga herezia,
si humbëtirë e greminave që ndajnë
por dhe urës që bashkon
atë gjurmë të gurëzuar në rendje
qe ne e quajmë *Jetë…!

 

Më shumë se një rreze…!

Ishte më shumë se një rreze dielli
që përthyente koloritet ylber
tek ndryshonte ngjyrat pas xhamave akrelinë
bulëzuar në pikëzime të pafundme shiu.
hieroglife të padeshifruara
shëmbëlltyrë e asaj që ish
një gotë vere më tepër
e ndoshta një cigar tymit pështjellim.

Ishte ndoshta një det
ku mblidhte të tëra stuhitë
e kthehej në dallgë furi
përplasur shkëmbinjve brerë pa pushim,
shkëmbit të bardhë ngelur
shenjë e stërkalave fluide në ajër,
ku një shpend deti këlthet dhimbjen e mbledhur
e ndoshta një sirenë përmbys fatin nënqeshur.

Ish më shumë se një legjendë
ardhur nga mbishkrime të vjetra,
papiruse dhe shkrime në pllaka të thyera,
nota të një lire dikur aq ëmbël kumbuar
jehonën kur një Hermes drejtonte harkun
e një Orfe përshpirtej nëntokës dashuri,
një Euterpë ringjallte muzën e perëndimeve
tek digjej flakë e bëhej hi
dhe ashtu përulur hyjnores jetë
me të vetmen dritë që kozmosin verbon
ngrihej e përpinte të tëra botët
si Venus, që shpirtin përjetë do ndriçojë.

 

Beethoven – Für Elise
(Pianistit të talentuar Psalm Samuel Jabez S. Trinidad, duke luajtur Für Elise)

Akrepat ndalojnë një çast
e duart rrëshqasin në piano
pasthirrmën që vjen ngë më i thelli shpirt
pasionin e dëshirave të fshehura
tek një madhështi e përshfaqur,
që udhëton vetëm nëpër ëndrra e bëhet fëshfërimë
e notave perntagram kthyer në tinguj të padëgjuar,
por ndjerë
aq gjatë,
sa kohët plaken e thinjin memoriet
por jeta deshirfron muzikën e shekujve.

 

Anna P. Markova-Vinogradskaya (Kern)

“Unë ju kam dashur heshtur, shpresëhumbur,
Herë me drojë, herë me xhelozi.
Unë ju kam dashur çiltër, e aq bukur
Sa, kaq o Zot, ju dashtë tjetër njeri”

Aleksandër Pushkini

***

Çfarë prushi zemre ndezi Anna
që fanepset, si e shenjta bukuri
zjarr e dallgë ngritur përmbi shpirtra
fshehur thellë, gjer në dashuri.

S’ ish drojë, as dhimbje e ardhur poeti
kaq beftas, natës fërgëllim
me flokët erë dhe frymë veriu
tek fekste e vdiste një yll.

Ish ëndërr e zbritur nëpër muzg
dhe sy i fshehur nën qiri,
kur shfaqej heshtur shkronjave gjak
e derdhej muzës çmenduri.

E hajthshëm prekte kurmin trup
arritur sot, gjer aty,
ku dallgë bëhej përmbi dete
dhe zjarr që ndizej e bëhej hi.

Ç’ farë hapash hodhi në memorie
e gjurmë e mbetur, si ajo
një pamje më shumë se engjëllore
dritë e zbritur në agim.

Kopsht i qëndisur trëndafilash
e kuqe e verës shenjë në buzë,
tek rrëzëllonte shëmbëlltyrën e shekujve
pikturuar përjetë, si nimfë blu.

Ndoshta një ditë prej ditëve të saj
u kthye e gjitha, një gazëllim,
aq sa netët fiknin një botë
e bota ringrihej magjishëm sërish.

Dhe gjithë ky zjarr fshehur në gji
ndriçon çdo mbrëmje, flakërin
ai si shenjt, që zbulon sharmin
e ti si perndeshë që e ktheve në Hy!

 

Ti që shkon …!
(Inspirim nga Artur Rembo)

Ti që shkon nëpër atë lumë të turbullt
nuk e njeh zemërimin e tij
as zallin e bardhë që shvendos me furi,
këmbët e hedhura përmbi dallgë dinë vetëm të përpijnë
e humbasin në të errëtat ngjirize
që poshtë thellësive dergjin dhimbjet agoni.

Ti që shkon nëpër atë lumë,
mos u shndërro në një kujtim i hidhur,
ose lule që do çelësh gurëve të zhveshur,
se mijëra yje do ndizen e fiken shpirtit tënd
e netët oshëtima do thërrasin Ofeli.

Ti që shkon nëpër atë lumë të zi
mos i vdis shekujt pa të ringjallur sërish,
që dhe një herë kalorësi të vrapojë bashkë me erën
dhe ti të shfaqesh shëmbëlltyrë nëpër qiell.

Ti që endesh si valë e bardhë
mos u shkri një me ujërat gurgullimë
as me Hënën zhveshur nëpër muzgjet e fshehta,
se një bukuri e shfaqur natës së vetmuar
është syri dhe drita e vetë magjisë.

 

Teatri

Ti simbol i fundit i vendit tim
mburojë e asaj që erdhi nga gjeneza
gërmëzim i fjalëve të para të memories
rezistencë e një kulti të lirë
sot të shoh shtrirë në tokë
të gjakosur
nga tinzarë, që memorien e kanë të lidhur me djallin
endur barbarisë kohë
si hiena, që të shikojnë si pre për të mbajtur frymën gjallë
dhe sot
nxitojnë marrëzisë
për të vrarë një qytetërim
për të vrarë një kulturë
ardhur nga shekujt
në një degë dafine
tashmë rrëzuar
dhe turpëruar
për atë kush jemi
dhe atë çfarë përfaqësuam.

 

Pas maskave
(Inspiruar nga letra e një shkrimtari në kohën e gripit të Spanjës)

Më ra dhe mua në dorë një letër
në fakt një tekst i shkruar në tjetër kohë,
ku mes maleve të Francës kërkohej shpëtimi
dhe pena shkruante me duar të grishta
rrëfente
jo për ata që vdisnin nga ethet
por për jetën si ngrihej mbi harqe të kryqëzuara
tek zbriste si dritë pëmbi tokë
e zotëronte mëngjeset e çelura për çdo ditë.

Sot tjetër kohë erdhi tinëzisht
me shqetësime dhe bebëza të frikësuara,
që fshihet pas maskave të shpëtimit nga vetja
izoluar prangave të mikrobit
kufijve të një banese që ka për qiell tavanin
dhe për horizont një kopësht çuditërisht të lulëzuar stinës,
ndërsa kjo letër kumbon ende në vesh
si pasthirrmë, e asaj që u shkrua…!

 

Bashkë me erën

…. dhe pse blusë së qiellit fshihesh
Orfeu sërish do zbresë
do ndjekë atë rrezatim në të fundit kat
e do dehet muzës së tij,
lira do mbushë me akorda muzike
të tëra nënkatet dhe
e ti, si shpirt i endur fluturim
do çmendësh botën si përherë.

Pastaj thirrma do bëhet jehonë
e do ndjekë pas në eter
hijet e kurmit vizatuar tek një nimfë
që shtatë dete i trazon,
e kur valë e bardhë të prehet bregut
aty ku shkelin perënditë
një sharm i kuq do ngrihet përmbi dallgë
e jetën të tërë do ndrijë.

As penë, as bojë, as laps nuk e përshkruan
atë që u ndez e u shua
tek fikje fatet e nisje luftra
njësoj si të ishe Helenë,
e krahët hapur portave të diellit
ku një derë përherë e çelje
për atë që erdhi si i fundit Zot
dhe humbi bashkë me erën.

 

Prarim…!

Jeta është dhimbje dhe dëshirë e heshtur
rendur në kufijtë e vizioneve të shkuara,
është gjurmë gjaku dhe shkronjë e mbjellur
rishkruar në psaltet e fshehura të memories!

Pastaj ajo lëvore që fsheh damarët
e vishnjës që mbledh netët, Hënës në ndriçim
është më shumë se njëmijë mbrëmje, zbritur prej Veriut
nga më të lartët yje, shpirtit vezullim.

Dhe sot kaq beftas, shfaqet si prarim
dritë ëngjëllore, përmbi çdo shkëlqim
s’ është mjegull e rrëzuar, mbi lumë a liqen
por fanepsje e botës, derdhur në magji !

 

Lulëkuqet kanë çelur

Lulëkuqet kanë çelur
shndrijnë të kuqen e çmendur mbi buzë të pranverës,
puthen me flladet
për të zhveshur një e nga një petalet
blerimit që shpërthen gjirit të tokës
tek pikojnë gjakun e shpirtit ndër deje
për të sjellë më shumë dashuri të nesërmes.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s