Poezi nga Zhaneta Barxhaj

Poezi nga Zhaneta Barxhaj

 

***

Më çmendi dielli
e nga larg më bënte karshillëk.
Unë e shoh atë që nuk e sheh dot ti,
e përkëdhel me rreze atë që nuk e përqafon dot ti,
e ngroh në përqafim të artë,
atë që nuk e prek dot ti.
E marr përdore udhëve ku nuk ecën dot ti,
më fliste parreshtur gjithë hidhësi.
Ndaj, u çmenda, ja hapa kafkën me thonj
e të nxorra prej tij.
E pashë tek u përgjak e u fik pas malit,
si dëshmitar i rremë largësie.
Tani, në zemër të natës,
jemi vetëm unë dhe ti,
e nuk na duhet asgjë tjetër,
për të vezulluar lumturie…

 

Dialog ëndërre

-Çfarë po pi ti?
-Ëndërra me sy të mëdhenjë, po ti?
-Ëndërra me mjegull mëngjesi.
-Je si ulkonjë, çfarë bën nëpër mjegull?
-Mbush shportën me copëza bardhësie,
me vesë vere të kuqe dhe dehem.
Pastaj, bërë xurxull, shtrihem mbi metaforë
dhe jap shpirtin.
Në atë agoni të qashtër më merr gjumi,
më shpie në shtratin e tij cullak
e më vë serum dielli.
Kështu më gjen mëngjesi e zgjohem.

-A puthet ky shpirti apo vetëm pihet?
-Nuk di nëse mjegulla të lejon ta gjesh,
ta prekësh, ta puthësh,
këtë agoni aromash e lulesh,
që zgjat derisa e kap kllapia e figurinave.
-A mund të luaj, të gërmoj edhe unë në këto figurina?
-Ah, nuk dua të gërmoj më në kopshtin tim.
E kam mbyllur derën e po kundroj kopshtin tënd.
Ka ngjyra të bukura aty.
E di, nuanca dritëhijesh vinë e më rrëmbejnë
e fluturoj e sillem aty rreth teje.
Ngrije kokën, më sheh si jam hutuar?

-A puthet hutimi?
-Nuk përgjigjet dot, është i hutuar.
-Mirë, po e puth pa e pyetur,
ta puth hutimin bashkë me hutimin tim.
-Është bukur të jesh aty,
pa logjikën, pa fizikën, si një polenë zambaku,
ajrit që vertitet e shtjellet në ty,
si një prehje vere…

-A ka gjuhë hutimi?
-Është somnabul hutimi,
i ka të gjitha si frymë e gjallë,
por lëviz si fantazëm nga botë tjetër.
-Ti po qesh me mua? Të dukem i marrë?
-Më dukesh i ajërt nëpër buzë e buzëqeshem.
-Ta puth buzëqeshjen pra, fli…
-Fli edhe ti, pa ëndrra në mjegull!

P.s. Duke ujdisur shënimet, më doli ky dialog para pandemie. Dhe po mendoja që ka ëndērra të bukura, vetëm si të tilla që janë larg realitetit, ashtu siç ka realitete aq të bukura, sa të mbajnë larg ëndrrës. Por, ne prapë i duam ëndërrat, se kanë atë pluhurin magjik që nxit imagjinatën.

 

***

Lëmsh farashuk,
shkafanjitet malli në mua.
Cimbël e cifël ma ndau shpirtin,
e deri në çumbër e mbushi gjymin
e pritjes së pasosur.

Tani, duhet ta zhbëj farashukun.
Me cimbidhin e dorëzimit,
do shkul çdo cifël e cimbël,
e nën dhimbjen e mallit,
do shtroj si rrogoz…harrimin!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s