Poezi nga Alisa Velaj

Poezi nga Alisa Velaj
 
 
SI HESHT JARGAVANI
 
Si hesht jargavani mbi çati nën dritë hëne
Si hesht në zëra të butë pritjes
Ashtu e thirra unë emrin tënd nëpër muzg dashuri
 
E thirra ngadalë a thua se më rrije pranë
Sikur të ishe aty prej të vërteti e thirra
Dhe vetmia shushuriu fllad rreth bredhave
Nëpër trup të territ shushuriu vetmia
 
Unë mallin për ty s’e vesha kurrë me gjethe
Por veç heshta, heshta si jargavani i kacavjerrur mbi çati
Duke pritur simfoninë e diellit të kumbojë nëpër ag
 
 
 
JEHONË
 
Do gjendet një kuptim për mua dhe për ty
Kur të mësojmë t’i rrimë larg vetmisë së qiparisit
Një kuptim do të gjendet sado të mërzitshëm
Të jenë qiejt e ditëve mbi kokat tona.
 
Do gjendet një kuptim kur në shpërfilljen e bredhave
Do të zbulojmë thelbin e asaj që s’ u duk
Aspak pse nuk deshi, aspak pse nuk mundi
Por veç kështu (bash në këtë shpërfillje)
E ruajti të pashuar prushin e mosvyshkjes.
 
Do ta gjejmë atëherë më të thellin kuptim
Në jehonat e largëta të një kënge të panjohur
Që ia mësojmë fjalët përherë nga e para
Sa herë i trembemi të huajës së papritur
Që s’di pse mbin ashtu tradhëtisht mes nesh!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s