Shtëpia Botuese “ADA” publikon vëllimin poetik “Më zgjon një mall” të autorit Besnik Bedollari

Shtëpia Botuese “ADA” publikon vëllimin poetik “Më zgjon një mall” të autorit Besnik Bedollari

Autor : Besnik Bedollari

Titulli : Më zgjon një mall
Redaktor e recensent : Prof. As. Dr. Agron Agolli
Kopertina : Fiona (Gjalli) Bedollari
Botim i parë, 2020 ISBN: 978-9928-326-06-5 Formati : 14x20cm
©: Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

Roland Lushi

Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr.Mihal Grameno Pall.32 Ap.7 Tiranë
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, qershor 2020

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Bedollari, Besnik
Më zgjon një mall : poezi / Besnik Bedollari ;
red. Agron Agolli. – Tiranë : Ada, 2020
88 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-326-06-5
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1

 

PARATHËNIE

Për vëllimin e ri poetik “Më zgjon një mall” të Besnik Bedollarit

Poeti gorar Besnik Bedollari po del përsëri para lexuesit me një vëllim të ri poetik. Ky libër vjen mbas dy vëllimeve të tjera të këtij krijuesi si dhe disa librave me prozë të shkruara në vite. Përvoja e fituar dhe përkushtimi ndaj këtij zhanri artistik e bëjnë autorin më komod e të sigurt në rrugën e tij. Tani s’ka dyshim se poeti e ka kuptuar akoma më mirë të vërtetën e njohur botërisht për vendin dhe rolin e poezisë “Si mrekullia më e madhe e intelektit njerëzor” apo sikundër thoshte edhe Lasgushi i madh, mjeti që “Formëson shpirtin e një kombi”. Dhe natyrisht këtë gjë e bëjnë poetët, këta profetë të popujve dhe lirisë me talentin, intelektin, integritetin dhe individualitetin që kanë krijuar. Kush e njeh poezinë e Besnikut s’e ka të vështirë të kuptojë se ky vëllim është pjesa më konceptuale e jetës së tij, e historisë së vendlindjes dhe bijve të saj, shkruar me sinqeritet e çiltërsi që i bën lexuesit më të ndjeshëm ndaj këtij realiteti konkret. Poet që nuk vuan për lavdi, as për t’u dukur edhe pse me punën e tij krijuese e meriton një vend nderi në korin e poetëve të asaj treve e më gjërë. Shihni si hyn e del nëpër faqet e këtij vëllimi i qetë si liqeni, i trazuar si lumë malor, njeri i mbushur me mall e kujtime, i guximshëm si shqipja e Lenies, krenar si Guri i Kamjes. Me këtë libër Besniku ka lënë edhe disa gjurmë të tjera artistike, mbështetur në rrënjët e vjetra të traditës më të mirë poetike të zonës, kulturën dhe visaret e vendlindjes e të banorëve të saj. Në poezinë e Besnikut ka ndjenjë e mendim të pastër, ka zjarr që s’shuhet as dimër as verë. Natyra e Gorës, me bukuritë e rralla të saj, në vargjet e këtij libri, merr jetë, merr dritë, të fal gëzim e dashuri të shton ca tinguj gëzimi e fton shpirtin të këndojë melodinë e bukur të vendlindjes. Poezia e Besnikut ka një diell të brendshëm dhe ky është shpirti i trazuar i poetit, me zëmër të zjarrtë e dritëplotë nëpër vargje e poezi. Në truallin e poezisë Gorare, Besniku e ka zënë me kohë vendin e tij të merituar dhe në se me vëllimin “Ujvara e fyelltë”, trokiti në portat e poezisë, me të dytin “Hapa vargjesh nën gjethe”, hyri në godinën e poetëve e u tha “Erdha e bëmëni vend”, me këtë libër vargu me zë kumbues i tij përshëndet denjësisht plejadën e vjetër të poetëve të vendlindjes, Vehbi Skënderin, Koçi Petritin, Agron Agollin, Besim Shytin, Ymer Nurkën, Petrit Braçen, Enkelejda Kondin Masseboeuf, Nexhip Bashllarin, Çelik Petritin, Ramadan Dinoshin etj. Dihet se poezia e bukur del nga thellësia e shpirtit të poetit dhe të tilla ky libër ka mjaft, ku dominojnë lirikat tingëlluese e me varg të lëmuar tërë muzikalitet. Tipar dallues i poetit është besnikëria ndaj idealit të tij krijues, sinqeriteti dhe vendosmëria për të ecur përpara e kërkuar shtigje të reja poetike. Poezia e tij ka brenda freskinë e malit me erë, fëshfërimën e pyllit me fletë, aromën e barit të kositur në livadhe, këngën e korit të thëllëzave në agim dhe cicërimën e zogut të Dolanecit mbi degën e frashërit të bardhë, ka shpirtin dhe karakterin e bijve të vendlindjes. Poezitë e këtij vëllimi, lexohen me kënaqësi, të lënë mbresa e emocion pasi vokacioni i tyre shfaqet herë si poezi patriotike, historike, herë si baladë, me varg të thuer e herë si lirikë erotike apo e dashurisë për natyrën. Dhe të duket sikur i ke biseduar këto përjetime me autorin, dhe janë tërheqëse e çlodhëse pasi autori ka ditur t’u japë një veshje artistike e estetike të kohës, të gëdhëndë vargje plot mesazhe për realen, të bukurën për jetën për gjërat që njeriut i mungojë në etikën e tij. Poezia e Besnikut mban gjallë shpresën e jetës tek çdo lexues duke i dhënë liri shpirtit për të bërë më të mirën për vete e të tjerët. Është poet i dhimbjes për atë që s’u bë mirë në të kaluarën por edhe i dashurisë për të sotmen që s’flet për veten e nuk u imponohet të tjerëve, që nuk ndahet nga vendlindja ashtu si burimi e lumi që s’ndahet nga deti që e ushqejnë. Besniku nuk është tundues e zhurmëmadh, s’kërkon salla e tribuna mondane dhe pse di të flasë qartë në ekrane e kuvendojë këndshëm me njerëzit për problemet e mësimdhënies. Më gëzon fakti që verbi poetik në këtë vëllim, ka energji shprehëse, intensitet më të vrullshëm e konçiz ajo që është e nevojshme dhe kërkohet sot për poezinë. Shihni sa pastër e qartë flet vargu e poezia e Besnikut nga e thjeshta tek simboli: “Bota djallëzore ushqen dhimbjen e shpresën po e vret”, thotë te poezia “Flas me kohën”, “Rrëmbemë pa zë, të vdes dashuruar”, tek “Eja pa zë”, “Mos e shkelë pa dashur këmba e çalë ëndrrën e trembur” tek “Ëndërr e trembur”, “Rrugicat e jetës dalin në një rrugë që nuk njeh kthim”, tek “Rrugicat e jetës”, ” Në burgje të plakura ku thyhen zinxhirët”, tek “Psherëtima e shpirtit”, “Pres i malluar kujtimet e largëta”, tek “Buzëqeshje e munguar”, “Në mëngjesin e zgjuar, lind dita e re”, tek poezia “Botën fal”, “Humb vezullimi në zërin e heshtur”, tek “Vezullim i heshtur”, “Të shkundim pluhurin e harresës”, “Më zgjon një mall” etj. Një zgjidhje fisnike ka në librin poetik të autorit, pasi ai e merr fytyrën e vendlindjes dhe të bijve më në zë të saj me vete, i fut natyrshëm në poezi, kuvendon me ta e i ruan si gjënë më të shtrenjtë pasi i dhurojnë frymëzim, subjekte e ide interesante. Jeta e poetit është plot privacione e vështirësi, por kjo nuk e ka penguar të ecë përpara duke flakur tej veset e kohës e rritur vitytet si krijues, si mësues si prind e drejtues në një zonë të thellë që kërkon sakrifica e përkushtim. Dhe është i suksesshëm pasi ka bindjen e plotë tek porosia e të madhit Dritëro që thoshte “Ja vlen të shkruash, ja vlen të vuash”. Falë formimit intelektual, kualifikimeve profesionale dhe mbështetjes në folklorin popullor krahinor e kombëtar, duke lënë pas vogëlsitë, stolitë e tepërta, vjershërimin deklarativ ndonjë hije apo zbehje figurative, del me guxim e përgjegjësi para lexuesit me individualitet, gjykim e mençuri e shije të shëndosha artistike. Nëse Besniku këndon me zërin dhe mënyrën e tij do të thotë se është nga të tjera brigje, nga ato shtigje që siç thotë Robert Bërns “Ja bëjnë përherë me sy”. Edhe pse autori proferon vargun e thyer, ku mendimi del lirshëm, të bie në sy përpjekja e tij e suksesshme për një varg të rregullt e të disiplinuar me rima të kryqëzuara e muzikalitet si tek poezitë “Moj gonxhja me erë”, “Gorës”, “Mulliri i Vjetër” “Lirikut korçar”, “Nënës”, “Foli pranvera”, “Të presim Dritëro”, “Jeto me kohën”, “Pijaniku”, “Fëshfërimat e shpirtit”, “Gjirokastrës” etj. Poeti ka jetën e tij dhe e di që ajo s’rrjedh njëlloj për të gjithë megjithatë asnjëherë nuk heziton të shikojë se i miri rron sa do i ligu, kur i padituri shet dituri, e thyersi i ligjit predikon drejtësi. Besniku është një poet që jo vetëm që ka ç’të thotë por di edhe si ta thotë. Gëte thosh “Në se do të njohësh saktë një shkrimtar vizitoi vendlindjen”. Në mjaft poezi duket hapur dhe prerë qëndrimi i poetit që bie si shuplakë e fortë mbi muranat e kotësisë të ngritura e sajuara nga njerëzit dallaverexhinj, hipokritë e të pabesë të kohës. Kështu ky libër është një dritare e zë i fuqishëm që na lidh me vendlindjen duke lënë gjurmë në udhëtimin tonë historik, gazetaresk e poetik nëpër visaret e traditës sonë krahinore. Ndërkohë që autori i vëllimit nuk e hap kollaj zëmrën pa u bindur për pastërtinë e atij që do të banojë në të, ai bëhet shok me kaçakë, komitë e kapedanë të dëgjuar si Shahin Matraku, Kajo Babjeni, Malkë Zvarishti, Ismail Dërdusha, Neki Pirgu. Besniku është një krijues që jeton me bindjen se do të jetë gjithmonë nxënës për të mësuar nga jeta e njerëzit. S’ka ligësi në botën e këtij poeti kur me finesë e merak na sjell mjaft poezi që kanë e mbartin ide të mëdha e të kohës si Atdheu, besnikëria, bujaria, miqësia, liria, sinqeriteti, dashuria, familja, dituria, për të cilat liriku i madh Lasgush Poradeci do të thosh se e bëjnë poezinë të jetojë gjatë. Tema e dashurisë mbetet “Magjia e shpirtit të pastër e të lirë” të autorit që secili e këndon me zërin e vet, që lind kur çelet zambaku e trëndafili dhe që nuk vdes kurrë duke gjelbëruar si lisi mbi shkëmb por edhe vyshket si lulja në rrëpirë. Më vjen mirë që Besniku e ka bërë për vete thënien proverbiale të Pablo Nerudës se “Dashuria lind nga kujtimi, jeton nga inteligjenca dhe vdes nga harresa”. Sa krenar e dinjitoz është autori i këtij libri kur thotë për fshatin e tij se ” Atdhe të parë veç ty të kam” ndërkohë që dashuria për vendlindjen mbetet vlera e parë e njeriut të qytetëruar, pasi ajo si diçka e çmuar ka një ndikim të madh dhe le gjurmë të thella në vetëdijen e poetit. Autori ka shkruar edhe tre libra të tjerë në prozë atë me tregime “Zambakët që freskojnë lotët e mallit” dhe “Duke ndjekur ritmikën e jetës” me reportazhe e shënime udhëtimi, gjithashtu dhe novelën “Dritëhije shprese”, por unë këtu çmoj vlerën e poetit që i duhet krahinës dhe Shqipërisë ashtu siç i duhen natës yjet. Libri me poezi “Më zgjon një mall”, është prodhimi më fisnik i zemrës dhe shpirtit të tij, është fryt i intelektit. Zëri i fjalës së poetit dhe gjetjet e përzgjedhura të tyre si dallëndyshe, nënë, prag i gurtë, lot, buzëqeshje, pranverë, zambak e trëndafil, shqiponjë, thëllëzë, bija ime, veri me erë, mal, ujvarë, burim, kohë, mirësi, agim i çelur, lis, shkëmb, shkrep i thinjur, rrënjë të vjetra, vendlindje, kaproll, është premtimi më i përligjur për të mbetur më gjatë në kujtesën e brezave të asaj treve ku ai lindi e u rrit. Autori i këtij libri e meriton nderin dhe respektin se truall i poezisë së tij është hapësira shpirtërore e njerëzve të thjeshtë. Ai ja jep zërin, këngën, gjetheve, zogjve, rrugëve e pemëve, burimeve e krojeve që ushqejnë muzën e tij, dhe di të çmojë jetën pa është i denjë për të dhe di ta kursejë kohën se i punon mendja. Libri tregon se poezia është një pasion që do ta ndjekë autorin gjithë jetën pasi poeti ngelet poet në çdo kohë e qeveri deri sa të jetë gjallë. Treva e tregon veten edhe nga poetët që nxjerr ndaj dhe ky libër ka kuptim të fjalës, dritë të mendjes, dinjitet të gjuhës dhe saktësi të së vërtetës. Të uroj vullnet e zell për vepra të tjera si ato që na ke dhuruar Besnik i dashur !.

Prof. As. Dr. Agron Agolli

Tiranë, më 23.03.2020

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s