Poezi nga Odise Kote

Poezi nga Odise Kote
 
SHQIPONJA
– baladë.
 
U ngjit aq lart në ajër shkëlqimtar,
majës së pambërritshme të malit, atje.
Një fjollëz reje, bardhoshe, mitare,
ia lidhi si shall folesë së re.
 
Arrati prej syrit të nxirë që po plas,
hovit të shuar, shpuzës së mekur.
Ndalo këtu, Krenari dhe Maraz!
Tretu në vesë. Humb nëpër mjegull!
 
Dritës kur zgjohet, agut n’agim,
sqepin e kthyer, ia nis ta përplas.
Zezonën vret, përhieroren e zymtë,
çak e çak, me vrullin hidhërak.
 
Godit e thyej, shkrepës pa pushim,
pluhur e flakë, lëndim i bardhë…
Çika e strall, zell i pakthimtë,
shkëmb qiellor i çarë në damarë.
 
Shqyen copash, prazmoren e vjetër,
të shkuarën mëkatare humbet në zali.
Dhimbë e dhimbës pret dhimbë tjetër,
shkon i mosduhuri e del sqep i ri.
 
Me sqep luftëtar, mbi kthetra të lodhur,
i shkul një nga një, hapësirash i flak.
O klithmë e klithmës, thikë e gjakosur,
në thithkë të ferrit, o shpërg përvëlak!
 
Pa shkulen dhe pendët, trupit në hark,
njehsim i thukët, gjakim e pendesë.
Duron – durimi në dhembjet pa cak,
se lind e reja dhe e vjetra vdes.
 
E ngjitur aq lart në ajër shkëlqimtar,
në majë, ku s’guxoi të ngjitet askush.
Në shtjellë purgatori ky shpend i rrallë,
detyrën ndaj vetes dhe Zotit përmbush.
 
Rilindur prej hirit, prej dhimbës e plagës,
lehonë vetmitare, nga maja …atje!
Qiejve të kthjellët, stuhive, shtrëngatës,
lëshohet gjithë vrull Shqiponja e re …
 
 
 
TI MË MËSOVE …
 
S’mjaftuan orët nën pemën e lagur,
as shirat e pasditës, disa iskra bryme.
Ti ishe gjithë librat që kishe lexuar,
unë lundërtar në ëndërrime.
 
Mbrëmjes së vonë, kur fjalët dhe qiejt
u tretën në paqe, në thelb e kuptim,
largoje errësirën, më thoje e trembur,
dhe pak, të thoja, doemos në agim …
 
… pastaj ti fjete me faqen mbi xham.
I frikur të mbaja në sy e në krahë …
 
Kur flladi i vjeshtës që bënte muzikë,
të zgjoi, më pyete : bëmë Diellin të lindë?
 
Sa afër, sa larg.
Të kthjelltë, miturakë,
të qelqtë, të lotueshëm si droja.
Të kisha mësuar si të bëje dashuri,
më kishe mësuar si të dashuroja …
 
 
 
MANJOLA …
 
Cipëhollë kjo manjolë, ngjyrë e lëkurë pjekur,
Vjeshta do edhe ca muaj që të vijë e dehur…
 
E thërret flak’ e pjalmimit, lulim hajthmërie,
Ndezur shejzat edhe hiret, ojnat brendësie.
 
Të gjitha pse -të e ngurimit i këput prej krahëve.
Se nis udhën e flijimit, udhë e mëkatarëve…
 
Kërkon duart ledhatare nëpër trup të saj,
Klithin pritjet, digjen afshet në zjarthin mitar.
 
Pa shiko se si po mardh trillesh sup i fshehur
Vjeshta do edhe ca muaj që të vijë e dehur …
 
 
 
HAMENJTË E PAZARIT …
 
Shkuan përtej kësaj jete të trazuar,
Hamenjtë e Gjirokastrës, hallexhinj të vjetër.
Lodhur, buzëplasur, kavalierë të duruar,
Ikën të prehen tek ajo, Bota Tjetër…
 
Krahëfortë si guri, senatorë të haresë,
këndelleshin ditëve, në pritje shërbimi.
Varfërisë lënguese ti jepnin pak jetë,
kur u çonin mobilje a sende gëzimi.
 
Molo, Raxh, Mellan – zogj të Pazarit,
gojëmbël esnafë, djersë e ndershmëri.
Mbi kurriz të tyre fuqi e guximtarit,
hartë kamzhiku e fat endacaku në vetmi.
 
Të urtët e përjetshëm, të argasurit bonjakë,
peshat ngrinin pupël dhe ërr… nëpër sokakë.
Kur mblidheshin darkës nga sazet e tyre,
taverna “Kurveleshi” bëhej tym e flakë.
 
Shkuan Hamenjtë, gjurmë të bardha lanë pas,
të gjithë do të ikim një ditë nga kjo botë.
Nofkat : Herkul, Tigër, Këmbëmadh,
hieroglife të shkruara me gur në çdo portë.
 
Shkuan një nga një Hamenjtë e Gjirokastrës …
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s