FLUTURIMI I PËLLUMBESHËS / Tregim nga Resmi Osmani

FLUTURIMI I PËLLUMBESHËS

 

Tregim nga Resmi Osmani

        1   

       Gurrasi, hapte sërën e fshatrave të luginës së  ngushtë, zhytur në  gjelbër. Lumi në mes, ujëpakët, shushuritës,  verës, që mund të kapërcehej më këmbë, dhe i azdisur  e bubutitës dimërit, çante udhën për tu bashkuar me Vjosën. Në të dy anët, larg e larg njëra –tjetrës  shtëpitë e gurta të fshatit,të ndara në dy mëhalla, të tulatura në këmbët e malit. I lidhte ura e gurtë, me qemer, e vjetër sa s’mbahej mënd kush e kish ndërtuar. Më tej,drejt jugperndimit sëriteshin fshatrat e tjera. Të pakta tokat e bukës, por  të begata kullotat e malit, që mbanin e ushqenin bagëtinë. Fshatrat ishin irate të Selfo Bej Gjizotit, mik i bimbashit të Gjirokastrës dhe valiut të Janinës.Thoshin që fijet e miqësisë i zgjateshin gjer në Stamboll. Paqen dhe jetën e fshatarëve, herë pas here e prishnin koshadhet e turkut, që kërkonin kaçakët dhe sejmenët dhe larot e  Selfo Beut, që bënin zullume, plaçkisnin dhe mblidhnin taksat e të dhjetave.

Të bukura fshatrat, të mëdhaja hallet.

Në lagjen e përtej lumit, fare në krye, lartoheshin sarajet e beut,me shumë konakë e të rrethuar me avlli të  lartë, si karakoll kalaje. Hija e tyre e rëndë shtrihej tatëpjetë luginës dhe shtypte fshatrat si një makth dhe shpirt i së keqes. Që aty ndaheshin dy rrugë, njëra për Gjirokastër e tjetra për Janinë. Selfo beu, burrë në mesmoshë, i sertë e hijerëndë, krenar për oxhakun e fisin që ishte, shtathedhur, i hijshëm në pamje,i keq në shpirt, sqimatar, i kujdesur në veshjet që i vinin nga Stambolli dhe Janina, me irate dhe kamje, që kur i vdiq e shoqja Selfixhe hanëmi, bijë e fisme dhe e bukur si hyri, nga oxhaku i Çelajve, netëve ndjehej i vetmuar dhe e trishtonte ai vendi bosh në shtratin e madh . Hajrie Arapja, kodoshja plakë, kujdesej që herë-herë, ti fuste në jatak ndonjë kopile të kolme, bijë të rajave, nga ato që shërbenin në saraje, por kjo s’ia mbushte atë boshllëk dhe s’ia ftohte gjakun që i ziente, e s’ia shuante dëshirën , që e nginj një burrë, por e bën të mundur veç zotërimi i bukurisë kurmit dhe rinisë së  një vashe. Kur nuk shkonte në Janinë apo Gjirokastër e Delvinë, për punë në hyqymet apo në miqësi, jepej pas gjuetisë. Bashkë me sejmenë e suvarinj dhe një lukuni zagarësh, ose  i binte kryq e tërthor çifligjeve, që t’u kujtonte bujqërve, çifçinjve dhe harbutërisë e rajave pagesën e borxheve dhe detyrimeve të prapambetura,qoftë duke mbetur edhe pa bukën e gojës.

       2 

Lagjia e Gurrasit, që i jepte emrin gjithë fshatit, qe ndërtuar në prehër të malit e pranë rrjedhjes së lumit. Anës lumit rriteshin shelgje e rrape. Shtëpitë e gurta, ca përdhese e të tjera me dy kate sipas gjëndjes e kamjes së të zotërve,rrethoheshin nga kopshtet e pemëve. Ajo që e dallonte ishte kroi me nam në gjithë krahinën: me ujë të bollshëm, i kulluar si lot e brisk i ftohtë, që rridhte nga dy sylynjarë, në hauzin e shtruar me rrasa guri e sofate përanash, e që pastaj merrte rrëkenë duke mërmëruar për në lumë.

Shtëpia e Nase Çobanit, pak e veçuar nga të tjerat,ishte në krye të lagjes,përball urës, mbanë udhës që të shpinte në fshatrat në perëndim të luginës. Kësaj shtëpie si ishin ndarë vdekjet. Pas së shoqes, Nases i kishin vdekur njëri pas tjetrit djali dhe nusja, që lanë pas dy jetimë: djalin Janon dhe vajzën Rinën. I rriti vetë, me shumë halle,  si i thonë fjalës, vetë burrë e vetë grua. Po desh Zoti, u rritën të mbarë. Janua një trim i ri si fajkua, që shoqëronte karvanet për në Janinë dhe Rina e bukur si drita, duarartë, që ç’i shihte syri ja zinte dora, i jepte jetë e gjallëri asaj shtëpie. Nases i kishte zënë gjunjët pleqëria, cërma ia bluante eshtrat si qen e ai mezi hidhte hapat i mbështetur në shkop.  Tani  e kujdesonte e mbesa që e donte me shpirt, se ai për të kishte qënë mëmë e at. Rina  një vashë e bukur, e bukur si lule mali,  kishte shkelur në të gjashtëmbëdhjetat. Nuk mënuan të vinin mblesëritë. E kërkonin për nuse , djem nga shtëpi të mira, brënda e jashtë fshatit, por gjyshi Nase, që përgjërohej për të mbesën si jepte karar. Nuk ngutej, gjykonte e shpresonte për mirë e  më mirë. Çupa hidhte shtat e lulëzonte. Gëzim për sytë, e brengë për zemrat e djemurisë, që sa e shihnin i qaseshin  dhe i hidhnin larg e larg ndonjë fjalë fluturake, që e bënte të skuqej. Brenda vetes ndjente atë trubullirën molisëse të panjohur më parë që i grafullonte zemrën ,e bënte të ndjehej e gëzuar, dhe t’i gëzohej bukurisë që shfaqej gjithandej: harlisjes së bimësisë, luleve të mollëve e kumbullave në kopsht, këngës së zogjve, fluturave e bletëve, dritës lbyrëse të diellit, netëve të kthiellta e qiellit plot me yje dhe asaj të panjohure  të fshehtë që e priste të vinte, e sido që të qe, patjetër duhet të ishte e bukur.

Ja që e tillë është mosha e vajzërisë së parë.

        3

Një ditë qershori, ndajdreke,kur kishte shtrënguar vapa, Rina, me enët e ujit, ngau për  te kroi për të mbushur ujë. Freskoi këmbët në ujët e hauzit, gropëzoi duart dhe, hodhi një grusht ujë fytyrës. Sapo kishte vënë bucelën nën çurgun  e sylynjarit, ndjeu trokëllimë patkonjsh dhe shkrofëtimë kuajsh. Kalorësit qëndruan te burimi, nën hijen e rrapit.Rina e ndrojtur ktheu kryet. Ishte Selfo Beu me qehajain. Nuk e kuptoi pse, por në trup I shkuan të rrënqethura. Bucelën dhe shtambat e mbushura i vuri mbi sofat dhe u nis të ikte. Por Selfo Beu e ndali.

-Prit moj pëllumbeshë, përshëndete beun tënd dhe jepi të shuaj etjen nga shtamba jote.

Ajo uli kryet, mbajti këmbët, por s’foli asnjë fjalë.

Beut ju meh fryma. O Zot! Ç’ishte gjithë ajo bukuri? Fytyra si hënë e plotë, sytë me kaltërsinë e  qiellit, që u bënin hije qerpikët e gjatë dhe harku i vetullave, goja si lule shege ,faqet qumështore me cipëzën e trëndafiltë, gjokset e vegjël që gufonin nën jelekun e ngushtë, beli ti shkoje unazën.Bijë njeriu apo zanë mali që kishte zbritur te burimi? Me dy gishta nën mjekër, i ngriti kokën, por ajo e ktheu anash e turperuar, lulkuqe në fytyrë dhe e frikësuar.

-E shoh që duart i ke të zëna, po gjuhën e ke të shpenguar. Bijë e kujt je ti moj çupëz? Fole një fjalë të dëgjojë zënë beu yt!

–  ……….

Në vënd të saj u përgjegj qehajai:

-Është jetime, bej, e mbesa nga djali e Nase Çobanit, që e ka shtëpinë në krye të fshatit.

Rina, mori enët e ujit dhe me çap të shpejtë ngau për në shtëpi. Beu e ndoqi me sy dhe pastaj psherëtiu thellë . I hovi kalit dhe i nguli në ije thembrat, sa gjogu u hodh përpara me revan dhe mori rrugën për në saraje. Qehajai , i çuditur nga nga teftiku i beut dhe ai vrundull i çartur, sido që ja dinte huqet, i shkoi pas.

        4

Kaluan dit.Selfo Beun e pushtoi  dalldia tronditëse, më par e panjohur. Ç’ishte kështu?! I përhitej pamja e Rinës që i mbiu në sy, me atë dukje vajzërore tërë hijeshi e njomështi. Si kishte ngjarë tjetër herë, kur kishte hasur bukurinë e hanëmeve të fisme, t’i trubullohej gjykimi asisoj si me këtë vajzë, bijë rajaje, që të dëshironte  ta bënte të tijën. Në ditët që erdhën, kaloi disa herë nga burimi, qëndroi e priti në hije të rrapit, por vajza, zana e burimit nuk u duk më. Që ta harronte u dha pas gjuetisë, e që të shuante zjarrminë e brendshme, shkoi në kuplara në Janinë dhe dëfreu me zuska, por më kot. Qederi që kishte shtënë në bukurinë e asaj vajze, ishte si  një ethe që kishte vetëm një shërim: t’a bënte robinë e ta mbyllte në sarajet e tij. E pse jo? Thirri qehajanë, Zylyftarin dhe i tha se atë mbesën e çifçiut-raja, Nase Çobanit, e donte për kopile në saraje. Bashkë me dy trima, të shkonte t’i bënte selam nga beu, dhe çupën ta sillte në saraje.

– Bej, po sikur…..- Qehajai deshi të thoshte për kundërshtimin që mund të haste

– S’ka sikur.Thuaji se ajo vajzë do të jetë me fat e që do të shpëtojë nga skamja, që do të mbushë barkun me bukë, dhe fatmadhe, që do të rrojë nën hijen dhe kujdesin e oxhakut tim.More vesh?

– Pa kasavet, bej, që ç’ke me të, fjala e zotrisë sate s’bëhet dy.Mos kij qeder, do ta bëj teslim, gjall a vdekur.- Fryu gjoksin qehajai.

– Gjthnjë budalla mbete more Zylo! E dua të gjallë e jo të vdekur, dhe asnjë fije floku të mos i preket. More vesh?  Dëgjoje mirë: shiko se mos ai plaku  ulok, vë pallmën dhe me berihain mbledh fshatin. Mbyllja grykën  e mos e lerë të bëjë gëk.

-Peqe, bej.

-Unë po hidhem gjer në janinë, e më pas në Gjirokastër te bimbashi.Bëni atë që u thashë.Për të tjerat kujdeset Hajria.

Kaqë gjë qehajaj e dinte.Sa herë beu bënte ndonjë zullum, ikte nga sarajet dhe shkonte nëpër miqësi dhe kthehej më pas, kur bëhej mynasip[1] që gjërat ishin harruar.

Dita ishte ndaj të perënduar kur Nase Çobani dëgjoi që e thërrisnin te porta. Duke u mbështetur  në shkop dhe mure, hoqi me zor e dhembje këmbët branë dhe sosi në sheshin e shkallës.Pa tre kalorës që u kishin zbritur kuajve dhe prisnin te porta. I njoju.Ishte qehajai I beut dhe dy sejmenët e tij.

-Zbret dot poshtë apo të qepemi ne sipër- tha Zylo qehajai. Kemi ardhur me porosi të Selfo beut.

-Zylo effendi, unë s’kam ndonjë punë me beun.

– S’ke ti, po ja që ka beu, dhe është për hair e të mirë.-Tha Zylo qehajai dhe bashkë me dy trimat ngjiti shkallët, ku po i priste plaku Nase.

E përshëndoshën plakun dhe i uruan vaktin, pastaj, nxorën kutitë dhe i dhanë të dridhte një cigare. Plaku Nase,s’priste gjë të hairit, drodhi cigaren me duart që i dridheshin, i dha zjarr dhe i pyeti përse ishin munduar në konak të tij.

Qehajai, bashkë me shtëllungën e tymit të duhanit, nxori fjalën e sikletshme:

-Selfo Beu, ka shtënë qeder të madh në mbesën tënde Rinën, që e hasi njëditëzaj te kroi i fshatit e s’i shqitet nga fiqiri dhe na ka dërguar, që t’u bëjmë një nder shtëpisë suaj, çupa të vijë me ne  në saraje,  ku , bashkë me të tjerat do të bëjë hysmet  si kopile.

Nase Çobanit sa s’i ra pika. Ç’qe kjo gjëmë?!Ai e dinte se ç’ishte një kopile në sarajet e beut. E mblodhi veten.

-Selfo Beun e paçim sa malet, allahu i shtoftë ymrin dhe iratet, po jo zullumet. S’ja duam ato ndere. Le t’i mbajë për vete. S’i rritim vajzat që t’ia çojmë peshqesh beut si zogun bufit. Vërtet jemi bujq në çifligun e beut, po rrojmë me djersën e ballit e s’lëmë bir nëne apo bir beu, të na marrë nderin e të na shkelë me këmbë. Edhe pse fshatarë e vegjëli,për ju, ne e dimë veten të vlyer e të fisëm, aq sa e pandeh ai veten bej e oxhak.  Prandaj, qehaja efendi, vër majat nga thembrat, dhe shporrmu sysh me gjithë këta zagarët e tu!

– Vëri fre gjuhës, gjidi kaur, si guxon të kthesh prapsh një urdhërim të beut tënd. Foli sat mbese të bëhet hazër e të vijë me ne.

Plaku bëri kryqin.

-Kur të vdes unë. E merrni veç kur të shkelni mbi trupin tim!

-Hapu, more ulok shtrigan.Thirri mëndjes.Një punë që bëhet me hir, pa fjalë e me të urtë, pse duhet bërë me pahir,- i tha qehajaj e kur pa se plaku s’hapte udhë e s’hante pyka, i dha një të shtyrë të fortë. Plaku Nase ra mbi parmakun e drunjtë  të ronitur, që u thye nga pesha dhe u rrëzua nga sheshorja e shkallës së katit të dytë. Kur u përplas mbërdhe, koka i goditi mbi një gur të kalldrëmit. Gjaku i plasi nga goja dhe dha shpirt.

Qehajai,nuk deshi të dinte se ç’ndodhi, si të kishte flakur një këlysh qeni! Bashkë me dy të tjerët, u turr brënda shtëpisë, kontrolloi dhomë më dhomë, deri sa e gjeti Rinën, që i kishte dëgjuar të gjitha, të trembur e të bërë grusht, të fshehur prapa derës së odës së gjumit.

– Mos kundërshto moj çupë, do të vish me ne, daç me hir, daç me pahir, në sarajet e Selfo Beut.

-Veç e vdekur dal nga kjo shtëpi e vij me ju! U turr mbi ta dhe duke sokëllirë, u mbrojt me thonj e dhëmbë.

Ata e mbërthyen këmbë e duar,e teksa ajo përpëlitej, gulçonte dhe bërtiste për ndihmë, ja mbyllën gojën me një shuk bezeje dhe i hodhën mbi kokë një thes të zi, pastaj njeri nga sejmenët e mori hopa para duarve, dolën në oborr, e hipën në vithe të kalit dhe trokuan për në saraje.

     5

Ku ishte? As në tokë as në qiell! Havadan, si e papeshë, e tymtë.

Ç’kohë ishte? As ditë as natë! Nën mbulesën e zezë vënë në kokë,  koha kishte ngrirë. Sa kishte që e kishin mbyllur aty? Përse, përse vallë? Kujt i kishte bërë keq? Askujt! Trupi i dhembte.Duart dhe këmbët e lidhura i ishin mpirë. Mezi merrte frymë, ajri ishte i rëndë e i lagësht, binte era myk e kalbësirë.Dëgjoi hapa, pastaj çelsin që u rrotullua në bravë, gjurmët u afruan dhe dikush u ndal para saj dhe I hoqi thesin nga koka. Ajo që pa ishte e zezë si nata, në fytyrën e rreshkur vetëm dhëmbët ishin të bardhë. Hajrie  Arapja i zgjidhi duart dhe këmbët.

-Ububu, moj pëllumbeshë, ç’të paskan bërë xhahilët! Po e mori vesh Selfo beu, ka për t’i futur në dhe të gjallë . Tashti mos kij kasavet, do të bëj vetë hysmet, si të ishe çupa ime. Mos qaj se të prishet drita e syve, beu të do të jesh e bukur. As mos u frikëso, se do jesh si zonjë e madhe. Hajde me mua.

Rina që të shpëtonte nga ai burg i qelbur, e ndoqi pas. Koridori ishte I mndriçuar dhe i shtruar me qilima të trashë që të fundosej këmba në ‘ta. Rinës , pas errësirës së bodrumit, s’po i msoheshin sytë me dritën. Arapja e çoi në një odë dhe thirri me emër një për një vajzat që shërbenin si kopile në saraj.

-Kjo është Rina, e zgjedhura e beut, që vjen nga Gurrasi e që do të jetë shoqe e juaja. Bëni hazër hamamin, lajeni, ndrrojeni dhe visheni me të reja.

Ato, që mbetën pa fjalë nga bukuria e saj,duke e ditur se ç’e priste shoqen e re, e panë me keqardhje dhe pa fjalë, bënë ashtu siç i urdhëroi Hajrie Arapja që s’ duronte t’ia bënin fjalën dy.

Të larë e të veshur me të reja, Hajrie Arapes i mbetën sytë te bukuria e çupës dhe i dha hakë beut, që  e kishte zënë dalldia pas saj. E çoi në një odë të vogël e të pastër, në kat të dytë, me dritare me xhama me ngjyra, shtrat të pajisur me shtresa e mbulesa, me një sepet që kishte mbi vete varricën e shtresave, qilima e velenxa e një divan me jastëkë të qëndisur. “Ky është kafazi yt,moj pëllumbeshë”,tha Hajria, skilja plakë, që u rehatua në divan dhe u mundua ta merrte me të mirë. Beu e kishte porositur që ta zbuste gjeraqinën e ta kthente në pëllumbeshë, që të mos klithte por të gugiste! I tha se kjo do të ishte oda e saj. Ushqimin do t’ia sillnin atje. Mund të lëvizte brenda sarajit, por ta mblidhte mendjen, të mos guxonte të dilte, e t’i shkonte mendja që të ikte. Në oborr dhe te porta kishte ditë – natë roje. Pastaj, ku mund të shkonte? Kudo do ta gjenin.Punë në saraj, nuk do të bënte, deri sa të vinte beu e ti jepte karar se ç’do të bënte me çupën. Fati i kishte ardhur te dera dhe ajo s’duhet t’i binte me shkelm. Që të mos mërzitej, le të shkonte te akçesha, Havaja e po të donte, le t’i jepte një dorë në gatimet. Sido qoftë, një herë për një herë, odën po e mbyll dhe kyçin po e marr me vete. E mbylli robinën brenda dhe iku.

       6

Kafazi i pëllumbeshës.Burgu i Rinës. Po bëheshin dit e mbyllur, brenda katër mureve. As hëngri as piu, veç derdhte lot, rënkonte e psherëtinte. E përhumbur, mendje çartur, trup mpirë, me mizërinë e mendimeve të kobshme, që i përsilleshin për veten e saj, për zezonën që kish përfunduar në robinë , për të mirin e të dashurin gjysh Nasen e vdekur, qe e dha jetën për të , që e varrosi fshati dhe ajo ditshuara s’u ndodh aty që ta qante mbi krye me ligje, për të vëllanë Janon, të mbetur udhëve ,që e kish pirë atë kupë helmi, për shtëpinë e sterrosur të  mbetur shkretë……

Medet, medet, për të keqen që e gjeti. E mblodhi mendjen.Duhet të ishte e fortë.Ti delte zot vetes, të mos dorëzohej, të merrte hakën për gjysh Nasen, por edhe për poshtërimin që asaj vetë po i bëhej,për vajzërinë e humbur e të përdhosur me turp. Jo. Vërtet jeta një herë na jepet, por kujt i duhet jeta në robëri, e përdhosur dhe e nëpërkëmbur. Më mirë e vdekur e me nder se e gjallë e me turp.Kështu thoshte babazoti Nase. Vdekja një ditë do të vinte. Kjo ditë për të kishte ardhur. Filloi të merrte ushqimin, i shterri lotët. Duhet ta mblidhte  veten, t’i kthehej forca bashkë me guximin. Hajrie Arapja, kur e pa të qetësuar, ja hapi derën. Rina shkoi në odën e kopileve dhe te akçesha Havaja, grua e dashur dhe e dhembsur, që i rrëfeu se ç’kishte ngjarë në fshat.Janua kishte ardhur me karvanet nga Janina.Ishte betuar mbi varrin e Babazotit se do të merrte hakë, kishte ngjeshur koburet në brez, pushkën në krah, gunën e zezë mbi supe dhe kishte dalë firar në mal, atje ku s’e arrinin koshadhet e turkut dhe sejmenët e beut.

Rinës i mbetën sytë te një thikë që i ndriste tehu i mprehtë. Ruajti rastin kur Havaja po gjendej me punët e saj dhe e fshehu thikën posht mëngës së fustanit.

Një pasdite, erdhi nga Gjirokastra, njeri prej sejmenëve të beut. Takoi Hajrie Arapen. Çfarë i tha? Askush se mori vesh.

Ndaj mbrëmanet, Hajrie Arapja, e zezë si nata, e rrudhur si kumbull oshafe, çatisi në odën e Rinës.

-Jak me mua moj pëllumbeshë, se të pret një gëzim i madh.

Rina e ndoqi pas. Hynë në hamam.Nga kazani i madh i bakërt uji i ngrohtë lëshonte shtëllunga avulli. Flaka e qirinjve bënte dritë të nugët.Në një sergjen ishin vendosur peshqirë dhe ndrresa, këmishë dhe fustane mëndafshi ngjyrë trëndafili dhe të kaltra si qielli, jelek qëndisur me ibërshim e kllapodan. Hajrie Arapja e xhveshi Rinën cullak siç e kishte lindur e ëma, pastaj i tha të ulej në një skami të drunjtë. Ajo e zilepsi kurmin e hajthëm vajzëror dhe tha me vete: “gjynah që se kishte bërë zoti burrë.Lum beu që ju bë peshqesh”. Me një sapllake argjëndi mori ujë të ngrohtë dhe i lagu flokët e gjithë trupin. Me sapun myshku, i shkumoi dhe i lau flokët, shkumoi shparcën dhe ngadalë e me kujdes i fërkoi tërë trupin, shpatullat, sqetullat, gjokset e bukur si mollë dhe nënbarkun, atë vendin e lakmuar nga burrat, ku kishte buisur një push i butë. Hajries I punonin duart dhe gjuha.I tha që ajo ishte e bukur, dhe e freskët si trëndafil me vesë,  por do ta bënte edhe më të bukur, si hyri. Që beut, ti ikte mëndja  dhe ta dëshironte si i marrë. Se vajza ishte me fat, e pëlqyera e beut dhe ai, po të gjente te ajo ato hire që ai i lakmonte, edhe mund ta merrte për grua, dhe ajo do të bëhej zonjë e madhe, ashtu siç u bë Vasiliqia e Ali Pashait…..Fjalët e Arapes, i hynë Rinës në rrëmbat e gjakut si helm , ia mpinë trup e mendje dhe ju duk se brenda saj diçka iu thye dhe vdiq.

Hajrie Arapja e veshi me të mëndafshta,me këmishë byrynxhyk mëngë gjerë, me jelek kadife allë qëndisur me kllapodan, ja ermiroi flokët dhe gushën me gjyl trëndafili, faqet dhe buzët me të kuq e me të bardhë,  e stolisi me vathë dhe unaza të arta dhe e çoi në odën e saj. Vuri duart në mes dhe nisi të sodiste nusen e stolisur; më e bukur s’kishte si bëhej. Ja pati zili beyt.

-Hiqe nga çereja atë zymti që ta ngrys e mjegullon bukurinë, pak buzëqeshje dhe dritësim i syve do ta shtonte hijeshinë.Dëgjomë mua se s’të del keq.- I tha aty të priste se nuk do të mënonte  ta shpinte në gjerdek dhe doli.

Rina mori posht jastëkut thikën teh e majë mprehtë dhe e fshehu nën jelek. Zemra nisi t’i rrihte fort. U pa në pasqyrë. Jo, ajo që e shihte nga xhami i pasqyrës nuk ishte Rina, por një tjetër, e mjerë në shkëlqimin e saj nuseror, e bërë gati për t’u flijuar e për të vdekur.

    7

Selfo beu, me shpurën e kalorësve-sejmenë, me trokëllimën e patkonjve dhe hingëllimën e kuajve, sosi në saraje buzë mbrëmjes, kur dielli sapo ishte ulur prapa malit. Sarajet u ndriçuan nga llambadhet e u bënë dritë. Për të hequr pluhurin e udhës dhe erën e djersës së kalit ai bëri një banjë të ngrohtë.

Hajrie Arapja, i  bëri me dije se Rina gjerqina ishte zbutur si një pëllumbeshë. Hajria i kishte dhënë nasihate[2] si të sillej. Nisur e zbukuruar  si një hanëme , e ëmbël si llokume, stolisur si nuse , e priste beun në gjerdek.

Selfo beu nuk u ngut. Piu një kafe shqeto dhe rrëkëlleu një kupë me raki të fortë rrushi që të merrte zemër për atë që do të ndodhte në gjerdek, pastaj i përcjellë nga Arapja, me një bismilah dhe allarazosën[3], hyri në gjerdek.

Vajza rrinte në këmbë në mes të odës.Ajo nuk ktheu kryet të shihte kush hyri. Beu e zuri nga dora.Dora ishte e ftohtë dhe qëndroi në të tijën si dorë të vdekuri. E rrotulloi dhe e ktheu drejt vetes, e pa në sy, por ajo i kishte ulur sytë poshtë.

-Pse je e ftohtë akull? Pse dridhesh? Ngase tromaksesh?Asgjë e keqe s’ka për të të gjetur.Mos kij gjyç[4] Unë për ty , që të të bëj të lumtur, do  të zbres yjet nga qielli dhe atë shtrat do ta kthej në xhenet. O hyri, o pëllumbeshë, ku ishe fshehur që ishe ruajtur për mua, që kur të pashë u magjepsa, bëre të më zerë kjo dalldi, kjo sevda që ma ndezi gjakun flakë, e që është më e rëndë nga belaja! Folë një fjalë,të më gëzosh xhanë, hapi sytë e zez, të na sjellç beharë!

Rinës fjalët i vinin si jehonë e largët, të shurdhëra e të kobshme, mëndja e saj e mpirë s’arrinte t’i shkoqiste. Ajo hapi sytë dhe e pa si viktima xhelatin: shtatmadh,  me tipare të hijshme, vetulla kaleshe me ca sy të ndezur nga dëshira e epshit, fytyra e hequr, në ngërçin e padurimit, mustaqe majëspërdredhura , qafa e fuqishme dhe gjoksi i gjerë leshtor, që i ulej e ngrihej nga dihatja e shpejtuar. Më në fund ajo foli:

-Bej, je zot i këtij vendi dhe bën ç’të duash me ne që jemi çifçinj[5].të irateve[6] të tu. Më vrave gjyshin, detyrove tim vëlla të dalë maleve jesir, ma shkretove shtëpinë, më rrëmbeve e bëre robinë, dhe tani që jam pa mbrojtje,do që të më marrish nderin mua.Të ishte në dorën time, veç e vdekur shtrihesha në këtë jatak. Po dije: ka një zot që i sheh të gjitha, dhe t’i ke për ta paguar!

Selfo beu, durimhumbur, hapi kurtinat e shtratit, pastaj nisi ta zhvishte, i hoqi vellon e shallin, i zbërtheu jelekun, i hoqi këmishën , të mëndafshtat dhe në fund ajo mbeti lakuriq, e bardhë dhe me forma të përsosura si statujë e mermertë. Ajo nuk kundërshtoi, por u rrek të mbulonte me duar lakuriqësinë e gjinjve dhe nenbarkut.

E rrënbeu para duarve, si ujku shqerrën dhe e uli butë mbi shtresa. Rina u mbulua me çarçaf. Beu u zhvesh edhe vetë, qëndroi vetëm me të linjtat, pastaj, si i hoqi çarçafin, i dehur dhe trallisur nga amza e kurmit të saj dhe me sy të lbyrur nga bardhësia e gjokseve të virgjër, që s’i kishte prekull mashkull tjetër. I pushtuar nga epshi dhe ekstaza, u shtri bri saj dhe nisi ta puthte  si i marrë në sytë e bukur si të sorkadhes, në faqet si pjeshkë, në gushën e butë si të pëllumbeshës, në buzët si gonxhe trëndafili në lulëzim,  gjokset e vegjël si mollë dhe cipën e barkut me butësi mëndafshi. Kur ai nisi të gulçonte dhe mbylli sytë nga kënaqësia për këtë dhuratë që i kishte bërë fati, Rina futi dorën posht nënkresës dhe shtrëngoi fort dorezën e thikës. Rrotulloi trupin me shpejtësi dhe i nguli majën e mprehtë të thikës në fyt. I mëshoi fort me gjithë fuqinë dorezës, nga fyti I beut shpërtheu gjaku me gulçe dhe një oh e dhimbshme. Duarlyer me gjak, e verbuar nga urrejtja dhe hakmarrja, vajza e goditi me urrejtje trupin që përpëlitej edhe disa herë duke belbëzuar: këtë për gjysh Nasen, këtë për vëlla Janon, këtë për mua jetimen…..Beu dha shpirt i mbytur në gjakun e tij. Ja që kishte zot!

Rina, u vesh shpejt e shpejt, që të mos e arrinin njerëzit e sarajit, dhe pa mëdyshje iu afrua dritares. E hapi kanat më kanat.Do të shkonte te prindërit, te gjyshi. Ata e prisnin. Do t’u thoshte se s’i kishte turpëruar. Përjashta nata e mugët e larë me dritë hëne dhe pikëzuar nga yjet, dukej se e thërriste në përjetësi. Hipi mbi parmak, mbylli sytë, i dha trupit vrull dhe mori fluturim.

  Maj-qershor 2020

[1] Bindej

[2] Porosi

[3] Në emër të zotit dhe Zoti ta shpërbleftë.

[4] Gjyë, turp.

[5] Bujq

[6] Irate,prona tokësore.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s