Poezi nga Bilall M. Maliqi

Poezi nga Bilall M. Maliqi

 

UJI I BARDHË

Te (ky) ujë i bardhë
Deshta t’ia shpërlaj të zezat kohës

E të ulem pak në prehrin e koritës
Ta përkundi kujtesën në valët e ujit

Them: s’di si ta ndërruan emrin
Kur aty pinin ujë shqiponjat e etura

E di që atë mot “Bella Voda” tha dikush
Që pushtoi si pa kokë këtë tokë

Uji del pandalur nga ai çep
Tok me freskinë e rrënjës së ahut e t’gurit

Uji i Bardhë çdo herë ia lanë faqet kohëve
Tok me erëlehtën e Ostrovicës së lumnuar.

/”Bella Voda”-toponim i huaj i çezmës
afër fshatit Gruhali, komuna e Preshevës/

 

IA THASHË

Edhe njëherë ia thashë të pathënën
Që brejtur më ka shpirtin

Nuk jam si ti
Që shpresat ia ngulfat etnisë

Po, ia thashë pa m’u trembur syri
As pa m’u dridhur buza

Nuk jam as si ai
Që shkel mbi hije të gjakosura

Ja thashë s’e më vlonte diçka në shpirt
Si një ujë i valuar në zjarrin e zemrës

Mirë që ia thashë troç
Në të dy sytë që i shkrepnin tradhti.

 

LUTJE

Është një lutje që përdit laget
E nuk thahet

Lutje që shpon tejpërtej fatin e zi
Mbuluar me pelerinën e vrugët

Një lutje që i ngarkohet (dy) hijeve
Si amanet i skeletëve të pakalbur

Lutje që pikon
Në pushimoren e qëndresës së lodhur

Ajo lutje çurgon
Si pika loti mbi shpresën e kalbur

Është (kjo) lutje që (për)mbytet
Në pellgun e Luginës së përlotur.

 

PA ZË

Pa (asnjë) zë
As pa psherëtimë
M’u afrove

Si kur të dalësh
Nga lëkurë e befasisë
Një ofshamë e lëshove

Pastaj…
Nga ai shikim sy më sy
Një dashuri u shkri.

 

LIVADHI ME LULE SHUMË

Në atë livadh të gjerë
Sa lule i mblodhe
E sa i zgjodhe

Asaj “Kodre të Luleve”
A i lëshove një sy
Apo e mbylle veten në dry

As atë vaj të zogut s’e dëgjove
Tek loton në degë të tharë
Për një copë shpirti të ndarë

Edhe çelësin e ëndrrave
Diku e fshehe
Kur nga smira u dehe

Ai livadh matanë gurit
Ka lule të bukura shumë
Sikur valët e të mirit lumë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s