Poezi nga Mihallaq Qilleri

Poezi nga Mihallaq Qilleri

 

ERDHE VONË…..

Erdhe aq vonë, mikja ime e mirë, erdhe vonë,
Vjeshta po ikën dhe dhe dimri drithërues po vjen,
Fundvitet gëlltitin njeri-tjetrin dhunshëm pa frikë,
Ndërsa ti troket në një derë të mbuluar nga dëbora,
Mbërthyer pas jetës nuk dua, nuk dua të ik.

Erdhe vonë mikja ime për të kërkuar një dashuri,
Një dashuri të flaktë atje ku zjarret janë shuar tani,
Erdhe vonë mikja ime për të takuar bukuri,
Ndër venat e ftohta tashmë nuk ka më asnjë mëshirë,
Ca më pak për drithërima, ëndrra, lule, dëshirë…

Erdhe vonë mikja ime në jetën e time të shkurtër,
Kur netët pa gjumë zgjaten si mistere surealiste.
Një jetë që ditët i zvarrit si robër lufte nëpër baltë,
Lotët e nxehta e dhimbjet e rinisë vragat kanë lënë
Si rreshta në faqet e librave të mi të vështirë, të ngratë.

Erdhe vonë zemër e zhuritur për miqësi të madhe,
Nuk të jap asgjë më shumë se ca fjalë ngrohta,
Drithërimat trupin ma mbulojnë habitshëm,
Dhe pres, pres, pres diçka të ndodh netëve të ftohta.
Një skenë teatri gjigand jeta ka qenë gjithmonë.
Një skenë ku perdja një ditë nis e bie trishtueshëm.

Erdhe vonë shpirt i përvëluar, erdhe vonë….

 

E PËRKOHËSHME

Jeta është vetë e përkohëshme, mikja ime
Prandaj mos bërtit fort për përjetësinë..
Dielli lind e perëndon e, megjithatë, vdes ngadalë,
Yjet vërtet ndrisin por ka syresh miliona vite të shuar,
Njerëz tmerrësisht të dashuruar tani nuk jetojnë më,
E as e takojnë njeri-tjetrin në atë nënplanet të errët…

Unë i besoj çastit të verbër që më nuk kthehet,
Unë të besoj ty kur të kam sy-më-sy e buzë më buzë,
Kur më kthen krahët kam frikë se do të të humbas,
Jo vetëm nga vdekja, por edhe nga jeta përtej atij pragu..

Përditë eci me shijen e aromës tënde dhjetë metra më tej..
Turma laramane më tërheq për veshi si leckë pa vlerë,
Dhe humb,…humb aromat, fjalët, pëshpërimat hipokrite..
Humb peshën e jetës që më jepje ti, për nder !

Humb sepse edhe vet jeta është e përkohëshme, mikja ime.
Ne harrojmë të dashurit që ikin, ashtu pa kuptuar,
Dhe një natë vallzojmë si të mos kishim humbur asgjë..

Megjithatë, mos më thuaj se nuk do të më harrosh kurrë…,
Harresa është shërimi,
Harresa është shpëtimi,
Harresa është njerëzore,
Dhe unë nuk do të të mbaj mëri po të thuash…..
Se një ditë nuk do jemi më këtu,… nën këtë qiell.

Ti je e përkohshme në jetën time të shkurtër,
Unë jam i përkohshëm në këtë mbiplanet që rrotullohet
Rroftë rastësia dhe ankthi që nuk çmohet
Në boshllëkun e tmerrshëm të relativitetit !
_________________

E shkruar më 25 tetor,
Një ditë krejt,..krejt e përkohshme
Megjithëse është datëlindja ime.

 

PO TË PRES…

Po të pres me ankth sikundër gjithë jetën të kam pritur,
Në parvazin e shpirtit duke vështruar qiej, diej dhe yje,
Të kam pritur ndonëse asnjëherë s’më kishe ikur,
Dhe do vijoj të pres edhe sikur të prehem ndër pyje.

Ne presim gjithmonë edhe ata që nuk janë larg nesh,
Madje, të afërtit priten me ankthin e syve të shkruar,
Siç pres të hedhësh tej nxitimthi rrobëdëshambrin që vesh,
E nën etjen time të hysh, ashtu e zhveshur, e pambuluar.

Po pres në parvazin e gjerë të dritares së shpirtit pa u lodhur,
Pres të ndajmë së toku vitet si frymët tona të ngrohta,
Të pres të ngrysim ditët pa ankthin e ikjes së kudondodhur,
Pa le të ngjaj se ëndërroj aq shumë edhe në ditë të ftohta!

Të pres, mos e harro, siç di të pres një jetë vetëm unë!

 

E V E R D H A

Mrekullitë shpesh nuk vihen re menjëherë,
As kur një ngjyrë e ndezur trondit qenien e vdekur,
Sikur mes së gjelbërës së Tokës e blu-së së qiellit të bjerë,
Të ngjan se e verdha matanë teje thjeshtë është tretur.

Por ajo zbriti nga planeti i hekurt pikërisht kështu,
E gjitha e veshur me të verdhën magjepëse, ngeshëm,
prej flokëve të shkurtër sepse një gërshetëz
kishte thurur ashtu,
Nuk e di përse qeshte syndritur duke më parë hareshëm.

Me tha se po ndodhte një surprizë e çuditshme atë ditë,
Se edhe unë kisha veshur pikërisht një bluzë të verdhë,
U hutova si adoleshent që në takime të tilla veç e trondit,
Ia ktheva se valët eletromagnetike bashkojnë qenie me vlerë.

Qeshëm, biseduam me kafetë e ftohura që kurrë s’mbaronin,
Pastaj ikëm thuajse të heshtur pa hedhur më batuta,
Përtej Urës së Madhe u drithërova me ca mendime që sulmonin,
Do t’i shkruaja më pas në një mesazh….,
Ne kishim qëndruar së bashku vetëm…dyzetë minuta!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s