Budallai (Ngjarje e vërtetë) / Fragment nga romani në dorëshkrim i autorit Miltiadh Davidhi

Budallai (Ngjarje e vërtetë)

 

Fragment nga romani në dorëshkrim i autorit Miltiadh Davidhi

Nuk po e bëj unë budalla. Ai ishte me të vërtetë i tillë. Ndryshe dhe pse ishte mbi të tridhjetat nuk do të luante gjithë ditën me ne lojërat tona fëminore. Do të shkonte me moshatarët e vet në punë, do ishte martuar si ata e do ishte me fëmijë. Ishte koha e pushimeve të verës, kur e njoha, dhe, ai gjithë ditën vinte e luante me ne. Megjithëse isha i vogël, në klasën e tretë fillore, ende e kam në kujtesë si në ato vite. Kishte një trup mesatar, i zeshkët e i dobësuar kockë e lëkurë. Peti e quanin dhe e thërrisnin, Peti Kota. Nuk e di në ishte emri dhe mbiemri i vërtetëi tij. Gjithë ditën me një pushkë prej druri lidhur me gjalmë e të vendosur në krah na udhëhiqte si komandant prej vërteti.
E doja dhe më vinte shumë keq për të. Dhe në fshatrat për rreth kishte budallenj të tjerë, por kurrë ata nuk i afroheshin budallait të fshatit tonë.
Ata nuk shiheshin me sy nga jargët e fëlliqura që nxirnin nga goja dhe bridhnin rrugëve me këmbë të zbathura nëpër pluhurin që digjte prej të nxehtit.
I joni ishte më i miri i sojit të tyre në të gjithë fshatrat përreth. Në pushime gjatë lojërave na fliste shpesh për ëndrrat e tij të vdekura, për lulet çelur degëzave të njoma e për furtuna të pa shpirtëra erërash që ua prisnin në mes lidhjen e frutave. Ne kurrë s’e kuptonim në ato vite se ku donte të dilte me ato që na thoshte. Pasi mbaronim së luajturi, ikte në shtëpi. Shpesh, kur uleshim për të pushuar, ai vinte në vete dhe fliste për yje të shumtë në një Univers të pa fund. Budallenjtë e fshatrave të tjerë nuk vinin në vete kurrë e jo më të flisnin për gjëra të mëdhaja dhe të bukura. Pra, ata ishin budallenj të lindur, ndërsa i yni ishte budalla me shkollë. Kur e shikoja ashtu të qetë e normal i bëja pyetjen vetes, ç’kishte pësuar në jetë ky njeri që ishte bërë i tillë?! Gjithë qetësia e fushave sikur mblidhej në sytë e tij e fliste duke na shikuar në sy.
-Kam mbaruar shkollën e mesme ekonomike me nota të shkëlqyera, -tha ai. Ndjeva një dhimbje nga këto fjalë. Dhe dëgjoja duke përpirë gjithçka që thoshte. Kishte shumë njohuri në fushën e ekonomisë. Gjithçka e llogariste në pak sekonda me mënd. Dhe buzëqeshja e zeshkët si një copëz dielli përzier me re i ngrinte në buzë. Kjo gjëndje qetësie nuk zgjaste shumë. Një djall i padukshëm ia pushtonte shpirtin e skuqej e tjetërsohej në fytyrë. Një ndjenjë frike e padurimi i shfaqej nëpër sy dhe në gjithë qënien e tij. Dhe çohej në këmbë e kjo për ne ishte sinjal që duhej të ngriheshim e të nisnim lojën duke u ndarë në njërën anë fëmijët “partizanë” dhe në anën tjetër fëmijët “ballistë”. Gjithmonë kishte një ndjenjë ankthi prej diçkaje të padukshme e nuk donte të atakohej me njëri.
Ajo e ndiqte nga pas si hije e keqe fantazme e llahtarëshme, të cilën e shikonte vetëm ai. Dhe vraponte nëpër pemët e perimores afër kooperativës në mes të fshatit duke thirrur fort: “Para partizaaanë!”.
Me të në krye ne dilnim fitues. Ai kur luante sikur vriste frikën e sërish në pushim ndihej i qetë e serioz. Nga të vrapuarit çlirohej adrenalinë që i furnizonte me oksigjen kokën e gjithë trupin nëpërmjet qarkullimit të gjakut dhe ndjehej mirë. Po të vinte në ato çaste ndonjë që se njihte do të thoshte, po ky njeri kaq i mirë e i ditur çdo këtu mes fëmijve i veshur me zhele dhe me një pushkë druri varur në qafë?! Kurrë nuk do ta besonte se ishte i tillë.
Ai njeri që mund të ishte një drejtues i mirë në fshat fatkeqësisht ishte budalla dhe kështu vdiq. Dhe unë ende sikur shikoj fantazmën e tij të zeshkët me një pushkë druri në qafë që rend për të vrarë dikë të pa dukëshme nga jeta e tij që e ndjek nga pas. Herë-herë e mendoja të ulur në bangat e shkollës si nxënës të shkëlqyer e si një djalë të bukur e të dashur nga të gjithë shokët e shoqet e klasës. Ndoshta ëndërronte për ta rinisur dhe njëherë jetën atje ku ia kishin ndërprerë. Kurrë s’donte të pajtohej me metamorfozën e pësuar ku të gjithë e shikonin si të ishte djalli.
Dielli ishte shumë i fortë dhe pemët ku luanim në mes të perimores së kooperativës ishin të vogla e s’mund të na mbronin nga nxehtësia e madhe. Vendosëm të luanim te delli me marina. Uji ishte tharë dhe në kanalet midis marinave ishin hapur të çara të buta, por që mund të luanim pa na u fundosur këmbët. Aty hija ishte e plotë dhe ne mund të vazhdonim lojën. Nisëm të shlodheshim të ulur në formë rrethi dhe të gjithë sytë i kishim drejtuar nga ai.
Hoqi pushkën prej druri nga krahu e vuri në tokë pranë gjurit të djathtë dhe po na shikonte i qetë e mendushëm, sikur donte të na tregonte diçka që herë ia errësonte, e herë ia kthjellonte shikimin.
Më në fund e kishte mundur ngurimin për të na e thënë, e flaku prej syve si era që largon prej qiellit të bukur retë e frikshme. Dhe nisi të tregonte:
-Gjithçka e keqe ndodhi në ditën e dasmës sime. Në krahun e majtë që ishte afër meje pashë qimet t’i ngriheshin përpjetë. Po me një zë si në rezonancë të dridhshme vazhdoi.
-Im atë nga gëzimi kishte thirrur shumë dasmorë. Ne ishim fis i madh. Mirëpo njerëzit po vinin dhe mishi që kishim blerë s’mjaftonte. Babai ishte mbledhur sa një grusht në një cep të vatrës dhe nuk po i jepte dot rrugë, se nuk kishte me se t’i blente. Dhe ato para që i kishte shpenzuar për të bërë pajën e nuses e kostumin tim, borxh i kishte marë.
Unë sapo kisha mbaruar shkollën dhe prisja emërimin. Martesa ime ishte e parakohshme, por tani ishte vonë për t’u kthyer prapa. Dola nga shtëpia në rrugë i menduar. Si do i vente filli? Njerëzit donin të hanin. I kërkova para borxh një njeriut tim, por, s’më ndihmoi. Ai më sugjeroi të vidhja. Kurrë se kisha menduar ndonjëherë një veprim të tillë. As dhe një gozhdë s’i kisha marrë një njeriu. S’i lija të tjerët të vidhnin, tani më duhej të vidhja vet.
Në fillim s’pranova, por kur mendova njerëzit e ardhur dhe kohën e pamjaftueshme që kisha në dispozicion e humba mëndjen, se sundova momentin për të marrë vendimin e duhur.
Kjo botë është për të fortët, për ata që e sundojnë momentin me durim e kthjelltësi. Unë s’e sundova çastin e mora vendim të gabuar.
Si i dehur renda nëpër fusha të gjeja ndonjë lopë të lidhur parcelave. E mora prej litari të parën që më doli përpara, dhe u nisa për në shtëpi pa menduar, se ku po më shpinte mushka me këtë veprim.
Por, pa bërë as njëqind hapa, i zoti më doli përpara i hipur në qerre në një kthesë rruge që nuk dukej. Zbriti me të shpejtë dhe kur unë tentova të lëshoja litarin e të vrapoja më kapi nga dora e më qëlloi me hosten në kokë. Rashë pa ndjenja në tokë. U përmenda i lidhur nga të dyja këmbët me litar duke m’u përplasur koka në gurët e rrugës e nëpër gropa. Në pjesën e pasme të qerres ishim lidhur të dy si unë dhe lopa. Shpesh ajo trembej prej trupit tim që zvarritej si pendesë e vonuar duke ngritur një re pluhuri e më gjuante me brirë.
Sikur dhe ajo donte të më ndëshkonte për veprimin e paligjshëm që kisha bërë duke më dënuar pa gjyq dhe ajo. S’di sa kohë më kishte tërhequr ashtu i zoti i lopës me zëmrimin e Akilit në shpirt e në zemër, por unë, kur u përmenda, e pashë veten në një spital psiqiatrik. Sytë i kishte të skuqur e gati në të qarë na shikoi të gjithëve me radhë pa e menduar, se ky do ishte shikimi i tij i fundit. Atëherë kuptuam tmerrin dhe frikën që e ndiqte nga pas. Dhe pasi na pa mirë me vëmëndje të gjithë si për të na fiksuar e për të mos na harruar u çua në këmbë dhe, pa na përshëndetur, iku i nxirë në shpirt e në fytyrë si reja që donte të zbrazte shiun e dhimbjes në një vënd tjetër larg syve tanë të brishtë e të vegjël. Si t’i kishte ardhur turp për ato që na tregoi s’erdhi më të luante me ne.
Ndoshta ishte bërë pishman që na i tha, se, tanimë ne e dinim kush ishte. Me ditë të tëra rrinim dhe e prisnim, por më kot. Ai s’erdhi më.
Nisnim e luanim, por pa të loja jonë nuk na kënaqte, na dukej një sajesë e kotë e s’na tërhiqte më. Me të ndjeheshim mirë. Një ditë e pashë të ikte rrugëve, por sa më pa uli sytë poshtë dhe s’më foli.
E kuptova me ato që na tha e kishim humbur përgjithmonë. Ai po e rivuante veprimin që e kishte ndëshkuar dikur, por në një formë shumë më të keqe, se sa e kishte vuajtur më parë, sepse nuk doli nga gjëndja e rëndë deri sa morëm vesh që kishte vdekur. Dhe ne, ashtu të gjithë siç luanim bashkë, shkuam dhe e qamë tek varri e i vumë buqeta me lule. Dhe në rast se ne u bëmë të gjithë të mirë dhe se nuk na ka ndodhur në jetë ndonjë gjë e keqe, jam i sigurtë se, qe dhe përjetimi i tregimit të jetës së tij. Kishim nxjerë një mësim të vlefshëm nga jeta e një budallai. Nga ai njeri, që njerëzit e zinin me gurë dhe e poshtëronin. Dhe, harronin, se vetë bënin veprime që ia kalonin një budallai, dhe përsëri e mbanin veten për të mënçur.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s