Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

K O N I S P O L I

Si bir i një mësuesi të talentuar, lab
dhe i një nëne me bukuri konispolate,
kam gjak të kryqëzuar, siç ka një rrap,
shartuar në trupin e butë të një lofate.

Në Konispol, verova viteve të fëmijërisë,
nga deti i Sarandës, në malësinë jugore.
Në atë fshat gjysmë qytet, pranë Çamërisë,
më priste varfëria e bujarisë madhështore.

Aty kisha gjyshen shekullore, nga nëna,
me një gojë të madhe, pa asnjë dhëmbë.
Goja e saj nuk nxirrte dot fjalë të rënda,
por buzëqeshje me tinguj, njësoj si këngë.

Ajo gjyshe kish magnet tërheqës, si askush,
në lëkurën e tejdukshme, ku shihja kokalle.
Kishte rrjetë rrudhash, në duar e në gushë,
dhe nga xhepi i tumaneve, nxirrte bajame.

Aty kam ngrenë, të ëmblat frongoshe,
fiq deti, mbi pllaka jeshile me gjemba.
Aty jam lëkundur në shilarësen pungale,
me litar varur në traun e konakut brenda.

Aty kam pirë ujë, nga currili si fije peri,
që pikonte kroi i mëhallës, pak më lart,
ku bucelat zinin radhën, pa dalë dielli
dhe mbusheshin për voni, në mesnatë.

Aty kam fjetur në çarçafë borë të bardhë,
të larë me ujë, të shtrydhur nga mjegulla,
mbledhur në dy voza të mëdha, me rrathë,
nga pikat e qiellit, që kullonin mbi tjegulla.

Aty shijova tasin e misërnikes, përshesh,
me qumësht mali, nga delet cangadhe,
që sillte mushka me kaçup lëkure të leshtë,
duke tundur rrugës, gjalpin në dy gajde.

Gratë tumanegjera e shamibardha në kokë,
shkulnin shkarpat Çukës së Ajtoit deri lartë,
gatuanin në furrë, në saç, e pirusti përtokë
dhe piqnin qumështorin, që erëmonte gjalpë.

Aty ruhej një gjuhë nga lashtësia historike,
toskërishtja e arvanitëve të Skënderbeut
dhe toka ishte shterpë, nuk pillte barishte,
pasi kishte më tepër gurë, se thërrime dheu.

Aty muret e gurtë, të ngjitur me gëlqere,
binin erë borzilok dhe barut të djegur.
Aty dajkot, me shajakë dhe në ditë vere,
ndonëse më donin, të merrnin gjak në vetull.

Aty kam dëgjuar ca histori me bëma llahtare,
me plumba dyfeku mbi vajzën e përdhunuar.
Aty mbusha thasët e kujtesës, me aq ngjarje,
sa nuk më mjafton gjithë jeta, për t’i shkruar…

 

POEMA E MBIJETESËS

Shekujve luftuam,
vdekjes i mbijetuam
ndonëse dikush humbi
nga shpata e plumbi;

Por mbeti dëshmor,
kurse nga ky virus mizor,
mund të vritesh kot,
pa u ndeshur në log.

Edhe nëse nuk vdes,
pasi ke bërë kujdes,
do mbijetosh me frikë
në terrorin psikologjik.

Ky djall koronavirusi,
mundohet të na fusi,
vdekjen brenda në gjak
dhe kur nuk je plak.

Kjo qenka një luftë,
me vdekje të butë
dhe po të mbijetosh,
s’të lë të dashurosh.

Të izolon, ku mund,
maska buzë e hundë,
mbyllur si dielli nga retë,
kur dashuria, diku pret.

Dhe kur nuk dashuron
ndjenjat s’ke si i izolon?
Stina ka nevojë për lule,
dhe shpirti për pekule…

Të izoluar, nga liria,
braktisur nga dashuria
nuk humb veç prekjet,
por dhe buzëqeshjet.

Kujton zemrën që pret
dhe në mes, ke një det,
ku s’ke mjet ta kalosh
dhe duket, do shkallosh.

I penguar nga dukjet,
i ndaluar nga puthjet,
nga partneri i izoluar,
thuajse nuk ke jetuar;

Pa bashkuar me të buzën
pa gjetur te tjetri muzën,
pa bashkuar dy frymët,
pa intimitetin e imët;

Pa dy zemrat ngjeshur,
në dy trupa të zhveshur,
siç ke ardhur në botë,
thuajse, ke jetuar kot.

Mbijeton në pavdekësi,
po për dashurinë mban zi,
dhe pse s’ke vdekur vet,
koha e takimeve u tret.

S’kam merakun për vete,
po për filiza të rinj jete,
se unë dashuroj poezinë
ku gjej gjithë lumturinë.

Vdekjet janë mallkimi,
të cilin provon njerëzimi,
që krijoi armët biologjike,
pas raketave atomike…

Por dhe dikur, nga kolera,
në jetë përsëri fryu era,
papë dielli rreze lëshoi,
dhe dashuria mbijetoi.

Dashuria lindi popullimin,
në botë krijoi zhvillimin,
dashuria është antivirusi,
zinxhirët vdekjes do këpusi.

 

NJË PERSON TEPËR I ÇUDITSHËM

Me të meta në karakter dhe unë jam
siç janë tërë njerëzit përgjithësisht,
por ndjehem në shpirt, babaxhan,
kur më besojnë e afrohen miqësisht.

Një person, tepër i çuditshëm.
befas m’u ul pranë në tryezë,
më shigjetoi me sy të guximshëm
tha troç: “Jam vrasës me pagesë!”

M’u drodhën të gjitha fijet nervore,
nga koka, te këmbët, duke menduar,
kush e kish bërë, atë pagesë mizore,
të më fshinte nga faqja e dheut mua!

Tha: Mos ki frikë s’dua të të heq qafe,
siç bëj me njerëzit, ku më kanë paguar,
më pëlqen të shkëmbejmë nja dy llafe,
ç’mendim ke për punën që kam ushtruar?

T’i thosha, është poshtërsia më e madhe,
që bën njeriu me shpirt katil e pa mend,
nga më të fëlliqurat e punëve kriminale,
që kam dëgjuar se bëhen, në këtë vend;

Këto fjalë mund të ndërsenin në çast,
të m’i numëronte dy-tre plumba ballit,
të më linte përtokë, si thes me kashtë,
dhe të fluturonte, si kalorësi majë kalit.

I thashë, bën mirë apo keq, ti e di vet,
sepse ke bërë me kohë llogaritë e tua,
para se t’i hyje kësaj pune me siklet,
kot më pyet e më trondit ndjesitë mua.

Ai tha, nuk vras njerëz të kategorisë tende,
sado miliona, sikur të më japin në pazar,
se askujt nuk i shkon asnjëherë në mendje,
të kërkojë hakmarrje, nga një poet qyqar;

Plumbat e mi shkojnë, në koka plumbash,
që kacafyten me shoqi-shoqin për hesape,
kurse ju poetët, jeni një racë pëllumbash,
gugitni duke i kënduar vjersha asaj “plaçke”.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s