Një poete rebele (Referim rreth poezisë së poetes Terjana Merko) / Nga: Istref Haxhillari

Një poete rebele

(Referim rreth poezisë së poetes Terjana Merko)

 

Nga: Istref Haxhillari

Poeten Terjana Merko e njoha para një viti, kur sapo kishte hyrë në udhën e rrëpirët të poezisë me zell të respektueshëm. Më kërkoi t’i shihja disa nga poezitë. I thashë se jam prozator, nuk marr fort vesh nga poezia, por ajo nguli këmbë, më solli një tufë vjershash me imel. I lexova të gjitha një më një dhe u habita nga rrëmuja e vargjeve. Mëkuar me vargun lazgushian, ku çdo fjalë lëmohet deri në perfeksion, më lanë shije të hidhur. Ia dhashë t’i rishikonte me shënimet e mia në krah të secilës poezi. Ajo më falënderoi dhe më dorëzoi dhjetë poezi të reja që i kishte shkruar brenda tre ditëve të fundit.
Edhe ato më lanë shijen e poezive të mëparshme. Bëra të njëjtën gjë, duke u përpjekur të sistemoj disi vargjet e hedhura me ngut, thua nxitonte për diku. Ia dhashë dhe i kërkova të parat për të parë reflektimin.
Nuk kishte bërë ndryshim.
As edhe një
Atëherë u binda se kishe të bëja më një poete rebele, të pandreqshme, që kishte mënyrën e vet të shkruarit të vargjeve, sado të mundohesha nuk do t’ia ndryshoja dot mendjen, as stilin. Shkruan pa pushim në kompjuter, fletë fletoresh, faqen e prapme të faturave të vjetra, cepa gazete, ku të mundet. Kur e prek delli i krijimit, nuk pushon së shkruari vargje ashtu si i vijnë. Nuk i kërkon fjalët, kurrë s’u kthehet vjershave, as pranon t’u bësh ndonjë redaktim.
Vargjet e mia ashtu janë thotë pa të keq, unë veç ashtu di të shkruaj.
M’u desh kohë të bindesha se do të shkruante ashtu si dinte, me rrëmujën e përhershme. Ama nëse i lexon me kujdes bindesh se poezitë e saj nuk janë aq të rrëmujshme sa duken, kanë një fill logjik nga fillimi deri në fund. Çasti i frymëzimit mbetet ashtu i virgjër, i pa luajtur, çdo ndreqej do ta prishte.
Terjana Merko është krijuese tjetër lloj, është ajo që është, nuk ka të dytë, ndjenjat në vargjet e saj të prekin në ca pika përvëluese që të vënë në mendime. I këndon dashurisë, ndjenjës sipërore të njeriut ndryshe nga të tjerat, me nuanca përkushtimi sublim, të ndjera e të vërteta, i këndon dhimbjes me një lloj patetizmi të pranueshëm e të qashtër prej fëmije të padjallëzuar. Poezitë e saj shijohen si vera e vjetër në poçe gjithë pluhur e pezhishka merimangash.
Po verë gjithsesi.

Istref Haxhillari
Pogradec, 26 prill 2020

 

Robinjë e fatit

Nuk jam femër
Qe rend pas dashurisë
E dua shumë jetën
Të gjitha ngjyrat e saj.
Veçse dashuria
Seç paska ca sekrete
Që çdo ditë m’i tregon
Dhe unë mahnitem,
Harrohem pa saj
S’lë asgjë të ikë kot
Çdo pjesë e jetës sime
Dua të jetë përplot.
Por mendimet e mia
Shpirtin e shkretë
M’i ka zaptuar
Kjo dashuri e sinqertë.
Mister rrëmbimi i saj
Më ruan si diçka të shenjtë
Mike kaq të mirë
S’kam pasur ndonjëherë.
Tani më thoni ju lutem
Kam bërë vallë ndonjë faj
Që jam e tëra robinjë e saj?

 

E bukura e dheut dhe princi

Shumë kohë më parë,
E bukura e dheut dhe princi
Tronditën botën mbarë
Me dashurinë e tyre të zjarrtë.
Legjenda e lashtë thotë
Se janë dashur aq shumë
Sa planetin akull të ftohtë
E bënë të banueshëm, të ngrohtë.
Sikur kjo legjendë e vjetër
Me princ dhe të bukur dheu,
Të përsëritet një herë tjetër
Do ta besonit vallë?
Sado e çuditshme të jetë
E bukura e dheut dhe princi
Në kohët moderne ekzistojnë
Tani, jo legjendë, po të gjallë,
Njëlloj si atëherë dashurojnë.
Duhet të më besoni patjetër
Në këtë pikë planeti ynë,
Nuk ndryshon nga bota e vjetër
Në doni më shumë ta pranoni
Ua them një herë tjetër.

 

Të falem dhomëz e fshehtë!

Të falem ty,
Dhomëz e fshehtë
Siç falen të gjithë
Para çdo gjëje të shenjtë.

Ashtu je bërë
Për ne ti,
Fole e vogël,
Më e fshehtë se nata.

Na mban strehuar
Ditëve të zjarrta
O dhomëz e vogël,
Me dritare të marrta.

Të përulem, dhomëz
E të puth çdo cep
Që marrëzitë tona
I përkund si në djep.

I mbyll sy e veshë
E verbër, e shurdhët
Bëhesh për ne
O dhomëz e vogël
E bukur, e fshehtë.

 

Pa ty

Pa ty s’kam identitet
Fytyrë, zemër,
Pa ty trung peme
Që gjethe nuk çel,
Fije shkrepëse
E shkrumbuar
Që nuk hyn në punë
Për kurrgjë.
Pa ty s’e gjej veten
Humbas thellësive të tua
Shndërrohem në skelet
Që gjallon me frymën tënde.
Pa ty bëhem e padukshme
Sot jam, nesër kthehem hi
Se muza ime vjen nga ti
Pa ty shpirti im do flejë
Dhe bota e mjerë
Do hyjë në gjumë të thellë.

 

Këngë e trishtuar

Mund të shkruaj
Për tema pikëllimi,
Kohë të shkuara
Njerëz që s’jetojnë më.
Mund të mbush
Faqe pa numër
Për këngë
Me tekste të harruara,
Ku pemët
Do luanin me erën
Simfoni trishtimi.
Po ç’e do,
S’ lidhen fjalët
Shpirti nuk bindet
Dhimbja mërgohet.
Brenda syve të mi
Gjallon gjithë bota
Që më ka falur
Vetë Ai.

 

Veç një ditë dua

Më fal një ditë
Jo nga të miat
Ku çdo çast
Them të dua,
Po tjetër lloj
Që të jetë
Vetëm për mua.
Jepmë ditën e uruar
Qoftë dimër a verë
Të të dua pa pushuar
Ashtu si asnjëherë
S’e ke provuar.
Lëre zjarrin tim
Të djegë dhe ty
Shpirti im
Të fton në duel
Vullkan ka brenda
Veç një ditë me të rri
Të shohësh
Çdo të thotë dashuri.

 

Çdo ditë bie në dashuri

Je krijuar veç për mua,
Gjithnjë ma thua ti
Dhe unë ditë për ditë,
Me ty bie në dashuri.

Çdo orë që shpejt kalon,
Dhe çdo orë që mezi e shty
Me mendje jetoj çastin
Kur bie në dashuri me ty.

Mbrëmjet vijnë e shkojnë
Mëngjeset na gjejnë të dy
Javët dhe muajt kalojnë
Unë bie në dashuri me ty.

Edhe kur jam pranë teje,
Edhe kur larg teje rri
Të ndiej gjithnjë afër meje,
Çdo ditë bie në dashuri.

Kështu e deshi fati
Të jemi Unë dhe Ti
Përjetësisht të dënuar
Të biem në dashuri.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s