PËRHERË DIÇKA DO TË SHEMBET REBEKA! / Poezi nga Alisa Velaj

Poezi nga Alisa Velaj

 

PËRHERË DIÇKA DO TË SHEMBET REBEKA!

(gjithnjë
ka një mbrëmje që s’i duhet askujt)
Fatos Arapi

Rebeka
Trishtuar der në majën e flokut,
trishton veten dhe tingujt në kitaren e harruar.

Jashtë është gushtovjeshtë
“Ende nuk është shembur çdo gjë,
ende nuk është shembur…”,
mendon ti e lëmekur me sytë nga qielli.

Ç’kërkon më tepër ti vajzuke,
ç’kërkon më tepër?
Shtëpia e këngës të strehon pambarim,
ndërsa ajo pemë në kopsht ka vdekur.

Pranoje atë pemë në shpirt, vajzuke,
me pamjen më të harlisur të një dite prilli.
Prehje për të qe vjeshta që shkoi
Kjo që po vjen është harrim i harrimit.

Harrim i harruar bëhemi Rebeka.
Stivojmë harlisjet thellë në vete
dhe ecim, ecim nën hijen e trungjeve,
duke i thurur hymne një gjetheje.

Ti kupton shumë, aq shumë sa s’të nevojitet Rebeka…
Ndan netëve të dimrit çdo pikëz dite nga nata,
pastaj arratisesh në guva ku asnjë rreze s’të mbërrin.

Të kujtohet kur nanuriseshe nëpër tinguj,
ndërsa i dashuri yt përkëdhelte ty dhe kitarën?
Atë kohë u vyshkën tërë lulet mosmëharro në kopshtin tënd,
por kurrë nuk ditëm në munde t’i shihje…

Ishte mbrëmje e qetë tetori e ti shpërfillëse ndaj aromave,
jetoje këngën tënde.
Ajo vyshkje ish për ty thjesht një ndodhi.
Po sot pse u dashka të pikëllohen dhe qiejt per ty?

Ka mbrëmje dhe vyshke që s’do t’i duhen askujt,
sikur ka përherë diçka që shembet,
e as kjo nuk do t’i kurrkujt
një ditë vajzuke!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s