Poezi nga Mihal Gjergji

Poezi nga Mihal Gjergji

 

M Ë D Y SH J E

Evropa e plakur e lindi Leninin
Lenini, pas trupit ja preu qefinin

Me dhimbjen e Marksit e dini se ç’ngjau?
Dhe Marksi, planetin në ngasra e ndau

Paraja rrënon dhe ka forcë të ndërtojë
Abelin e vdes, Kaini do rrojë

Mendoni një çast, si Krishti mbi kryqin
Atij që të vret askush s’ia bën gjyqin

Mos prisni ringjallje me frymë perëndie
Urrejtja e vrau çdo ëndërr lirie

Monedha e re që popujt do kenë
Lenini dhe Marksi stampuar do jenë!

 

PEIZAZH NGA VLORA

Kanina tund një degë ulliri
Poshtë saj gëlon e ngrata turmë
Ç’bën me lavdinë që mban tek gjiri?
Paqen e mbjell dhe korr furtunë!

Eh, ky qytet, që ha vetveten
Dhe s’bën dot gjumë e prehje s’ka
Më zgjon ca dhimbje që nuk treten
Një plumb në shpirt nuk di nga ra!

Një foshnjë jetime i flet zotit
Por ai s’ndjen, s’afron mëshirë
Fatin gremis në pikë të lotit
Dhe shpresa thinjet në zinxhirë

Pulëbardha klith e kërkon shtigje
Hap flatrat ëndërra për liri
Një hark ylberi puth dy brigje
E unë mes tyre në vetmi…

Pse s’ka një varr të ri pashai?
As për Kainin s’ka qivur!
Mesjeta grindet me normandët
Me vraga gjaku në çdo gur

Kërkoj me ngulm ca gjurmë jete
Përtej trishtimit që më vret
Ç’është ky rënkim sa shtatë dete?
Ringjallet Troja dhe buçet!

 

ËNDRRA TË BARDHA

Atdheu mbeti larg, si hënë e ngrënë
Njerëzit e gjakut mërguan,
kaptuan prapa diellit,
humbën në humbëtirë
Malli më djeg për ta, si zjarri-gurin,
vetmia më lidh me zinxhirë!

Pres të takohem në ëndrra!
Vallë, ku e pikojnë farmakun e fjalës,
po lotët, cila dhimbje ua piu?
Po thëngjijtë,
që mbështollën me hirin e vatrës,
a mundën t’i ndezin gjetiu?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s