Poezi nga Suzana Malaj

Poezi nga Suzana Malaj

 

Vajzës

Dikur për ëndrrat e mia ishte aq ndryshe,
kështu dëgjoja të thoshte dhe nëna ime,
ndërsa gjyshja kujdesej të mos e shtija gishtin e prerë në kripë…
Sa shumë gjëra kanë ndryshuar e megjithatë
ka gjëra që nuk ndryshojnë asnjëherë,
fjala vjen të dish të qepësh një kopsë
me gjilpërë…
Të duket e parëndësishme, e vogël, e tejkaluar?!
Ndoshta por merre pak shtruar e mendoje atë kopsë si dëshirën tënde,
mendoje fillin si mënyrën e zgjedhur për ta realizuar dhe gjilpërën mendoje si vetveten!
Mund të ndodhë që padashur mund të lëndosh e të lëndohesh ,
filli të të bëhet lak nuk është cudi…
Mund të ndodhë që e gjitha të të duket mund i kotë prej sizifi e të heqësh dorë…
Mund të ndodhë!
Kjo është bota e lidhjeve të drejtpërdrejta e të tërthorta…
është mirë t’i dish!
Nëse do na mjaftonin shqisat për ta njohur botën nuk do ishte e nevojshme të mendonim
e nëse mendojmë nuk mund ta ndrydhim zemrën!
Të kam përballë dhe e gjitha c’ka ndjej
është bekimi që je e shëndetshme
Nuk më duhen arsye të tjera për të të dashur!
Në mite, një nënë krenare
u ndëshkua nga zotat.
Të duket e padrejtë?!
Po t’i pyesnim zotat me siguri do e kishin një shpjegim…
Ne mund të hamendësojmë për arsyen
e gjithsesi do jetë një e vërtetë e mangët, e paplotë,
se njerëzit flasin dhe për gjëra që nuk i dinë…
Mund të ndodhë që shpjegimet të jenë të pamjaftueshme për të na bindur,
të pamjaftueshme për t’i pranuar,
mund të ndodhë, por mos harro:
– Zotat nuk na përgjigjen sepse nuk na konsiderojnë…
Ndërsa ti – ti je kaq e rëndësishme!

 

Një këngë të pamort’ dua!

Ka rënë mjegulla e ka tri ditë e tri netë
që shkruaj vargje të vdekshme!
Vdesin pa u pjekur,
pa parë ëndërr…
As më shtien në dhe,
as më nxjerrin nga dheu,
as nisin, as sosen!
Këngë pa orë…
… … …
Dua një këngë të re për vatrën,
me mall të ndezur për shekuj të tërë të pamort’ !
Me orë të mira e dua,
me mburojë …
me zjarr e me hekur !
E dua me atë freskun e hollë që fryn.
U bënë 3000 vjet që shkruaj në mjegull…

 

Paqja është për të vdekurit

Jo zemërimi por mëria është shkaku i luftës…
Mjerë ai që nuk e shkrepi një vetëtimë të vetme në syrin ,
mjerë ai që nuk e rrudhi ballin prej padrejtësisë,
mjerë ai që nuk vuajti e asnjëherë
nuk e tha një fjalë të vetme për të urtin!
Mjerë ai që nuk jetoi as në sy, as në ballë e as në buzë!
Si mund të jetoj në paqe kur dheut tim
trupin ma tërheqin drejt Lindjes e shpirtin e kam Perëndimit?!
E thyer në mes si mund të jetoj, kur zemërimi i dheut
më rri në lule t’ballit?!
Mëritë e vjetra bëjnë luftëra të reja me kuaj të hazdisur
e lot të rremë simonoi…
Zemërimi është i përligjur e paqja qoftë për të vdekurit!

 

Kullotë pa grigjë

Në Lugjet e verdha, kullota e vatha pa grigjë
heshtojnë…
Asnjë zë burri.
Jehona shurdhmemece dremit në anën tjetër të malit.
Zbret qyqja në shpellën e Mujit e Halili shqyen sytë…
Fol, heu burrë i dheut,
na paskan koritë!
Është zënë ora në shteg t’keq e dhitë
janë përcjellë me barit në dhera të panjoftun…
Ka me dalë përsëri agu e përsëri ka me rënë muzgu
e s’kena me u pjekë as për mort!
… … …
Në të mbirët e dheut një gjarpër i bërë kutullac
ndërroi petkat…

One thought on “Poezi nga Suzana Malaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s