Anna  BLANDIANA (Rumani) / Përktheu nga rusishtja Agron Tufa

 

Ana Blandiana (Rumani)

 

Poezi nga Anna  BLANDIANA

Ana Blandiana (emri i vërtetë – Otilia Valeria Coman, 25 mars 1942, Timishoara) – poete rumune, eseiste. Pseudonimin e mori nga fshati i lindjes së nënës së saj në Transilvani, zhudec Alba. Për shkak të fatit të babait, një ish i burgosur politik, ajo e pati të vështirë rrugën e botimit. Në vitin1967 shpërngulet në Budapest. Në vitet 1975—1977 ka punuar si bibliotekare në Institutin e Arteve Pamore. Nga viti 1976 poezitë e saj përkthehen e botohen jashtë Rumanisë. Deri në rënien e rregjimit të Çausheskut ndiqej nga Sigurimi i Shtetit si disidente. Pas revolucionit të vitit 1989 merr pjesë aktive në jetën shoqërore e politike. Poezitë dhe proza e Ana Blandianës është përkthyer në shumë gjuhë të botës, përfshij gjuhën kineze. Është presidente nderi e PEN-klubit rumun, presidente e fondacionit të të drejtave të njeriut, ka qenë që në fillim drejtore e Institutit të Viktimave të Komunizmit. Anëtare e Akademisë poetike Stefan Malarme, e Akademisë Europiane e Botërore të Poezisë. Fituese dy herë e çmimit “Herder” (1982, 1988), çmimi i Festivalit të poezisë në Vilenicë Slloveni (2002),Kryqi I Legjionit të Nderit (2009), etj, etj.

 

RËNIA

Profetët u shuan në shkretëtirë,
Engjëjt me krahë të zgërlaqur
Po i mbledhin njëshkolonë nëpër sheshe.
Së shpejti ata do t’i gjykojnë.
Do t’i pyesin: cili mëkat
Ju ka dëbuar prej qiejsh?
Cili faj? Cili krim? Çfarë gabimi?
Ata, të përgjumur, të mefshët,
Do të na këqyrin me dashurinë e mbrame
Dhe nuk do ta kenë guximin e dreqërve
Të pranojnë faktin, se rënia e engjëjve
Ndodh jo për shkak të mëkatit,
Jo për shkak të mëkatit,
Po për shkak të lodhjes.

 

ELEGJIA MËNGJESORE

Në fillim premtova të hesht, por mandej, në ag,
Ju pashë tek portat, duke bartur ndër grushta hirin,
Hirin që mbillet, siç mbillet gruri.
Nuk u përmbajtja, brita” Çfarë po bëni?
Për ju kam qenë tan natën bora që bie mbi qytet,
Për ju e lëbardha natën; o sikur ta dinit,
sa e vështirë është me qenë borë që bie!
Mbrëmë, sapo u shtritë, unë flatrova me erën,
Qe ciknë dhe errësirë. Me lejohej
të fluturoj deri në atë sinor, nga ku
Shkretëtira nis me i vërtitë rreth vedit trupat qiellorë,
Atje më takonte me shpërthye fakurimë për një grimë,
Me u kthye mandej tek ju në flokëbore të bardha.
Çdo fjollë e mendoja, e peshoja, e provoja,
E gdhendja, e vulosja me sy
Dhe tani, teksa kridhem në gjumë,
Më ndizet zjarrmia prej rraskapisë.
Ju shoh tek mbillni pluhurin e flakës përvëlonjëse
Nëpër krijesat e mia të bardha, dhe unë, buzagaz
Jua shpalos sekretin:
Do vijnë pas meje të tjera borërënie, më të mëdha,
E krejt bardhësinë e Universit mbi ty do ta shprazin.
Ligjësitë e tyre gjakoni me i kapë që më parë,
Të tjera borërënie do të vijnë pas nesh,
Dhe juve nuk do t’ju mjaftojë më hiri,
Fëmijët do mësohen me i derdhe prajtë flokëboret,
Një asi dëbore të pastër, shkëndritëse

 

NGARJA E TUFËS SË DHENVE

M’ë shtirën tufa dhensh,
Që kurrë s’i kam parë,
Më shtiren si zbresin prej malesh
Dhe më kalojnë përskej,
pa më vënë oroe,
E më ngjan sikur zgjohem
Aso jete, kur paraardhësve të mi
U erdh sihariqi
I lindjes sime.
Po delet ngasin e ngasin,
Pa më njohur mua,
Dhe nuk di ç’të bëj,
Çfarë t’u them,
Dhe mbetem vetëm me malet,
Shuhet kumbi i këmborëve,
Dhe nuk e kuptoj, përse
S’po e përballoj dot
Disfatën e natyrshme –
Të lëshohem dhe unë
Me shpirtrat e deleve në rrafshultë.

 

ALTERNATIVA

Sa shumë, sa shumë kohë
I duhet Zotit,
Që të pranojë
Ekzistencën e Satanait!
Një tundje e thjeshtë koke –
Dhe beteja do të ishte e fituar.
Mjaft që Ai të thoshte,
Se Vetë e ka krijuar,
Të pranonte balancën vendimtare,
Në të cilën
Pesha e Satanait
i Jep Atij jetën e amshueme
Në fund të tabelës,
Së mbartur lart.

 

DO TË KISH QENË DASHTË…

Do të kish qenë dashtë që pleq të kishim lindur,
Që të ishim të zgjuar,
Që të ishim në gjendje t’i zgjidhnim vetë fatet tona,
Që të dinim, si t’i shmangnim rrugët e ngatërruara.
E mandej, do fillonim të rinoheshim, të rinoheshim,
Që me t’u bërë të pjekur, të ishim në lulen e forcave krijuese,
Që mandej, fare të rinj, të hynim në mbretërinë e dashurisë,
Që të ishim fëmijë në momentin e lindjes së fëmijëve tanë,
Që ata të ishin më të vjetër se ne atëbotë,
Që fëmijët tanë të na mësonin të flisnim
Dhe të na përkundnin gjersa të na zinte gjumi.
E mandej, pak nga pak, do të bëheshim gjithë e më të vegjël –
Sa një kokërr rrushi, sa një kokërr bathe, sa një farë lulëkuqjeje.

 

Përktheu nga rusishtja: Agron Tufa

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s