Cikël poetik nga Agron Shele

Cikël poetik nga  Agron Shele

 

Albania

I kam hapur krahët
rrëmbeje zemrën time
vetëm ti ke të drejtë ta mbash në dorë
e ajo të dridhet si zog i plagosur,
por të mbruhet në atë dorë të sigurtë,
që kullon gjak dhe fuqinë e një Prometeu në shkëmb,
ku çdo ditë të falë dhimbjen time
e çdo ditë të rilindë flatrat e shqipeve dhe më lart!

 

Ky jam unë

Ky jam unë
nuk di të ndryshoj
ngelem përherë një shqetësim i ditës
një lodhje e orëve rrotulluar në marionetë
e besoj se dhe një çast
mund të gjykojë kuptimin e universit
fantazmave të trurit
në zjarr e në shpirt
për të djegur masën e zezë të botës
në turra, të ushqyera nga gjymtyrë,
që flakërojnë më shumë se drutë.

Marramendje mes hapësirës
dy ritmeve të ndryshme;
atë të prangosjes në altarin e ndërtuar nga besimet e vjetra
dhe nxitimit për të kapur paskohën e humbur,
që s’ ka shtjella
por lumë që rrjedh viseve të mia
i kristaltë si bora që e ushqen
dhe i frikshëm, si rrufetë që djegin qiejt
rrjedhjes së tij nëpër damarë
të një menhiri që ende më tregon gjenezën
të një kalaje që fsheh gjakun e luftëtarit poshtë myshqeve
të një ure, që lidh kapërcimin e diellit
të një bregu, që poshtë lisit të vjetër fsheh kambanoren e humbur të Shën Thansit,
Kangjeles,
ku mali ngre lart kreshpërimin e frikshëm
Sheshkalorit që ndërron kuajt revan
Fushëbardhës që jehon ende ulërimën e ujqërve
dhe një shtëpize të bekuar
ku linda
e sigurisht do më rikthejë në trëndafil të bardhë.

Ky jam unë…!

 

Forma më e shenjtë

Forma më e shenjtë
shkëndijë që kërcet e digjet,
së bashku me shpengimin e shpirtit
honeve të padukshme
të shumë dashurive
përqafimeve të përkryera
në një dlirësi njerëzore
pikave kalimtare
egzistencës tënde.

Rrugë e mistershme
për të arritur aq larg
të duash lirinë e tjetrit në infinit,
të duash mallëngjimin dhe ta shikosh mundësisht të kthyer në det,
tek shfryn dallgët e trazimit çast e ti bëhesh një breg,
që fal paqe
dhe gjatësi për gjithë hapësirën që prek syri
thyer në dimesione plot ngjyra
për të ndritur një rreze
lindur e prekur ndër ujëra të kaltra
fashitur rrëzëllimit
të ardhur,
të humbur,
të një muzgu.

Forma më e shenjtë
miqësia e përjetshme e atyre që në një flakëz qiriri djegin memorien
e çelin të bukurën shpresë…!

 

Sakrificë

Në gjuhë flake jehon marshi i padukshëm
para absolutes së përjetshme
shpëtimit të hapësirave që kurrë nuk i kuptuam
rrjedhë e formave apo aventurë njerëzore
të çfarë do lloj ritmi
brenda nesh,
si fillim i fundit të një fillimi
dhe fund i një fillimi të një fundi.

Para nesh shtrihet e njëjta panoramë.
S’ ka nevojë ta shikojmë;
është një avion që qiellin përpin,
është imagjinata e një anije në lundrim.
është një tren që përshkon stepat më të largëta
apo një metro që zhvendos barkut të një kryeqendre.
Kjo është lëvizja
e neuroneve drejt abstraksionit të nesërm
në një kuti magnetike shpejtësie,
që shpërndan thirrje
e sjell profile
të eleve që mbajnë në këmbë arkitekturat moderrne,
si formë
e imazhe të kristalizuara fasadave që poshtë këmbëve dergjin qeniet e veshura me zhele.

Duke përmbysur veten tonë
më të fortë se çeliku,
më të butë se era
arrijmë në shkrirjen e një impulsi,
që udhëheq instiktet
devotshmërinë për të kapërcyer çdo ditë paragun e mbijetesës
dhe kënaqësisë, që dhe një muzg e përcollëm kortezhit të natës
dhe një tjetër ditë arritëm ti zbardhim faqen.

Nuk mjaftojnë as katër frerë të tëheqin karrocën,
as krifat që valëzojnë kuajt,
as ngjizja nga hareja,
kjo është epoka e distilimit të ajrit
braktisjes në rrokullisje nga krijuesi,
legjimitet i një fryme tjetër
sakrificë e njeriut brenda masave.

 

Shkallë universi

Çdo ardhje duket e padukshme
por thellë në gjenezë fsheh parardhësin e paralindur
fsheh dhe pasardhësin e palindur
gjymtyrë të një trupi në rendje
vaj e gëzim
përgjërimit e fatit
gjer në ashtin e kufijvë të tokës
që e sjell
dhe sërish e merr
për të ndërtuar eshtrat e saj të gurëzuara
në zemra zhuritëse
dhe identitet.

Ndjen si rrënjëzohen rrënjët e errëta
tokës së kalbur
ankthit gjer tek frymori,
për tu shkëputur nga këmisha e trupit
mishit të tij
për tu çliruar.

At, je bërë si kalë i plogësht
që vetëm krifet kanë ngelur në erë
thundrat janë zbathur betejave të pa nisura
imagjinuar
në troke të përbotshme
që krenarinë kthjenë në jehonë.

Nuk fsheh asgjë,
as humbjen përbrenda universit,
por as triumfin që zgjat kaq pak,
fare pak,
aq sa legjenda e të lindurit
kafshon të brendshmet e tua
dhe mua më vjen të ulëras…!

 

Krahë të këputur

A i keni parë zogjtë, kur mblidhen në shtegtim?
Regëtimën e tyre a mund ta dëgjoni?
Nuk është thjesht dhembje e braktisjes së foleve
por kapërcimi në të tjerë qiej,
atje ku mendohet se dielli ngroh më fort
fryn përherë dhe më shumë thëllim.
e ata të bindur rrugës së fatit
lodhen sakrificës tyre fluturim.

Ndoshta dhe humbasin trillit të jetës
e prehen diku, vendeve harrim,
në një mal që ende ka gjurmët e borës
ose një lumi ardhur turbullim
pendë e mbetur shenjës përpjekje
në të zverdhurën vjeshtë, pasazh i kujtimeve;
paskohë që pemët i zhvesh gjer në asht
dhe ëndrrat i këput ende pa zënë fill.

 

E njëjta…!

Rendjes së përbotshme prapë u shfaqën të njëjtët sy
i njëjti vështrim,,
që prekte shpitrin e trazonte detrat e largët
ata që shfaqnin një anije të bardhë rrethuar nga pulëbardhat
afruar drejt limanit të vetëm
prehjes së vetme paqes së amshuar
në spirancën e hedhura ujërave të cekëta,
e shkallares
ku zbrisnin ëndrrat e kahershme
ecur bregut që fshihte gjurmët e dhimbjes
takimit me dëshirën e heshtur
oshëtimë e përplasjen së valës në breg.

Çuditërisht ishte dallgë e ngritur
fluturim i stërkalave në imazhin hapësinor;
det e qiell i përflakur nga perëdimet
det e qiell zgjuar nga agimet.

Rendjes së përbotshme prapë e njëjta muzë
fjalë e pathënë përthyer në shpirt
ardhur nga më të lashtat shkrime,
pamje që përherë tokën e dridhte,
aq sa në floknajën erë
pëshpërima kthehej në fëshfërime
e mështenkave në pyllin e harruar të veriut
përkundur degëve që sillnin harbim
feksjes së vetme të më të ndritshmit yll…!

 

E parrëfyeshme

E parrëfyeshme
tek ngjitesh në një shfaqje ku luajnë mendimet në një qiparis përballë
aktorë të një shpirti trazim
mrekulli e ulur në kryqëzime shqisash
kurbë e blertë ngjitur në re
dhe përkundje në shtratin e vonuar të rrënjosjes
kapilarë që ushqejnë limfat nga toka
për të marrë fuqinë e krijesës kalimtare
tek ndjen vorbullën e gjithë universit
dhe çel çastin e ëndrrës
si zbritje e feksjes së një dritë shprese
mposhtur dhimbjesh
dhe frymë e ngritur përmbi dhe.

Forcë e padukshme e krijesës imagjinuar
në oazin e përshfaqur mirazhit sy
etjes së përbotshme
fantazmës që ndjek dhe përvuan një engjëll
kulmit të përplasjes
shkelur e endur mbi ty
brazdë e dhimbjes së ardhshme
pasion që i djeg të tërë qiejt…!

 

Përulur unjësisht, Fishtës Madhështi!
(At Gjergj Fishtës)

I

Ndër mote ndihet zëri i lahutës
drithërimë që trondit gjer në asht,
me tinguj hyjnorë zbret *Mrizit të Zanave
legjendave ku rrënjët pleksin e shndrijnë.
Ngrejnë altarit bëmat e kreshnikëve
kohën e pakohë të shqiptarit ndër shekuj,
në një murosje që kështjella të bëjë ballë,
në një urë që kuajt të shkojnë revan
e triumfi i fluturimit të shqiponjës së lirë
të gdhendë çdo gërmë, çdo prag e çdo gur.

Aty lipsej buka dhe fjala,
se fati i arbrit kish trima’ kordhëtarë,
që zbrisnin si rrufe në qiell të hapur
e kurrë nuk njihnin ç’ ish zgjedhë ndër barbarë
amanetin e të parëve nga dheu e nxirrnin
e flakadan lirie përjetë ndrinin.

Me vështrim nga mijëvjeçarët që do shkojnë
kënga e lahutës përherë në oshëtimë
një tingull për atë që i thuri lavd
e në çdo cep të botës per ne pishtar,
këngë e Malcis që atdheun pushton
ninull e djepit që filizat i zgjon,
e lisat ndër rudina shtatin u drejton,
që qiejt më të lartë përjetë të sundojnë.

II

Re të zeza rrethuan atdheun
marrëzi e ardhur nga më i tmerrshmi ferr
të mundte memorien e kombit të fshinte
e duart të kallte gjer në varr
urnat e bëra njësh me tokën
nuk dinë të lëshojnë proren e vet
hiri i mbetur kurmit të bardhë
për çdo ditë ringall tjetër feniks.

E frymë, e ajër lodruar ndër bjeshkë
në çdo zë baritori jehonte dhe më larg
telat e lahutës, drithërimë dheu
në pyje e qiell bëhej uragan
të shkundëte nga themelet kobin e ardhur
e më shumë dritë të mbillte në shpirt
ëndrra e vjetër për Shqipërinë Zonjë
të ndihej e shihej në të katër stinët.

Prangat shtëngonin vitet e mbrapashta
“shoq më shoq” vetin shtynin në mëri
bora e bardhë flinte përmbi tela
e lulja e parë çelte në thëllim
të bukurën ngjyrë që i veshe fljalës
e shihje kudo, në zabela e lëndinë
të vetmin zë që klithmonin bijt
ish vetëtimë përmbi errësirë!

Ish’ fat i ardhur në kohën e stuhive
belbëzim i të parit rrëfim ndër shkronja
gjurmë gjaku mbledhur deje lashtësie
shqisë dhe memorie ngritur vetëdije,
nëmur e mallkuar kush mbi veten shkon
ngritur pidestal kush shtohej ndër radhonj
epokë pas epoke, gjer në shenjtësi
përulur unjësisht, Fishtës Madhështi!

 

Cassidy

Stolisur me flatra të rrëmbyer nga engjëjt
e vogla Cassidy,
bekim i një bote që shpesh mbytet reve
dhe ti më shumë se një buzëqeshje,
rrebele e ngritur përherë në kthjellime
e vogla Cassidy,
të kam falur penë e bojë;
pikturo për mua të tërë qiejt!

 

Bashkëbisedim me një autore
(Iliriana Sulkuqi)

Unë kam kohë që e kam vrarë natën
dhe aty rrëmbej pak flakëz drite
nuk di të lutem
por falem,
asaj përndritje të zbehtë
që dërgon një rreze të vobektë
aq sa të shquaj një gërme
ndoshta dhe një rresht
ndoshta një gjurmë,
e aty të shkruhet
se një botë e tërë vlen,
aq sa një rrëzëllim dhe dëshirë e përjetshme
tërë dashurinë njerëzore më jep.

 

Për ata që më pas do vijnë…!

Duke u tjetërsuar errësirës
barkave misterioze të natës
në vatra muzgjesh mbi muza të lënduara
herë prushëruar të yllit në rrëzim
e herë të një nate, pa hënën e ndriçim
arrita të shquaja një fytyrë të panjohur
me flokë që derdhnin dallgët nëpër lumë
e sy i rrëmbyer nga i kthjellti pasqyrim
që nuk kish prehje
por rendje, shushurimë.

Magjia ime pse t’ shikoj kështu sonte
s’ di pse përherë je më shumë se një mallkim
që më çmend e largon nga të largtit dishepuj
aty ku unë dua të jem fli,
ndoshta je një murnajë pikturuar nga hijet
që zbardh më shumë se rrudhat e mija
dhe unë kështu,
vdekatar i kësaj bote
s’ di, si mund të jap më shumë shpirt.

Është zemër e ndezur strehës së vetme
aty ku një pishtar zbardh ndoshta një rrëfim
për ata që para nesh menduan egzistencën
dhe ata që më pas ndjekin të njëjtin rrugëtim
emocionit të ardhur rastësisht
egzaltimit që ngjeth gjer në mish
kurm e memorie egzigjencës vazhdim
dhe bekim, për ata që më pas po vijnë…!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s