Poezi nga Natasha Xhelili

Poezi nga Natasha Xhelili
 
 
VAJZA E DËBORËS
 
Me flokë dëbore
t’i spërkita qerpikët
fjalët,
ëndrrat.
 
Të vura diej në sy.
 
Prej hapësirës
ngrohtësinë e rrëmbeva;
kurmi yt i bardhë
në vallëzim më ftoi.
 
Atje, në mes të Sheshit
me valsin (valëvitjen) e erës
që ngarendte për ta mbajtur fustanin
si të një dame
 
U ngurosa para teje
 
Beli yt dridhej në prekjen e bardhë të dorës sime
Ritmi më mban në drejtqëndrim
Nata e qelqtë buzët e tua m’i zgjat.
Ato përflaken ende pa i prekur
Vishem me bardhësinë e qytetit
Nën vështrimin e mijëra yjeve
që më grishin në festën e madhe
 
Magjistarët e kohërave i thërras,
të gjithë,
bëj fli dhe jetën time
të vesh bukurinë e Helenës
e guximin e Athinasë
dhe vendos në sfond muzikën e shpirtit tim
 
Belholla ime
hapin tënd pres.
 
 
 
SI NË PËRRALLË
 
Petalet e fjalëve si dëborë prilli
I mbuluan zërat e heshtur të udhëve
Si me magji u bë i dukshëm filli
Qē u dha flaķë të ethshme buzëve.
 
Ti erdhe nga ëndrrat si një princ i kaltër
Në përralla ishim dashuruar njëherë
Pëllëmbët e duarve i bëmë katër
Dhe rendnim pa turp si Adam e Evë.
 
Ti kërkon i etur një krua të freskët
Që tokën e djegur ta shuash gjithë afsh
Nga dunat e vogla me një frikë të mekët
Derdhesh drejt luginës dhe gjen një oaz.
 
Parajsa të thërret: hap portat një nga një
Dhe etja fytin ta than gjer në fund
Unë si Evë e marrë botën bëj asgjë
Që ti të shuash etjen veten bëj gjithkund.
 
Të nginj me tri pika ti bëhesh si erërat
Parajsën e zbuluar tē ftoj ta eksplorosh
Kur në gjoksin tënd më shemben humnerat
Kufijtë e përrallës kërkon të zgjerosh.
 
 
 
UDHËTIMI
 
E nisëm një udhëtim
Ne të dy
Drejt shtigjeve të reja
Në stinën e zemrës
Unë ndjek ritmin tend
Ti ndjek ritmin tim
Si ndjek vala valen
 
Hapësirat që zbulojmë
Kufijtë e tejbotës
I zbresin nga supet andrallat e ditës
Unë në qiellin tënd
Ti në qiellin tim
Si yjt’ e galaktikës
 
Vërtik lëshohemi
S’e njohim frikën
Në skajet më të largëta të njëri- tjetrit
Unë fillimfundi yt
Ti fillimfundi im
Ashtu si të verbrit
 
 
 
VESH KËMISHËN TËNDE
 
Vesh këmishën tënde
Rruga drejtohet
si filli i perit te gjyshes
kur thur ëndrrat e vajzërisë
Mbrëmja largon tisin e mugët
me erashkën e perëndimit
Flladi që vjen më vesh
me ndricimin e pëshpëritjeve të tua.
Kufijtë që s’ duhet ti shkel
largohen e marr frymë lirisht,
Parfumi që lëshon trupi yt
më deh e harroj realitetin
Ashtu e dehur derdhem ditëve
që ke veshur këmishën
Mas hapat që na ndajnë
Gjoksin e fshehur që dua ta prek
Kërkoj stinën kur më bën të lumtur
Ngre një stive me vargje për t’u shprehur…
 
Ndiej hapa që me afrohen…
 
 
 
ATË NATË
 
Ç’ëndrra pamë atë natë,
Ç’diej nga qielli përzumë,
Ç’ morte fshehëm nëpër flakë,
Ç’dallgë jete i bëmë shkumë?
 
Yjet i mblodhi mëngjesi
Në ballin tim si kurorë
Gjoksi yt parajsë i ndezi
Në tokë ranë si meteorë.
 
 
 
ERRËSIRË DHE HESHTJE
 
Errësirë dhe heshtje
gurgullon nata në shtratin tim.
Pastaj pas hijes së mugët të malit
nxjerr syrin një hënë e ngrënë.
Më futet në shtrat e butë, e verdhë,
me padurimin e herës së parë
dhe ndrojtjen gjithashtu.
Ai gërrhin në shtratin tim.
Dalngadalë e pushton
magjia e verdhë dhe padurimi.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s