Poezi nga Vaso Papaj

Poezi nga Vaso Papaj

 

Atdheut sot

Sado që të përpiqem, përbrenda edhe të digjem,
Pa ty kurrë, qoft edhe një ditë, s’do t’mundem të jetoj.
Mënyrë për të shpëtuar, veç veshë e sy të shuar,
Me ty do jem dhe nëse shtrenjtë këtë do ta pagoj.

Vazhdon të jesh “i keqi”, askush një herë s’të ndreqi
Dhe prapë të iki gjallë nga gjiri yt unë refuzoj.
Se kjo “e keqja” jote s’është e vetmja e kësaj bote,
Një ditë prej ditësh do të desha vërtet ta gjunjëzoj.

Në shpirt kam vetëm paqe, në ballë, në sy, në faqe
E brenda meje s’gjej caqe, ku mos t’më duhesh ti.
Pa ty, njeri i trembur, një qenie e kalamendur
Dhe s’bëhet ndryshe, e di?… Mos pyet përse dhe si.

Më rrjedh, shekuj ndër deje, e kuqja dhe e zeza
E shlodhem sa herë kokën mbi dheun tënd mbështes.
I lutem Zotit, mos vij një ditë dhe më zë fshesa:
Të të shoh vetëm një herë të qeshësh dhe le të vdes.

 

Çelni arkapiat

Çelni arkapiat!
Mos jeni shurdhër, qorra?
Uragani vrundullon.
Jepnani frymë!
Ju që keni mbjellë
Motele për horra,
Skuta vetëm për sorra,
Ju të nginjur,
Dhe në qofshi të rinj,
Kështu,… jeni thinjur.

Çelni portat!
A s’jemi vëllezër?
Dhe mos shihni duart,
Shihni sytë!
Dhimbja, a s’ju rëndon?…
Keni shpirt? A s’jua trazon?…
Dhe në qofshi AUT,
Të paktën kërkouni ndjesë!
Foluni,
Jepuni pak shpresë!

Çelni, çelni arkapiat!
A s’jeni shërbëtorët tanë?
Uragani vrundullon.
Hapni zemrat!
Vendit fryma s’i mjafton.
Ndryshe,
Zemra do t’i lëngojë,
Mund të pritet dhe Bypass
E atëherë dijeni:
Gjithkush do të humbas.

 

Si erë e lirë

Shikoj kaltërsinë e qiellit, përtej.
Vallë, a do të ketë botë më të mira?!
Ndaj si Ikari ngjitem lart mbi diej.
Dua të dal nga errësira.
Tani që veten e ndjej më të lehtë,
Po thith oksigjen, atë blunë e vërtetë.

Kërkoj të gjej shpirtin tim binjak,
Nuk lë skutë pa rrëmuar planetin
Dhe kjo udhë nuk më ndal aspak.
Unë jam erë që përkëdhel detin.
Nuk kam frikë nga errësira që zbret,
As nga heshtja e madhe që vret.

Ndërsa ti je gjithnjë si ylli polar.
Shfaqesh si drita e parë në mëngjes.
Ngurim tek ty asnjëherë nuk kam parë.
Shpirtin ma mbush me qëndresë.
Kur të shoh, më bën të këndoj.
Jam ky që jam, nuk mund të ndryshoj.

Ti thith oksigjen atë blunë e vërtetë.
Je erë, edhe ti, që përkëdhel detin.
Mëngjezet e mia m’i mbushe me jetë.
Gati je të sfidosh tërë qytetin.
Dhe, s’ke frikë nga errësira që zbret.
Heshtja e madhe as ty nuk të vret.

Ne thithim thellë atë blunë e vërtetë.
Jemi ne era që trazon detin.
Kohën e shkundim me forcë si tërmet,
Se s’flirtojmë kurrë me pushtetin.
Mbetëm të rinj’ dhe pse vitet përpjetë.
Si erë e lirë vrundullojmë përmbi retë.

 

Nata para provimit të fundit
( Brezit tim dhe jo vetëm )

I kujtoj:
Qenë katër çuna me kitarë,
Poshtë, në plepishtë,
Përballë dhomës sonë 23.
Filiza plepash, që nata i përkundte.
Ajo natë ishte e tëra e tyre…
Do të kish kaq dashuri të mos i thyente?

E kujtoj:
Edhe Ermirën me syze, e kujtoj.
Mbante skelet të madh, të zi,
Babanë nëpunës e kish, në Ministri.
Kujtimi i saj, syve të mi, kurrë s’u sos.
Hutohej sa më shihte.
Isha simpatik, i ri, serioz.

Kujtoj atë natë:
Provimi më ish shumë pranë,
Por ajo, larg dhomës sime, larg.
(Tashmë na ndante oqean.)
Iku nga studenti me njollë në biografi
Tek djali me baba gjeneral.
Ku ta dinte, e gjora, ç’fat do të kish ai djalë?!
Pas pak, tradhëtar ia bënë babanë
E biografinë të çalë.

Atë natë
Hëna më dukej si një vajzë e turpshme.
Ermira faqeskuqur. Një javë pa e parë.
Isha para provimit të fundit.
A do më shkonte kështu mbarë?…

Po ajo natë u lidh me arrest.
Dikush do t’përballonte më të egrin test.
Si dukej një nga ata me kitarë,
Që atje poshtë me Celentanon bënin festë.

Se ja,
E hipën pranguar në Gazin 69 .
Zoti mos e dhëntë!…
Dhe kitarat në plepishtë vajtuan gjer në mëngjes…
Një prej katër filizave,
Që atë natë do të mirrte pambarimisht mungesë.

Ç’të kujtoj?
Atë natë të prindëve të mi,
Që prisnin me ankth
Kthimin tim të fundjavës në shtëpi?…
Po atë natë prapa portës e kisha lënë frikën.
Nata ishte e tërë e imja.
Provimi i fundit, përkulur mbi matematikën.
Edhe pse ajo s’do të bëhej kurrë profesioni im,
Ëngjëll mbrojtës do të qe, tërë jetën,
S’pata kurrë dyshim.

(Ermirë!
Pse dridheshe?
S’do mundja të të bëj keq, vërtet.
Nëse dashuria është dashuri,
Ajo kurrë nuk të vret.)

U ndezën herët dritat e Fly-it këtë mbrëmje!
Miqtë përreth më ndjellin dëshirën
T’u them ca vargje edhe për Ermirën.
Ndoshta paksa për të ndryshuar.
Nëse dashuria është dashuri
E nëse vërtet në jetë ke dashuruar,
S’do të vijë kurrë ajo ditë,
Që nga një natë të vdesë.
Ndaj, në s’qofsha më,
Këto vargje le të mbeten kujtesë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s