NË KONTEKSTIN E IRONISË / Panoramë tjetër vijuese e poezive të autorit Brahim Avdyli

NË KONTEKSTIN E IRONISË
 
Panoramë tjetër vijuese e poezive të autorit Brahim Avdyli
 
 
 
NË KONTEKSTIN E FJALËVE
 
1.
A po na liron
apo nuk na liron
izolimi i luftës biologjike,
 
me datën 11 maj
do të na i lëshojnë me hipoteza
pak frymëmarrjet
 
e virusi i Koronës qarkullon
jashtë kontekstit kohor,
 
e nuk e di
a do t`i shpëtojmë befas
dehjeve të lirisë
 
pa ndonjë sëmundje nervore…
 
2.
Mund të dalim
përtej pritave
me frikën e ngarkuar kalistrok,
 
kështu
do të dehemi
me diafragmën e pyetjeve
të pazgjithuara,
 
me gjoksin e fryer
të pritjeve
 
në kontekstin e fjalëve!
 
 
 
I NGJAJ LAOKOONTIT
 
1.
Kështu
po mundohem
gjatë gjithë jetës,
 
e shoh veten
në përplasje
midis gjarpërinjëve,
 
kacafytem me ta
përpiqem
që të ngjallë përsëri
fjalët kokërr,
 
përgjigja e prerë
mungon gjithmonë
nga fjalët,
 
e nuk e di
si mund të dalësh
nga kafshimet e serta!…
 
2.
Gjarpërinjt
më kafshojnë
aty ku mund të kafshojnë,
 
tek unë
prirja për qëndresë
e gjeturia
mi qetëson pak dhembjet,
 
kallet etja e përhershme
e helmet
shtrojnë për vdekje
gjakun e pastërt,
 
prandaj bëj përpjekje
t`i këpus me duar
vëshimet e tyre mbi vërtetën
 
e vërteta ka ikur nga vetja
ka kaluar më tutje
e trishtuar
prapa shpresave të mia-
 
nuk mund të afrohet
te kjo përleshje
me të ligën e ferrit!…
 
3.
Nuk dorëzohem dot
para povave të përhershme,
 
gjarpërinjt e kohës
përpiqen që të më marrin
driten nga sytë
të ardhmen nga balli
e jetën nga trupi,
 
që të më bëjnë
më në fund
përmendore të ngrirë
nga helmi i ditëve!…
 
4.
Nuk janë miqtë
e baballarëve tanë
djemëve të djalit të parë të Polifemit
Ilirit tonë,
 
copa copa i ka rënë trupi në dhé
gjaku si gurrë
e drita e syve përtej botës,
 
ata që dinin të gënjejnë
gjithë helm të kafshojnë
e ta copëtojnë
të qenurit gjallë-
 
rrugën e ecjes në ardhmëri!
 
5.
Hadin e kanë vatër të tyre
 
mbretërinë
pavend të caktuar
të nëntokës,
 
nuk do të kesh ç`të bësh
me atë guri të ngrirë
plumb
mbi këmbët e tua,
 
vetëm nëse
drejtësia e perëndisë
e bën të veten!
 
6.
Ju, borealët e mi
të Atlantës së përmbysur
mija shekuj e mileniume
para Krishtit
 
përpiqeni të mësoni
tërë botën
 
e të mos jemi
Laokoont
 
në rrethin e parë
të rrotullimit
ndër kafshimet e paditurisë,
 
jemi flakë të Yjeve!
 
 
 
KONGLOMERATI
I THIRRJEVE TE HUAJA
 
1.
Pas gjashtëmijë vjetësh
zgjohen kur nuk e presim
konglomerati i thirrjeve të huaja,
 
ecë mu në zemër
të përpëlitjeve tona
 
e me anomalitë e bishave të harruara
derdhin ujë të pistë
në mes të Shqipes!
 
2.
Shqipja e jonë dridhet e tëra
me erën e korbave
anë e përtej kohërave!…
 
3.
A ka më tmerr
të priten me një cohë të kuqe
të ndarë nga flamuri
 
vrasësit më tmerrshëm
meduzat e vdekjes sonë
në mes të Tiranës!
 
4.
Disa që flasin shqip
lëkurën e hijenave
e mbajnë mbi supe,
 
hedhin copa pëlhure
të fjalëve të rreme
 
sikur kanë ku t`i fshehin
manitë e çmendura
 
për të plaçkitur
pak kaltërsi
në detin e dallgëve të vjetra!
 
5.
Kështu
bota del prej vetes-
 
nuk mund të përbijë
fëlliqësinë e korbave
mbi plagët e dhembjes
 
e mira
nuk ndodhet
në fjalorin e ditëve,
 
është tretur prapa Diellit
e klithë!
 
6.
Turpi ka rrjedhur
prej konglomerateve,
 
i shesin lirisht
të pavërtetat e tyre
në emër të engjujve
 
nëpër qiellin e mashtruar
të dhuntisë!…
 
7.
I vraftë Zoti i Madh
i drejtësisë së vlershme-
 
si mund të mashtrohen
kështu
ditët e bardha!
 
Tani
gjaku i mashtrimeve
u rrjedh nëpër damarë,
 
e nëpër thirrjet e huaja
i nderojnë kobet!
 
 
 
GOZHUPI I TURPIT
 
1.
Zgërdhihuni
prej gëzimit
bisha të egërsirës,
 
në bishtin e ngrehur
pingul
me zagarët tanë!…
 
2.
Përherë i lëpijnë
kockat e hedhura të shpotisë
 
ndonëse çakejt
e sjellin turpin
në mes të oborrit!…
 
3.
Si nuk ia dinë vlerën
shpazjeve tona
të detyrimit
 
e veshin
gozhupin e turpit,
 
kostumi i kundërshtarëve
as për së afërmi
nuk na bie për shtat,
 
dikush thotë
duart
janë tepër të gjata,
 
dikush tjetër qeshë
me këmbët tona
pa këpucë,
 
plot me zhele
pantollat
zbulojnë prapanicën,
 
e trupin
nuk e zë të plotë-
 
çdo ditë
korigjohet nga pak
kah epoka
paraprake-
 
korigjim i turpit!…
 
4.
Shekull pis
është ky shekull,
 
lugut të verrave
kokëposhtë-
aspak i përparimit,
 
turpet tuaja
çelin në ballërat tanë
lule kobi,
 
e pëlcet zemra
me gratë e përvuajtura,
 
dhembjet e pakryera
na pushtojnë
si gjithmonë
 
mbesin të pathëna
apo ndryrë!…
 
5.
Paskemi qenë
horra të belbëzimeve
nëpër viruset e gostive
të deli-dreçit,
 
pa lindje
e pa dashuri
në vetminë kahëthatë,
 
e djegur na është
apo rrënuar e tëra
 
dhuntia e shtëpisë!…
 
 
 
FANTOMË
PËRBALLË DIELLIT
 
1.
Sa herë jam përpjekur
të ndriten thukshëm
Bijtë e Diellit
 
e nuk i shihja
të ndezur në flokërima qeniesh.
 
Më dukeshin
të lidhur në padëshirë
nga Djajtë
nëpër humbetirën e madhe
të Mesnatës
 
apo me sy të mbyllur
nga e Pavërteta!…
 
2.
E Padrejta
rrinte roje e rrebtë e Kujtesës
 
ua dirigjonte
përplasjet e shpirtit në Theqafje
 
armitë u dukeshin
krah në vuajtjet e përhershme
nga ana e Ligë,
 
Miqtë e Urtë
me zemrën e mbushur me lotë
çdo herë
duhej të largoheshin
nga Dashuria e Shenjtë,
 
e kjo është kukama e trishtë e viteve
të bjerrura
nga Ëndërra e Kotësisë.
 
3.
Uni e qante kurdoherë
Fushën e Blertë të Shpresave,
 
ndoshta
e kanë soditur përherë Dhuntinë
 
prore përpiqeshin
Bijtë e Shenjtë të Diellit
që të mos jenë
Fantomë e Mjerë
e Lumturisë së Dritës!
 
 
 
FUKAMË E DREDHIVE
 
1.
Kanë ikur përherë
nga dashuria e sinqertë
 
e lëshojnë
rromuzet e gënjeshtrave,
 
sa më largë degdisen
me bollat lakadredhëse
për maje të kokës
m`i nxjerrin kokrrat e mendimit
jashtë natyrës së tyre,
 
nëpër dritaret e turpit
të hapura tej për tej
i hedhin jashtëqitjet e Dritës
 
e nuk mund të ndalen
ngucamat e përditshme!…
 
2.
Nipi e mbesa
e djalit tim të parë
bllokohem në intermezzo
 
me lotët e mi
andej gardhit të fjalëve,
 
ndërsa e vogla
më i shtrenjti pëllumb
i dashurisë atërore
është ndalur
nëpër breshërimat e kukatjeve
të së ëmës,
 
sepse ajo i njeh
ndoshta
të gjitha dredhitë e gjuhës
lakadredhëse!…
 
3.
Engjulli i vogël
ka rënë në strofull
të dhelpërisë dinake
 
ngusht
me vetminë e fëmijërisë
 
sepse dridhet
para mungesës së vëllait
e nga frika,
 
të gjithë
le të shkojnë
në rrotë të së ëmës-
 
pisket bushtra!…
 
4.
E pyes veten
ku mund të ikë
nga fukama e dredhive
 
pasi nuk më lanë
asnjë vend
lakejt!…
 
5.
Qetësia e nervave
është zhdukur
nga përditshmëria
 
nëpër beshërimat
që nuk pushojnë,
 
si hije e mbetur
në mugëtirë,
 
vetëm në ardhtë
pika në zemër-
 
armiq të këngës!
 
 
 
IRONIA QESHET ME JETËN TIME
 
Rrjedhin ditët pa rend e pa numra
nuk e di se cila është në rrjedhën e vet
me duket se jam somnabul, siç më thonë bijtë e fjalës,
e ata vijnë me nënën e tyre nga ar-miqtë e dhunshëm të dijes
dikur janë nisur kudo nga miqtë e ironisë së djeshme,
qudi, nuk desha të lidhem në djepin e tyre të lahtarisë
duhet që të ndahesha i qetë, por i rrotulluan kahjet e gjuhës
e rrotullimi vie rreth e përqark rrites së vetmisë…
 
Lak e gjak tërë jeta më kaloi
në vend të paqes vinte lufta me shpirt në fyt,
manastiri i nivo-kaz-it më përcillte në çdo stinë të vrapimit
ortodoksizmi serbo-grek më steptisej me gjuhën e dervishëve
nisu prej nivo-s e bje gjithmonë më poshte se dhembja
nëpër katrahurat e pjellurinave
e ironia qeshet me thonjtë në fytin tim
të birit të dytë të bushtës!…
 
Shtatë herë i durova në fyt urtshëm thonjët e mbytjes
më tepër se të isha Hazreti Alia me shpatën e zhveshur mbi kokë
asnjë paraqitje nuk është bërë në bankën e akuzuesit
tani ka marrë fund dënimi im me të dy krihët e vdekjes
e ironia resh papushim dëborë mbi flokët e thinjura të jetës
 
deri sa troket vdekja në dritaret e pamatura të kohës
e ajo shtazërisht qeshet e përqeshet pafundësisht!…
 
 
 
RRUGËTIMET E KËNGËS
 
1.
E kapa
pranverën e vargjeve
të këndoj
 
e çuditërisht u lëshua
përtej dhembjes sime!
 
Kënga lëshonte lotë
prej vargut tim
deri në mjekrrën e viteve!
 
2.
Nuk dëshiroj
që të më përloten të gjitha lulet
e lulëkuqet,
 
as Dielli të fshij sytë
pas shtëllungave te reve,
 
nuk desha të thyej
korpën e viteve
 
e fjalët të rreshin
nëpër vetëtima faji!…
 
3.
Tani
nuk mund t`i zë
stinët e përtrirjeve,
 
aromat e buzëqeshjeve
e fëmijtë e rritës,
 
më përlotet kënga
me mallin e filizave të mia,
 
nuk e di çka i shtyri
largë prej meje,
 
e u thyhen vargjet
në një këngë
me ultra zë-
 
oshëtimë
në hapësirë!…
 
Hurden, 06.05.2020

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s