PENGU … / Tregim nga Odise Kote

PENGU …

 

Tregim nga Odise Kote

Bimi është harakati plak i deteve.
Deti është shtëpia e tij.
Ai nuk e mban mend kur u zhyt për herë të parë në ujërat e Jonit. As kur notoi me fundo, fundit të çuditshëm e të paprekur të tij. Bimi beson se ka lindur në det.
Flokët i ka të bardhë, të gjatë e të spërdredhur si litarë spirancash që shndrijnë fort në dritë dielli.
Edhe njerëzit janë si deti, më tha njëherë, shkëlqejnë kur ka diell, po bukuria duket në shtrëngatë, nëse e kanë fuqinë e përballimit brenda vetes.
Bimi ngjan me ata marinarët e dy apo tre shekujve më parë. Kapellua blu, me spreth të bardhë i nxjerr në pah atë ngjyrë të përjetshme bronxi që lëkura e tij e ruan si të ishte pasuria më e shenjtë e jetës. Ajo lëkurë është si një papirus deti.
Qyshkur e pabesueshme, po ky është një mister që lidhet ndoshta me jetën e tij prej harakati, gjithnjë ujrave, në kiç të anijes.
Po ta gërvishësh me guaskë, aty lexon aventurat, udhëtimet, trishtimet, fërshëllimat, pendimet, këngët, shkruar me dallgë e furtuna që kanë kaluar nga njëra plagë në tjetrën.
Në sytë e tij, dy limane blu të thellë, ngjan se vallëzojnë mijëra stërkala e dritëza dallgësh, ndërsa bluza e bardhë me spiranca blu e detarit të vjetër, tundet eshtrave të trupit.
Bimi është vetëm eshtër.
Eshtër e kripur me ujë deti.
E lëmuar.
Në cep të mjekrës, pak nën buzën e sipërme, ka një të çarë oblike që i shkon deri rrëzë veshit të majtë. S’ia ka rrëfyer askujt shkakun, por të gjithë besojnë se është dhuratë deti.
Se deti të bën dhurata të tilla.
Sidomos kur zemërohet!
Dy – tri vitet e fundit, Bimi sikur po mësohet disi edhe me tokën.
Si çdo marinar sojli që ndjen se si afrohet anija në breg, ai ndjeu se si po largohej e shkuara prej tij.
Në fund të jetës mbase, ndodh shpesh që kur zgjohesh prej gjumit në mëngjes, i thua vetes se është e kotë, mbaroi. Nuk ia dal dot më! Por pastaj qesh me veten kur kujton se sa herë të tjera je ndjerë njësoj.
Trishtimi vjen prej mençurisë. Sa më shumë i kupton disa gjëra, aq më shumë do të doje të mos i kuptoje..
Më në fund Bimi e ndau mendjen. Ngriti një kashtore në kthinë shkëmbi, mbi pllaka, kapur me litarë të gjatë në të dy anët, si ndonja dhjetë metër të gjatë, varkë në ajër, që herë pas here përplaset nga dallgët dhe aty tregëton uzo me peshk të pjekur e sardele.
Te kashtorja e Bimit vijnë pak pushues.
Pjesa tjetër shkon në resorte me shumë njerëz, me muzikë e taverna ku gatuhen gjithëfarë ushqimesh. Te kashtorja e Bimit ka vetëm peshk të pjekur në zgarë dhe sardele.
Është ditë e shtunë dhe Bimin nuk e mban toka. Si të ketë festë a diç tjetër. Vrapon sa në një cep të kashtores në tjetrin.
Bën qoka.
I qeras të gjithë, kthen gota me uzo dhe askujt s’i tregon përse. Vrapon si të ketë zjarrin përbrenda, në kërkim të diçkaje që nuk gjendet. Ndoshta prej frikës së përballjes me vetveten, mbase me frikën e të qënit vetëm. Mposhtjes së peshkaqenit vetmi.
Kushedi?
Sepse ka nga ato ditë kur njeriu vdes përbrenda dhe askush nuk e vë re këtë gjë. Digjesha prej kërshërisë, kur ai m’u afrua dhe më pëshpëriti: – Po vjen ajo!
Cila mor kapiten? Kandilja e bardhë e detit?
Ajo, ajo…- dhe e skuqura gati fëminore befas iu dallua në bronxin e lëkurës nëntëdhjetë vjeçare.
E skuqura si purpur… E paqtë.
Fisnike!
Drejt kashtores po zbrisnin dy zonja, njëra e ulur në karrocë dhe tjetra që e lëvizte ngadalë atë. Të dyja të bardha, të thinjura, si dy kukulla vitrinash, blerë kushedi në ç’port të botës dhe harruar fatkeqësisht në hambarin e ndonjë anije të mbytur.
Deti i paska nxjerrë në breg kukullat, gati sa s’thirra!
Ajo e ulura ishte fytyrëmermer.
Akull.
Ngjante me shenjtore.
Cila është ajo? – e shpova me vështrim Bimin, pasi tjetra në këmbë, shoqëruesja, ngjan më e vjetër se kjo e karrekllës.
Bimi nuk duroi dot dhe më shkuli krahun.
Mos, mos bëj gjynah – më hungëriti pa zë. Kam vdekur shumë herë duke e pritur, duke pritur një trokitje, një shenjë… një letër, një telefonatë, një zile. Kam pritur mos më hapte njeri derën…Por jo! Sot ajo erdhi!
Kuptova, kapiten – desha ta ngas, po më tepër i fola vetes se atij.
Femra është e zgjuar, di si të sillet. Janë meshkujt ata që vijnë vërdallë, humbin mendjen, madje hidhen nga ura ose mbyten në det.
Bimi që po m’i ndukte osh mendimet si të ishin oktapodhë deti, nuk e bëri të gjatë qortimin sqarues : – Janë shoqe të ngushta… kanë gjithë jetën bashkë!
Mirë, mirë… – nuk i shava, desha t’i them, ndërkohë që Bimi fluturoi.
U kujdes për karrocën dhe shënjtoren e ulur në të.
E ngriti hopa me ato krahët-eshtra si hekura të hollë dhe e vendosi poshtë tendës së madhe. Në hije, aty nga ku e shihje si në pëllembë të dorës detin, horizontin dhe atë korridorin e ngushtë, deri matanë Korfuzit.
E ndjeva se diçka unike, e papërsëritshme, e thellë si etja dhe dëshira e rrënjës të ullirit që përthith vlagën, avullin dhe energjinë e tokës, e lidhte Bimin me atë grua. Bimi që kuptoi ngasjen time për të vërtetën, nuk më la në errësirë.
“Janë shoqe të ngushta prej shtatëdhjetë vitesh, nisi të flasë, si të shkokolepste pengun e jetës. Mësuese.
Në të njëjtën shkollë, në fillore. Deri në frymë të fundit njeriu s’e merr vesh në e ka mike apo armike një femër. Unë vija nga deti. Nga peshkimi i natës. Në mëngjes, i lagur, me rrjetat në duar, ashtu si isha, rrija në dritare.
E prisja.
Aty ku ajo bënte mësim.
E shihja e s’ngopesha!
Ajo mësonte fëmijët. Nuk ikja pa e kthyer kokën. Pa i parë sytë e saj. Doja t’i merrja me vete nëpër dete. Të shihja me to ujrat e thellesisë.
Njëherë i thashë: – Bëhu nusja ime!
Ia shkrova në letër e ia hodha nga xhami i hapur brenda në klasë. Më shkroi herës tjetër : – Nuk martohem me harakatin e deteve…ti do vetëm peshqit, jo njerëzit…!
E kuptova që e kishte ligsht punën. S’e linte familja të martohej me një peshkatar. Po unë nuk hoqa dorë. Pesë vjet me rradhë te dritarja. Shoqja që e lëviz karrekllën (nuk i thoshte karrige) ma solli, ja këtu, në takimin e parë e të fundit, një natë para nisjes për peshkim. Qe takim lamtumire. Kishte dhënë fjalën. Do ta martonin në Tiranë…
Si nuk e rrëmbeva atë natë?! Atë natë të gjashtëdhjetë viteve më parë?!
Si nuk i shtiliksa fijet e asaj dashurie të ndaluar?
Si nuk e kuptova se për të mbërritur në agim, nuk kish rrugë tjetër vec rrëmbimit të natës?
Si?!
I rrëmbeva detit çfarë desha dhe s’i rrembeva dot një nimfë toke!
Ika i marrosur.
Hyra në det e s’doja të dilja më…”
Rrëfimi i Bimit këtu u ndërpre pasi tjetra, ajo që kujdesej për shënjtoren, i bëri shenjë me kokë. Me sa duket shënjtoren e zunë sërish kriza të forta. Mbase ato ishin rrahjet e fundit të zemrës së saj. Bimi fluturoi në ankth e panik, si detari i thinjur që parandjen rrezikun që sjell shtrëngata kur do të rrëzojë farin e jetës…
Kisha njohur njerëz që ishin larguar prej tij pa asnjë arsye, sikundër të tjerë që i kishin qëndruar pranë edhe pse u kishte dhënë gjithë arsyet e botës për ta braktisur. Si çdo njeri i tokës e di mirë që sakrificat e mëdha bëhen ose për hir të dashurisë ose të mbijetesës. Vulën e saj e pashë të vizatuar në fytyrën e bronxtë të Bimit, detarit të vërtetë që donte të mbante gjithë detin në krahët e tij.
Të tjerët mbase qeshën dhe nuk e besuan historinë e pengut të jetës, por unë i mbajta spirancën…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s